Përtej asaj që është bërë publike në kohë, ditari i Kapos zbulon kronologjinë e fushatës së fshehtë projektuar drejtpërdrejt nga Enver Hoxha për goditjen e radhës, njohur ndryshe si goditja në kulturë. Plenumi i qershorit për Sekretarin e KQ-së e ka pasur zanafillën në fjalimin e Hoxhës në Presidiumin e Kuvendit Popullor më 9 janar të vitit ’73, ku goditi ashpër Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH. Kapo shkruan se kreu i partisë e ka qartësuar më mirë projeksionin mbi këtë çështje në plenumin e 3 shkurtit ’73, i cili ishte paralajmëruar për probleme ekonomike, por që Hoxha e devijoi tërësisht për shqetësime të rëndësishme në fushën e kulturës dheka njollosur figurën morale të komunistit” artit.
Kur shumëkush nga të pranishmit priste mendimin e tij për shkurtimin e veprave të pesëvjeçarit, kushtëzuar nga bllokada e pashpallur e Kinës, siç ishte rendi i ditës, shënon Kapo në ditar, ai tronditi sallën për rrezikun që kërcënonte partinë dhe vendin nga “retë e zeza”, që ishin grumbulluar dhe shfaqeshin rrotull disa institucioneve si Radio Televizioni Shqiptar, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e sektorë të tjerë të kulturës dhe edukimit të rinisë.
Sidoqoftë, deri këtu nuk bëhej fjalë për një grup antiparti, por për shfaqje liberale që kryesisht ishin demonstruar në Festivalin e 11-të të Këngës në RTSH. Ajo që do ta konturonte më të plotë objektivin e Hoxhës ishte fjala e tij në mbledhjen e aparatit të KQ të 15 marsit, tre muaj para Plenumit IV të KQ së Partisë.
Fjalimi bombastik “Si ta kuptojmë dhe luftojmë me sukses rrethimin e egër imperialisto-revizionist mbi vendin tonë”, i quajtur ndryshe “Hiroshima” politike mbi rininë dhe inteligjencën, veniti çdo shpresë për një frymë liberale dhe orientim më të moderuar të regjimit socialist. Në ditarin e Kapos dallon përpjekja për të bërë sa më bindës alarmin e shefit të Partisë se Shqipëria vërtet përjetonte rrethimin e egër imperialisto-revizionist dhe kërcënohej nga një rrezik potencial, që këtë radhë nuk vinte nga kufiri, as nga kundërshtarët tradicionalë, por nga një lëvizje e brendshme e inspiruar nga agjentura perëndimore borgjezo-revizioniste.
Shënimet e ish-numrit dy të partisë rreth këtij argumenti konfirmojnë se nga janari deri në qershor kur u zhvillua Plenumi i 4-t i KQ-së, ka vijuar një fushatë e jashtëzakonshme me reagime ndaj asaj çfarë kishte ndodhur, liberalizimit të papranueshëm në arte dhe letërsi, e cila do të përmbyllej me dënimin e të gjithë “modernistëve” dhe kryqëzimin e krerëve të lartë, që kishin drejtuar sektorët e edukimit dhe propagandës. Sakaq, ndër preokupimet e zëvendësit të Enverit në këtë periudhë, siç dokumentohet në ditar, ka qenë angazhimi në debatet me Beqir Ballukun, asokohe ministër i Mbrojtjes, i cili përveç “kusureve” të njohura, këtë radhë kishte guxuar që bashkë me gruan e vet të merrte valutën në financën e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila drejtohej prej tij.
Pjesë nga ditari:
9 mars 1973
Thirra Agim Meron(në atë kohë rektor i Universitetit të Tiranës-shënim i red.) dhe Karamanin(Yllin). Bisedova për disa çështje të universitetit, që sipas mendimit tim duhet të shikohen më mirë si nga rektori, ashtu dhe nga ministria. Në universitet ka liberalizëm, shthurje, hatëre, karrierizëm, arrivizëm, servilizëm, mungesë disipline dhe përgjegjësie, që vijnë si nga dobësitë e rektoratit e ministrisë, ashtu edhe nga puna e dobët që bëjnë organet dhe organizatat e partisë. Duhet ndjekur me vëmendje dhe duhet analizuar thellë puna e universitetit.
15 mars 1973
Në orën 10 u bë mbledhja e komunistëve të aparatit të KQ. Në orën 12 e 30 erdhi shoku Enver. Ai mbajti një fjalim shumë të rëndësishëm, ku u goditën shfaqjet e liberalizmit dhe u demaskua armiku i Partisë, Fadil Paçrami. Mbledhja u mbyll më 14 e 30.
16 mars 1973
Bëra mbledhje me Karamanin, Thoma Delianën, Agim Meron, Shpresa Kenon dhe Deko Rusin. U fola për gabime që janë bërë nga universiteti dhe Ministria e Arsimit në lidhje me kuadrin, ku është shkelur vija e Partisë. I porosita të marrin masa, të ndreqin sa më parë gabimet.
17 mars 1973
Prita Fadil Paçramin sipas kërkesës së tij. E dëgjova. Dukej se reflektonte shumë cekët në lidhje me kritikën që i bëri shoku Enver. I fola të thellohet. Ai ka faje të rënda ndaj Partisë. E porosita të përgatitet e të bëjë autokritikë, ndryshe do t’i ketë punët keq. Kam përshtypjen se Fadili ka vepruar me ndërgjegje kundër vijës së Partisë.
19 mars 1973
Sadik Bocaj më raportoi për mbledhjen e Byrosë së Partisë së Radio Televizionit. Todi Lubonja (ish-drejtor i RTSH) nuk bëri autokritikë, megjithëse ishte kritikuar rëndë nga të gjithë shokët. Shkova dhe informova shokun Enver për takimin me Fadil Paçramin dhe mbledhjen e Byrosë së Radiotelevizionit. I shfaqa mendimet e mia për këta dy njerëz se nuk janë në rregull me Partinë. Shoku Enver më dha udhëzim të punohet në Parti e në popull fjala e tij e 15 marsit.
24 mars 1973
Mora pjesë në mbledhjen e Plenumit të Komitetit të Partisë së Tiranës. U diskutua për fjalimin e 15 marsit të shokut Enver. Diskutimet në përgjithësi ishin të mira. Megjithëse duhej thelluar më mirë, sidomos në shkaqet dhe pse shumë shokë të Plenumit kanë mbajtur në kokë shumë gjëra të këqija që ia kanë parë dhe nuk i kanë thënë në sy as Fadil Paçramit dhe as Partisë. Fadil Paçrami nuk tha gjë: i bëmë shumë pyetje. Plenumi vazhdoi deri në orën 18:00. Në fund bëra konkluzionet. Natyrisht, dënova Fadilin. Vura në dukje se mjaft shokë nuk u thelluan sa duhet dhe ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që në Plenum ka munguar kritika nga poshtë-lart. Për shembull, tani që foli shoku Enver për Fadil Paçramin, ngrihen të tjerët e flasin plot fakte e gjëra të këqija për të. Ku kanë qenë këta shokë? Mbi punimet e Plenumit i raportova shokut Enver.
30 mars 1973
Më raportuan për çështjet që kanë dalë në mbledhjen e Organizatës së Partisë, ku bën pjesë Beqir Balluku. Ai dhe gruaja e tij kanë tërhequr padrejtësisht fonde nga arka e Ministrisë së Mbrojtjes. Njoftova shokun Enver. Më dha porosi si të veproja. Thirra Beqirin. I fola për këto veprime të gabuara të tij dhe të gruas së tij. E udhëzova të bëjë autokritikë të thellë. Beqiri ka kohë që nuk është në rregull…
2 prill 1973
Shoku Enver më informoi për kritikat e rrepta që i kishte bërë Beqir Ballukut, që njollosin figurën morale të komunistit e sidomos të kuadrit udhëheqës. Biseduam me shokun Enver për ca probleme në Ushtri./panorama