Kur vitin e kaluar Antonio Conte firmosi tek Inter, kërkoi me ngulm Romelu Lukakun si përforcim për sulmin, pasi Icardi thuajse ishte i larguar. Belgu vishet zikaltër për 65 milionë euro, plus një duzinë bonuse, lojtari më i shtrenjtë i transferimeve në historinë e Interit, duke tejkaluar 46 milionët e Vieri më 1999.
Conte ia kishte kërkuar edhe Abramovich sulmuesin në fjalë, verën e vitit 2017, pasi fitoi Premier League me Chelsea. Ai, sigurisht nuk ishte i dashuruar me të, duke e parë nga pankina në tri ndeshjet, në të cilat ishte përballur me belgun në fushë: zero gola të shënuar në Itali-Belgjikë në “Euro 2016” dhe në përplasjen e dyfishtë të kampionatit midis Everton dhe Chelsea.
Në të vërtetë, Conte tashmë dinte gjithçka, shumë përpara se belgu me origjinë kongoleze të rrëfente historinë e tij për “The Players’ Tribune”. Ai e njihte urinë, por kishte dëshirën dhe nevojën për të konfirmuar veten.
“Mbaj mend momentin e saktë kur kuptova se ishim të varfër. Unë isha gjashtë vjeç dhe do të kthehesha në shtëpi për drekë, gjatë pushimit të shkollës. Mamaja ime gjithmonë kishte të njëjtën gjë në menu: bukën dhe qumështin. Kaq mundësi kishim.
Pastaj, një ditë u ktheva në shtëpi, hyra në kuzhinë dhe pashë nënën time në frigorifer me kanaçe qumështi si zakonisht. Por këtë herë ajo po trazonte diçka, po e tundte. Pastaj më solli drekën dhe buzëqeshi sikur gjithçka ishte në rregull.
Por unë e dija menjëherë se çfarë po ndodhte. Ajo ishte duke përzier ujin me qumështin. Ne nuk kishim para të mjaftueshme për ta blerë qumështin gjatë gjithë javës, ndaj e përzienim me ujë. Ne nuk ishim të varfër, por shumë më keq se kaq. Babai im kishte qenë një futbollist profesionist, por ishte në fund të karrierës së tij dhe paratë ishin zhdukur”, – thotë sulmuesi i lindur në Antwerp.
Babai Roger Lukaku kishte kaluar një karrierë të denjë mes Ostende, Mechelen dhe Germinal Ekeren. Babai i Lukakut kishte luajtur gjithashtu me ekipin kombëtar të Zairesë, siç quhej atëherë Republika Demokratike e Kongos, në ndeshjet e Kupës së Kombeve të Afrikës dhe në kualifikimet e Kupës së Botës. Situata që Lukaku jetonte me të vërtetë nën minimumin jetik shpjegohet me fjalë të tjera në “The Players’ Tribune”.
“Gjëja e parë që u zhduk ishte TV kabllor. Nuk kishte më futboll, mbetëm pa sinjal. Pastaj ndodhi që u ktheva në shtëpi në mbrëmje dhe dritat ishin kur. Rrinim pa energji elektrike për dy, tri javë. Kur doja të bëja një banjë, nuk kishte drita. Nëna ime ngrohte një kazan në sobë dhe unë futesha në dush, hidhja ujin e nxehtë në kokë me një gotë” – kujton Lukaku.
Ishin të tilla momente, që brenda atij fëmije ndezën një zjarr, që nuk ndalet së ngrohuri familjen: “Unë i bëra një premtim vetes; e dija saktësisht se çfarë duhej të bëja dhe çfarë do të bëja. Një ditë erdha nga shkolla dhe gjeta nënën time në lot.
Kështu që në fund i thashë asaj: Mami, do të shohësh që situata do të ndryshojë. Do të luaj tek Anderlecht, do të ndodhë së shpejti. Pastaj do të jemi mirë, ju nuk do të shqetësoheni më. Në fakt, asokohe isha gjashtë vjeç”.
Premtimi do të mbahej. Në mes janë vitet e kaluara në ekipet e të rinjve të ekipeve të vogla në rrethin e Antwerpen. Lukaku e nis te Rupel Boom si fëmijë dhe qëndron atje për 4 sezone, pastaj një vit në Wintam, ku më 2004 bie në sytë e vëzhguesve të Lierse. Ai ishte vetëm 11 vjeç, por fizikisht me një epërsi të dukshme trupore ndaj moshatarëve. Në dy sezone shënoi 121 gola në 68 ndeshje.
Në vitin 2006, Lierse zbriti nga kategoria dhe Anderlecht mori 13 lojtarë të rinj nga klubi “anders”. Mes tyre, natyrisht, ishte Lukaku 13-vjeçar, i cili pa përmbushjen e premtimit të dhënë nënës së tij. Romelu, në 3 vite të rinisë në Bruksel shënoi 131 gola në 93 ndeshje.
Sidoqoftë, në fillim të sezonit 2008-2009, në moshën 15 vjeç, Lukaku përfundoi në stol. Reagimi ishte i ashpër, sepse asgjë nuk duhej ta ndalonte ëndrrën e tij të bëhej realitet. Ai vë bast me trajnerin U-19 që deri në dhjetor do të shënojë 25 gola, nëse luan titullar, përndryshe do të ngrohte stolin gjatë pjesës tjetër të sezonit: “Ky ishte basti më budalla që kisha vendosur ndonjëherë. Fatmirësisht, i shënova 25 gola deri në nëntor”.
Pastaj, më në fund, erdhi dita e debutimit të tij në ekipin e pare të Anderlecht. Diçka e papritur dhe e çmendur. 24 maj 2009, ndeshja e dytë e “play-off”-it për titullin midis Anderlecht dhe Standard Liege. Të dyja skuadrat arritën me pikë të barabarta në fund të kampionatit.
Një ditë më parë, bie telefoni i Romelut, i cili e pa ndeshjen e parë në TV. Ishte trajneri rezervë i Anderlecht, që e thërret dhe menjëherë bashkohet me skuadrën e parë. Direkt merr në telefon prindërit dhe i entuziasmuar u jep lajmin e madh: “Unë jam një lojtar i Anderlecht!”
Minuta e 65-të e pjesës së dytë, Standardi është në avantazh 1-0. Trajneri Jacobs kthehet nga stoli dhe thërret Lukakun. I jep ca këshilla dhe e hedh në fushë. Ai është 16 vjeç e 11 ditë. Loja nuk do të ndryshonte dhe Anderlecht do ta humbiste sfidën për titull. Por, prej aty fillon një garë e pandalshme:
“Ne e humbëm finalen atë ditë, por unë tashmë isha në parajsë. E mbajta premtimin tim për nënën time. Ky ishte momenti kur e dija se do të ishim mirë përgjithmonë” – tregon Lukaku.
Vitin pasues, Lukaku do të fitonte kampionatin e “Jupiler League” dhe trofeun e golashënuesit më të mirë, në moshën 17 vjeç. Disa muaj më parë, më 3 mars 2010, akoma 16 vjeç, ai bëri debutimin e tij ndërkombëtar si titullar kundër Kroacisë.
Më tej do të luante edhe një vit tjetër tek Anderlecht, para se ta linte atë me 41 gola në 98 ndeshje dhe të nënshkruante me Chelsea. Pastaj huazimi te West Bromëich, shpërthimi tek Everton, maturimi përfundimtar te Manchester United, ku u bë lojtari më i ri që arrin momentin historik të 100 golave të shënuar në Premier League. Dhe në fund kalimi tek Inter.
Një ekip i etur për sukses, pas një dekade zhgënjimesh. Vendi i dytë në Serie A, finalja e “Europa League” në sezonin e parë si zikaltër. Asnjë trofe, por Inter është edhe një herë në krye. Falë kujt? Sigurisht të Lukaku, që shënoi 34 gola sezonalë, duke hyrë në listën e shënuesve më të mirë të zikaltërve.