MENU
klinika

Maxhoranca nis punën/ Ligj i ri

Deputeti i PS: Rregullojmë kompetencat e Presidentit

12.09.2020 - 14:30

Maxhoranca nuk ka hequr dorë nga ligji për të rregulluar kompetencat e Presidentit.

Edhe pse në pranverë nga Komisioni i Venecias erdhi përgjigje negative për nismën ligjore që u votua nga Kuvendi për sa u përket kompetencave që i takojnë Presidentit në lidhje me betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, PS-ja nuk ka hequr dorë nga një nismë ligjore e tillë.

Deputeti i PS-së, anëtar i Komisionit të Ligjeve, Adnor Shameti, duke prezantuar nismën që maxhoranca shumë shpejt pritet ta paraqesë në Kuvend, tha se bëhet fjalë për një ligj, i cili do të rregullojë disa të drejta të Presidentit. Sipas tij, këtë herë ndërhyrja në kompetencat që i takojnë Presidentit do të bëhet me anë të një ligji organik, pasi ky ishte edhe sugjerimi që kishte bërë Komisioni i Venecias.

“Thelbi i asaj që ne presim shumë shpejt në Komisionin e Ligjeve të draftojmë do jetë një ligj organik, që i takon sqarimit në detaje të teknikaliteteve të veprimtarisë kushtetuese të Presidentit të Republikës, me qëllim që mos të ketë asnjë ambiguitet në lidhje me organizimin e këtij institucioni”, shprehet deputeti Adnor Shameti.

Deputeti socialist i Skraparit tha se puna për hartimin e këtij ligji do të nisë brenda javës që vjen në Komisionin e Ligjeve. Sipas tij, ndërhyrja nuk do të bëhet vetëm në çështjen e ceremonive për betimin anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese para kreut të shtetit, por edhe në atë të ministrave.

Kjo e fundit, nisur nga fakti që në dy vitet e fundit Meta ka refuzuar që të dekretojë ministrat e zgjedhur nga Rama. Hera e parë ishte për Sandër Lleshajn në Ministrinë e Brendshme, me arsyetimin se duhej të linte gradën ushtarake fillimisht dhe më pas edhe për Gent Cakajn, për të cilin Rama gjeti zgjidhje duke u bërë vetë ministër dhe ia delegoi kompetencat.ilir meta

“Ky është thelbi i asaj që do përmbajë ligji organik i institucionit të Presidencës. Kjo është gjëja më e rëndësishme, me qëllim që të implementohet në mënyrën e duhur ajo që është e trajtuar dhe parashikuar në Kushtetutë, apo edhe elemente që ne mund t’i shikojmë (siç ishte rasti i betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese), edhe te të drejtat dhe kompetencat kushtetuese të Presidentit. Kompetencat e Presidentit do t’i shikojmë si në nivelin kushtetues për të bërë gjetje të reja, ashtu edhe në harmonizimin e plotë të elementëve që do të ketë ligji për organizimin e institucionit të Presidentit. Komisioni i Venecias na dha të drejtë për nismën ligjore, por tha që nga niveli i një ligji organik, të ngrihet në nivelin e një ligji kushtetues. Në dijeninë time, që me nisjen e sesionit të ri parlamentar, besoj do parashikohet në kalendarin e Komisionit të Ligjeve ngritja e grupit të punës për hartimin e këtij ligji”, u shpreh deputeti socialist, Adnor Shameti.

Mbetet për t’u parë tashmë se cili do të jetë reagimi i Presidentit Meta pas kësaj nisme ligjore, pasi të parën ai e kundërshtoi shumë ashpër, madje duke firmosur dekretin për kthimin e saj para qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.