MENU
klinika

22 shtator 1909, dita kur shkrimtarit i shfaqet Jezusi

Konvertimi verbues: Max Jacob, bohemiani në heshtjen e abacisë

22.09.2020 - 14:45

       Max Jacob lindi më 12 korrik 1876 dhe vdiq më 5 mars 1944 në Drancy. Më 22 shtator 1909, shfaqja e vizionit të Krishtit në murin e dhomës së gjumit ktheu përmbys jetën e poetit dhe romancierit hebre, i cili këtej e tutje nuk do të kishte asnjë synim tjetër përveçse “të mos mëkatonte”. Poet, romancier, kritik arti dhe piktor, nga një familje hebreje jo-praktikuese e Bretanjës, asgjë nuk e paracaktoi Max Jacob-in të merrte këtë “hir të papritur”, atë, me një karakter “të paparashikueshëm dhe të pakontrollueshëm”, siç thuhej, artisti mik i Pikasos, Apolinerit, Modiglianit dhe Zhan Koktosë, adhuruesin e jetës së natës dhe të zhurmshme të Montparnasit, të parashikimit të fatit, horoskopit dhe artit hyjnor, homoseksualin e varur nga opiumi dhe eteri. Thuajse gjithë banda e “Butte”, përfshirë Pikason, vizionin e Max Jacob-it ia atribuojnë eterit. Pesë vjet më vonë, ai do të ketë një shfaqje të dytë. Hebreu Max Jacob, tani e tutje do të ishte edhe katolik. /Konica.al

Një emër i njohur në fillimet e kubizmit me Pikason, një poet shumë pranë surealizmit, një figurë e shquar e Montmartrit gjatë “Belle Époque”… por të paktë janë ata që e dinë se gjatë rrugëtimit të këtij artisti të paklasifikueshëm, dy shfaqje të Krishtit zbuluan tek ai një mistik me thellësi të rrallë, duke i shprehur eksperiencat në dy gjuhët e tij: përmes pikturave, shitja e të cilave i mundësonte mbijetesën dhe prodhimi i bollshëm poetik. Nyja lidhëse e këtyre veprave është liria e shprehjes, që sintetizon aspektet e shumta të një personaliteti veçanërisht të pasur me kontradikta.

“Unë, unë dua të jetoj, dua të vdes, dua të prodhoj shumë, dua të prodhoj pak dhe bukur, dua të bëj dashuri, dua të jem i dëlirë, dua të qaj dhe dua të qesh në të njëjtën kohë. Dhe kjo gjatë gjithë kohës, gjatë gjithë kohës. Dhe prapëseprapë, vijoj të sillem mirë”.  

Gjatë gjithë jetës ai luftoi mes përmbajtjes dhe formës, pasi nuk arriti të vendoste kurrë midis pikturës dhe shkrimit, edhe nëse kjo e fundit do të zinte vendin më të madh. Jeta e tij u ndriçua nga humori dhe imagjinata e gjallë nga njëra anë, si dhe misticizmi i pabesueshëm nga ana tjetër. Pikërisht kjo përbën pasurinë e veprës së Max Jacob-it, ky tension midis forcave kundërshtare, të cilën ai e shpreh me një thjeshtësi gati naive. Po ashtu, kjo e bën atë të paklasifikueshëm, të pazvogëlueshëm për kategoritë e dashura për kritikët.

Më 22 shtator 1909, poeti hebre Max Jacob po kërkonte pantoflat e tij në rrëmujën e frikshme të banesës së tij në “7, rue Ravignan” në Paris. Zgjodhi të jetonte jo shumë larg Bateau-Lavoir, ku banonte shoku i tij Pablo Pikaso. Ai ulet në gjunjë, vështron poshtë shtratit të tij dhe ngrihet. Pikërisht në atë çast iu shfaq Krishti. Ai i shfaqet me një mantel të verdhë me jakë e mëngë blu. Një personazh fillimisht me shpinë, flokët i bien mbi shpatullat e tij të gjera; më pas e kthen kokën drejt poetit. Kështu, Max Jacob mundi të sodiste një pjesë të ballit të tij të gjerë, harkimin e vetullës dhe gojës. Që në momentet e para të këtij vizioni, Max ishte i bindur, se shihte në atë personazh që po sodiste dhe i cili ngadalë po venitej në ngjyrat e pikturës së tij, Krishtin! Gjithsesi, Jacob-i u gjunjëzua para murit, duke kërkuar fjalët e një lutjeje që në atë kohë nuk mund t’i njihte. / Konica.al

Kur ua rrëfeu këtë shfaqje miqve të tij, disa nuk mund të mos mendonin se Max-i duhet të ketë qenë nën efektet e eterit që ai përdorte hera-herës në atë kohë ose, mbase, opiumi që provokonte vizione të papritura. Ai vrapoi për t’i treguar vizionin e tij famullitarit të kishës Shën Gjon Evangjelistit: “Të betohem, zotëri famullitar, e pashë siç të shoh ty”. Sidoqoftë, prifti që ai i drejtohej nuk e mori seriozisht, nisur nga fama dhe jeta e shfrenuar që bënte. I dëshpëruar, Maksi u kthye në shtëpi. Ai përvijoi në mur me blu, një rreth atje ku iu shfaq imazhi i Krishtit. Pesë vjet më vonë, më 7 dhjetor 1914,  Max Jacob-i pati vizionin e dytë të Krishtit. Këtë herë, jo në shtëpinë e tij, por në një sallë kinemaje. Këtë herë, Maksi ia përshkoi priftit Jezusin veshur me të bardha.  

Për koincidencë, thuhet se Max Jacob-i ishte tridhjetë e tre vjeç në kohën e kësaj shfaqjeje, epoka e supozuar e vdekjes së Krishtit. Poeti ynë, adhurues i mistifikimeve dhe mashtrimeve, a do të kishte zgjedhur ai, vallë, me vetëdije për të krijuar këtë paralele?

Pas këtyre episodeve, Max u pagëzua në shkurt të vitit 1915, me Pikason kumbar. Dy nga librat e tij japin një përmbledhje të këtyre viteve të konvertimit: “Shën Matorel” dhe “Mbrojtja e Tartufit”: ekstazat, keqardhjet, vizionet, lutjet, poezitë dhe meditimet e një hebreu të konvertuar. Max Jacob-i, më hebreu i të krishterëve, përveç nëse ishte më i krishteri i hebrenjve, vdiq njëmbëdhjetë ditë pas arrestimit nga Gestapo, udha e kryqit zgjati kështu njëmbëdhjetë ditë të gjata për të ndaluar në mënyrë simbolike në këtë stacion të njëmbëdhjetë të Pasionit të Krishtit, ku biri i Zotit u gozhdua në kryqin e tij. Engjëlli Cyprien nuk u ngrit me krahët e kryqëzuar si një pemë pikëllimi përpara torturuesve të tij, ai vdiq në rrëmujën e çarçafëve të njomur nga djersa, gjymtyrët iu ndenë si ato të një engjëlli të rënë. / Konica.al

I paklasifikueshëm është fjala e duhur për Max Jacob-in, sa i përket krijimtarisë pjellore, që vërshoi edhe pas vdekjes, në një numër botimesh posthume…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Picasso i ri - në blu edhe rozë

Ekspozita e rrallë në Zvicër

Vepra shfaqet pas 20 vjetësh

“Dora Maar” e dashur dhe muzë e Pikasos


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale