Asgjë nuk është e krahasueshme me të kuqen e tij. Se si e përgatiste ai të kuqen me të cilën pikturonte akoma ka mbetur mister për gjithë piktorët botërorë dhe specialistët e ikonografisë. Por, kur dikush lind gjeni, në çdo kohë dhe në çdo vend, qoftë dhe në vendin më të humbur do të shkëlqejë me karakteristikat e tij. I tillë ishte dhe Onufri ynë i madh. Ai jo më kot quhet piktori më i madh i ikonografisë shqiptare.
Vepra e tij do të zbulohej në vitet 40-të të shekullit të kaluar nga shkencëtarja bjelloruse, Viktori Puzanova, fati i së cilës u lidh me vendin tonë për shkak të revolucionit rus. Ajo u dashurua marrëzisht pas piktorit shqiptar dhe i bëri ato të njohura në botë.
Onufri lindi në shekullin XVI në Shqipërinë e mesme. Mendohet që ai ka lindur në Berat, por disa të dhëna thonë se mund të ketë lindur në kishën e vogël të Valshit, ku ka një varr të paidentifikuar. Shqipëria e asaj kohe ishte në një kaos total. Skënderbeu kishte vdekur dhe Osmanët kishin pushtuar të gjithë Shqipërinë. Turqit kishin marrë fatet e Shqipërisë në dorë, po rregullonin administratën dhe po mendonin të konvertonin shqiptarët.
Thuhet se deri në vitin 1547 ai pikturoi në Berat. Por në fakt ka të dhëna se ai punoi dhe në Kostur dhe në Maqedoni. Onufri krijoi dhe shkollën e tij të famshme në Berat.
E veçanta që ai solli në pikturat e tij të ikonave është një veçansi shumë e madhe. Ai solli figura shqiptarësh por dhe peisazhe, qytete, fshatarë, barinj shqiptarë dhe kalorës. Nga karakteristikat që ai ka duhet theksuar fakti që ai ka shumë përafërsi me Rilindjen Evropiane. Ishte mjeshtër i portretit duke u futur në botën e brendshme të karaktereve të tij. Dhe gjithashtu tek ai gjendet fillesa e pikturës realiste të peisazhit.
Tipari më karakteristik i tij është e kuqja, që ai e aplikoi jo vetëm në ikona por dhe në afreske që sot është e njohur si e kuqja e Onufrit. Misteri i kësaj të kuqeje do të mbesë një nga misteret më të mëdha shqiptare.
Kryevepra e Onufrit është Deisis. Pikërisht për veprën e tij më të mirë ka mendime të shumë kritikëve të cilët e krahasojnë Onufrin tonë me Mikelanxhelon. Dihet që Mikelanxheloja është një nga talentet më të mëdha të të gjitha kohërave. Por më shumë se për veprat e tij ai përmendet për faktin se ka afreskuar kapelën Sistine. Afresket e Mikelanxhelos janë madhështore. Skena kur Zoti At, zgjat dorën e djathtë për të prekur dorën e Adamit, konsiderohet si një vepër e patjetërsueshme . Kemi të bëjmë me një filozofi kozmogonike të Krishtërimit. Por pikërisht ky portret i Mikelanxhelos ngjan me Davidin e Onufrit. Pikërisht këtë fakt kaq magjik do ta analizojnë shumë kritikë të huaj duke u shprehur kështu për këtë paralelizëm: Vinkelman është analogji, Bergson e quan intuitë, Klark një paralele pikturike. Puzanova ngre pyetjen e drejtë: A e ka pikturuar Onufri Davidin e tij para kryeveprës së Mikelanxhelos? Mikelanxhelo e përfundoi punën e tij më 1510-ën Davidi i Onufrit është bërë në vitin 1554. Ky fakt historik duket një argument i qëndrushëm. Ajo që thuhet nga specialistët është fakti i padiskutueshëm se Onufri është piktori i Rilindjes Evropiane madje idhtari më i famshëm i Mikelanxhelos.