MENU
klinika

Vaksinimi kundër gripit/ "Mund të kthehet në dështimin e radhës"

Eksperti i Shëndetit Publik kujton përvojën me gripin e derrit

08.09.2020 - 11:25

Vaksinimi kundër gripit mund të kthehet në dështimin e radhës. Ky shqetësim është ngritur nga eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, doktori ka parashtruar pikëpyetjet e mundshme rreth vaksinimit të popullatës, të prezantuar si nismë nga Ministria e Shëndetësisë, si pjesë e strategjisë antiCovid për periudhën vjeshtëdimër.

“Prej disa javësh është duke u folur për mundësinë e ofrimit të vaksinës për gripin e stinës falas për gjithë popullatën. Ndërsa kjo masë do të ndihmojë për të ulur ndjeshëm impaktin e gripit mbi shëndet, duke shmangur qarkullimin e njëkohshëm të COVID, gripit dhe viruseve të stinës, mbeten disa pikëpyetje jo të parëndësishme:

Së pari, a është e mundur të vaksinohen 2.8 milionë shqiptarë brenda disa javëve? Kjo kërkon një zinxhir logjistik të përsosur, personel mjekësor të trajnuar dhe popullatë të sensibilizuar për të përmendur vetëm tri parakushtet më të rëndësishme.

Duke qenë se këta tre faktorë kanë qenë arsyet e dështimit të përgjigjes shqiptare ndaj COVID, duket e pamundur që ministria dhe komiteti të bëjnë për disa javë, atë që nuk bënë dot me COVID për gati 9 muaj”, ka shkruar doktori. Pikëpyetja e dytë lidhet me llojin e vaksinës që do të blihet.

Në media dhe rrjetet sociale, vë në dukje doktori, kanë qarkulluar prej kohësh informacione jozyrtare mbi pamundësinë e ministrisë për të blerë vaksina cilësore.

“Çdo përpjekje për të fituar besimin e publikut (shih pikën pararendëse) duhet të nisë nga transparenca. Përsëri këtu biem në një fushë të minuar të njohur. Mënyra se si është trajtuar epidemia nga COVID në Shqipëri është shembulli më i keq i transparencës”. Së fundmi, edhe nëse do të arrijnë të blihen këto vaksina, a rrezikojnë ato të mbeten stok?

Kjo nuk do të ishte befasi, në kushtet kur përvoja tregon se mijëra vaksina kundër gripit të derrit shkuan dëm, sepse nuk u përdorën.

“Dihet se ministria dhe shteti shqiptar nuk notojnë në para! Mungesa e parave mund të jetë një nga arsyet pse numri i testeve që ofron sektori publik në Shqipëri lundron në ujëra afrikane. Para se të mendohet blerja e 2.8 milionë vaksinave, të cilat rrezikojnë të mbeten stok për shkak të paaftësisë për t’i administruar apo për t’i mbushur mendjen publikun për dobinë e tyre, a mos duhen menduar rrugë shumë më efektive për të përdorur këtë financim?!

Rritja e numrit të testeve, pajisja e spitaleve rajonale me aparate CPAP dhe BiPAP, furnizimi i mjekëve të familjes me pulsoksimetër do të ishin shembuj të ndërhyrjeve alternative, të cilat ka gjasa të jenë më kosto-efektive sesa vaksinimi për gripin sezonal.

Nëse ministria dhe komiteti nuk zgjidhin të gjitha hallkat e mësipërme, vaksinimi kundër gripit rrezikon të kthehet në dështimin e radhës. Shembujt nuk mungojnë, para 10 vjetësh mijëra vaksina kundër gripit të derrit u blenë dhe skaduan”, shton më tej doktori.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Krerët e politikës po propagandojnë lidhur me COVID-19!

Eksperti i ISHP: Koha për masa reale!