MENU
klinika

Nga Bedri Islami

ANALIZA/ A duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar?

03.09.2020 - 14:12

Socialistët po bëhen gati për të filluar një betejë të re elektorale, kësaj here duke synuar mandatin e tretë politik e qeveritar, çka do të përbënte një risi të trefishtë: thyhej miti i ndërrimeve qeveritare në një cikël tetëvjeçar, së dyti, ende mund të besohet në një qeveri, e cila, edhe pse nuk është si duhet e majtë, do të votohet nga të majtët, si një zgjidhje më praktike dhe vazhdë në rrugën e besueshmërisë, dhe së treti dhe ndoshta më e rëndësishmja, përballë qeveritarëve të sotëm është një klasë politike opozitare që, megjithë gabimet e qeverisjes dhe amortizimin nga pushteti, ende nuk është në gjendje të jetë e besuar dhe e votuar.

Socialistët, më saktë, rilindasit qeverisës, duket se kanë përgatitur lëvizje në radhët e larta drejtuese të qeverisjes së tyre. Jo vetëm nga fakti që vetëm tre prej tyre u caktuan të jenë drejtues politikë në qarqet elektorale, por edhe nga një paralajmërim i mëhershëm i shefit të qeverisë, Edi Rama se, në varësi të zhvillimeve dhe të rezultateve, do të ketë edhe ndryshime në qeveri.

A duhet të ketë ndryshime në kabinetin qeveritar?

Me siguri, po. Jo vetëm që lëvizjet në fillimin e një fushate shumë mujore, ende të pashpallur elektorale, nuk është tabu, por edhe për dy arsye themelore: Nga njëra anë socialistëve u duhet tani më shumë se kurrë që të ketë zhvillime të reja për të përballuar gjendjen e krijuar nga dy goditje të mëdha: tërmetin dhe pandeminë, të cilat janë greminat më të mëdha financiare të krijuara pas shembjes së piramidave të vitit 1997; ndërsa nga ana tjetër, këto lëvizje duhen bërë pasi ritmi i deritashëm qeverisës është i vobektë, anemik në shumë drejtime dhe kërkon domosdo një konfiguracion të ri qeverisës.

Konfiguracioni i ri, që mund e kërkohet të krijohet duhet të jetë gjithnjë e më shumë përfaqësues i elektoratit që e ka besuar dhe që do e besojë edhe në të ardhmen. Nëse ndryshimet do të bëhen në çastet e fundit, duke zgjedhur në kabinetet qeveritare njerëz që nuk kanë pasur e nuk kanë asnjë lidhje me të majtën dhe, nga ana tjetër as nuk shquhen për profesionistë të dorës së parë në organizimin e gjërave, atëherë më mirë të rrinë këto që janë. Në lëvizjet e bëra në tetë vitet e fundit jo gjithnjë është prirur drejt atyre që gëzojnë besim dhe që mund të jenë shëmbëlltyrë e një klase politike të pajisur me dije dhe me profesionalizëm, ekspertë në drejtimet e caktuara, por edhe njerëz ndaja të cilëve mund të besohet se do të bëjnë ndryshimin që duhet.

Më tepër se lëvizje politike dhe qeverisëse të duhura kanë qenë zgjedhje të momentit, që nuk kanë sjellë rritje të efektivitetit dhe, në të njëjtën kohë, ndryshim në ritmet e drejtimit të dikastereve ku janë caktuar.

Disa herë, jo vetëm në të shkuarën, por edhe aktuale, raportet dhe informacionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë sjellë abuzime të jashtëzakonshme në trajtimin e fondeve, buxheteve, tenderëve, të cilat kanë sjellë humbje dhjetra e qindra milionëshe. Askush nga titullarët dhe vartësit e tyre nuk ka mbajtur e nuk mban përgjegjësi. Ende nuk ka kaluar ligji i domosdoshëm, përmes të cilit të ketë ndëshkim për fajet dhe përgjegjësitë në pozicionet e larta drejtuese qeveritare dhe që gjithçka të kalojë përmes nj filtri të posaçëm kontrollues. Ndryshimet e mëdha mes auditeve të brendshme të dikastereve dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk kanë të bëjnë thjeshtë me padijeninë, por me mungesën e kontrollit, abuzimit, korruptimit të lartë dhe shpërdorimit makut të vlerave pasurore.

Me dhjetra herë janë rishikuar planet dhe financimet në ndërtimin e disa rrugëve kryesore të vendit, në punimin e të cilave është filluar prej shumë viteve dhe ku “gropat e zeza” nuk po mbushen kurrë. Është në detyrën e qeveritarëve të vendit që, më parë se të bëjnë financimet e reja shtesë, të dihet se ku përfunduan të mëparshmet, çfarë u bë me fondet e dhëna, ku përfunduan ato. Më parë se të ketë kontrolle financiare rutinë në bizneset e vogla, që këto ditë mezi çojnë kokën e tyre, dikasteri i financave nuk është futur ende në zbulimin e ndërlikimeve të mëdha financiare që kanë si dëshmi vilat e pafund të njerëzve të politikës, të drejtësisë, të policisë së shtetit; kontrollin rigoroz se nga cilat burime zhvillohen studio të ndryshme televizive, kush i ushqen ato dhe nga vijnë këto pasuri të fshehta; të dihet dhe të sekuestrohen ndërtime të ngritura me paratë e drogës, financime të dyshimta të sekserëve si Berisha i vogël që luan me miliona euro si të jetë duke luajtur një dorë poker; zhvillimet në trajtimin e pasurive të sekuestruara etj.

Nuk është thjeshtë detyrë e SPAK-ut kontrolli mbi pasuritë e paligjshme, para se të shkojnë njerëzit e paktë të SPAK-ut, që në fakt janë po ato që ishin dikur, duhet të jetë dikasteri i financave, si ndodh kudo në botë. Asnjë shtetas europian nuk ka frikë nga Policia e Shtetit të tyre, por të gjithë druhen dhe maten mirë kur kanë të bëjnë me strukturat e financave.

Asnjë njeri i politikës nuk e tregon me dëshirë pasurinë e tij dhe rrugët se si është pasuruar. Edhe në Perëndimin e ligjit ndodh kjo, si është tani këmbëngulja e deputetëve gjermanë për të heshtur. Asnjë njeri i sistemit të drejtësisë në Shqipëri nuk është i gatshëm të tregojë se si e ka bërë pasurinë e tij dhe ku e ka fshehur. Dikur shefi i tashëm i qeverisë thonte me të drejtë se duhet ndryshuar sistemi, duke hequr sistemin korruptim dhe duke sjellë sistemin e vlerave dhe të kontrollit. Në fakt, asnjëri nga titullarët e dikastereve nuk e ka bërë këtë deri tani.

Socialistët, nëse duan të rrinë ende në pushtet, duhet t’i thërrasin mendjes dhe të bëjnë ndryshimet e domosdoshme, pa asnjë dhimbje dhe asnjë paranojë. Por ndryshimet duhen bërë me mend, të studiuara dhe jo të çastit; duhen larguar pa pritur një ditë tjetër ata titullarë dikasteresh që askush nuk e di pse janë aty, drejtues të lartë që e fillojnë ditën me mendimin se çfarë do të kapin asaj dite; tenderlerë që shesin e blejnë tenderë si të blejnë e shesin tek firmat gabi; duhet ndryshuar kontakti me njerëzit që , më në fund, votuesit e së majtës të dinë se për cilët votojnë, kush është ministër, pasi disa prej tyre nuk njihen as në lagjen e tyre – ndërsa u njihen vilat në resorset e luksit -; duhen gjetur ata njerëz që, duke qenë shërbyes të s majtës, të jenë njerëz që kanë vizion dhe, pranë tyre të devotshëm pavarësisht se cilës forcë politike i besojnë.

Nëse e majta do i ngjajë edhe më tej lësëistëve, si shitës të vendeve të punës, apo disa strukturave të së djathtës që të depërtojnë tek votuesit përmes “ të fortëve”, atëherë më mirë të lëvizin, të shkojnë në opozitë dhe të përpiqen të mësojnë për të ardhmen.

Fati i tyre është një opozitarë katërkrerëshe, Basha, Berisha, Meta dhe një tufë që nuk e di se ku i kanë mbështetësit. Por kjo mund të jetë deri një ditë, kur , edhe pse kanë përball vetes tufë mediokre dhe një grupim që është provuar dhe është zhytur në batak, njerëzit të thonë , mjaft se e tepruat.

Shëmbëlltyra e një force politike qeverisëse është kabineti i saj.

Nëse ky kabinet është amorf, i padenjë dhe përfitues, atëherë më mirë të mos jetë.

Ndryshimi qeveritar është i domosdoshëm. Sa më shpejt, aq më mirë. Sa më i thellë, aq më çlirues. Fakti që Rama delegoi vetëm tre ministra në qarqe si drejtues politikë nuk do të thotë se gjithë të therët do të hiqen. Por që disa prej tyre e kanë kohën të largohen – kjo kohë ka ardhur dhe ka kaluar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi