Klubet evropiane po përballen me një krizë ekonomike të paparë dhe e ardhmja rrezikon të jetë jashtëzakonisht komplekse për t’u menaxhuar. Ky është alarmi i ngritur nga Andrea Agnelli në asamblenë e përgjithshme të Shoqatës Europiane të Klubeve.
Presidenti i Juventusit konfirmoi një ulje të ndjeshme të të ardhura gjatë kësaj periudhe. Shoqata parashikon një rënie prej 4 miliardë eurosh gjatë dy viteve të ardhshme për shkak të pandemisë. Një shumë e konsiderueshme nuk do të arkëtohet në arkat e saj nga të drejtat televizive.
Të ardhurat nga të drejtat televizive dhe sponsorizimet për garat e tij të klubeve duhet të ishin 3.25 miliardë euro, por për shkak të pandemisë vetëm 575 milionë euro u depozituan në arkat e UEFA-s, duke treguar edhe njëherë pozitat e vështira në të cilat ndodhet futbollit Europian dhe jo vetëm.
Një nga çështjet më të rëndësishme të trajtuara gjatë asamblesë ishte ajo e mbylljes së stadiumeve, si dhe pasojat negative që kishte kjo masë për klubet. Juventusi është një nga klubet që ka humbur më shumë në këtë aspekt.
Bardhezinjtë zhvilluan 8 takime mes kampionatit, kupës dhe Ligës së Kampionëve në shtëpinë e tyre dhe besohet të mos kenë depozituar nga 2 deri në 4 milionë euro për ndeshje, ose e thënë ndryshe 16 deri në 32 milionë euro dëme.
Në të njëjta ujëra sillet edhe Inter, ndërkohë që ato që e kanë pësuar më shumë nga mos-prezenca e publikut në shkallët e stadiumeve janë padyshim skuadrat me buxhet të vogël dhe që bazën e tyre e kanë fokusuar totalisht te të ardhurat nga shitja e biletave.
Jo më kot, Juventus, Inter, Napoli, por edhe Lazio, kërkojnë që sezoni i ri të ketë tifozë në shkallët e stadiumeve, gjithmonë në numër të reduktuar pasi një tjetër dëm i tillë do të sillte pasoja mjaft të mëdha për arkat e tyre.