Përqindja e përfitimit nga transferimi i Vedat Muriqit ka ngjallur reagimin e klubit të Lirisë së Prizrenit. Sekretari i klubit Bashkim Kajdomçaj shprehet se Lirisë i takon të përfitojë 5% nga transferimi i 26-vjeçarit te Lacio.
Për “Gazeta Express”, Kajdomçaj publikoi dokumentet ku Muriqi ka qenë pjesë e Lirisë. Ai shpjegoi se paratë nuk kanë mbërritur në arkën e klubit sepse në vitet 2012-2013 (kur lojtari kaloi nga Liria në Durrës te Teuta), Kosova nuk ishte anëtare e organizmave ndërkombëtare të futbollit.
Megjithatë, sot Kosova është anëtare në UEFA dhe FIFA dhe zyrtari i Lirisë pretendon se klubit i takon të marrë 5% të transferimit të Muriqit. “Kemi dokumentin që e vërteton se Muriqi ka qenë futbollist ynë nga viti 2006-2012. Po ashtu ne kemi kontratën profesionale dhe kartonin e futbollistit që njihet si pasaportë e futbollistit.
Kemi edhe vërtetime të tjera dhe kemi procesverbalet e ndeshjeve të kampionatit në Kosovë ku ka luajtur Muriqi. Prandaj ne do ta marrim 5% shumës. Ne i kemi angazhuar edhe dy avokatë holandezë dhe disa këshilltarë që do të merren juridikisht dhe ligjërisht me këtë transferim.
Por, jo vetëm me kaq, ne do të kërkojmë 5% të Muriqit në çdo transferim tjetër pasi që lojtari ka ndërruar disa skuadra edhe në të kaluarën”, u shpreh Bashkim Kajdomçaj.