MENU
klinika

Analiza

Lukashenko dhe Erdogan po “tallen” me BE-në

23.09.2020 - 14:49

Nga “Bloomberg”

Bashkimi Europian është fuqia më e madhe ekonomike në botë pas SHBA-ve. Por, gjithashtu ai është një dëshmi se fuqia ekonomike nuk është gjithçka në diplomacinë botërore. Nuk është çudi që autokratët dhe nacionalistët më të ashpër në botë, nuk e marrin seriozisht BE-në, përveç nëse janë diskutuar për tema tregtare?

Ata që qeshin me të madhe tani janë presidentët e Turqisë dhe Bjellorusisë. Secili nga fqinjët e BE-së, secili ka shkaktuar telashe këtë javë. Europa duhet të vendoste sanksione kundër njërit prej tyre, presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, për manipulimin e hapur zgjedhor në gusht dhe shtypjen e protestuesve. Në vend të kësaj, Brukseli nuk bëri asgjë dhe u përball sot me pasojat e kësaj politike të përgjumur.

Në një ceremoni të bëftë, Lukashenko u betua për një mandat të ri të mërkurën ndërkohë opozita bëri thirrje për të tjera protesta kundër qeverisjes së tij 26-vjeçare.

Ceremonia e papritur, e cila normalisht do të shitej si një festë e madhe shtetërore, u mbajt pa paralajmërim, me sheshin qendror që u rrethua nga ushtria. Agjencia zyrtare e lajmeve Belta tha se Lukashenko vuri dorën në një kopje të kushtetutës dhe tha se vendi kishte nevojë për siguri dhe konsensus “në prag të një krize globale”

“Nuk mundem, nuk kam të drejtë të braktis Bjellorusët,” tha ai.

Opozita e akuzon 66 vjeçarin për manipulim masiv të votave dhe ka organizuar më shumë se gjashtë javë protesta masive duke kërkuar dorëheqjen e tij. Bashkimi Europian premtoi të hartojnë sanksione kundër zyrtarëve të përfshirë në vjedhjen zgjedhje. Por planet u Brukselit u bllokuan nga vendi më i vogël i BE-së: Qipro.

Vendi mesdhetar vuri veton ndaj sanksioneve, të cilat u miratuan nga çdo shtet anëtar, duke bllokuar miratimin e tyre, sepse BE kërkon unanimitet për të gjitha vendimet e politikës së jashtme. Ky ka qenë një faktor, në mesin e shumë të tjerëve, që ka bërë që politika e jashtme europiane të dështoje ndër vite. Kina, për shembull, shpesh ka qenë në gjendje të “blejë” një ose më shumë vende të vogla me premtime të mëdha investimesh në këmbim të vetos së tyre kundër sanksioneve të BE për shkeljen e të drejtat e njeriut.

Por pse duhej të bllokonte Qipro sanksionet kundër Lukashenkos? A nuk i kanë bërë përshtypje Nikozisë shtypja e demonstruesve paqësorë, shumica e të cilave janë gra? Sigurisht që po. Por, si shumë nga vendet e tjera të BE-së, Qipro kujdeset shumë më tepër për një konflikt tjetër: Tensioni në rritje me Rexhep Tajip Erdogan.

Popullsia greke e Qipros ka pasur gjithmonë probleme me Turqinë, por zbulimet e fushave të gazit në Mesdheun lindor i kanë bërë këto armiqësi edhe më të rrezikshme, sepse të gjitha fuqitë fqinje tani po zihen për kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të naftës.

Muajin e kaluar, Erdogan dërgoi një anije eksplorimi të shoqëruar nga anije ushtarake në ujërat e kontestuara. Kjo çoi në reagime të ashpra nga Greqia dhe Qiproja.Franca madje dërgoi një anije luftarake dhe dy aeroplanë luftarake.

Por Gjermania, e cila mban presidencën e radhës së BE dhe disa shtete të tjera anëtare nuk duan të nxitojnë në sanksione shtesë kundër qeverisë së Erdogan. Në vend të kësaj ata duan t’u japin një shans negociatave sepse BE dhe Turqia duhet të flasin për shumë konflikte. Këto negociata përfshijnë strehimin e refugjatëve, të cilin Erdogan e përdor si gur shahu kundër Brukselit. Qipro ka frikë se Gjermania dhe BE nuk janë gati të jenë mjaft të ashpra ndaj Erdogan kështu që kapi levën e vetme të pushtetit dhe po mban peng sanksionet kundër Bjelloruse derisa BE të zgjerojë masat e saj kundër Turqisë.

Është plotësisht e kuptueshme që shtete të ndryshme anëtare do të kenë interesa të ndryshëm të politikës së jashtme, shpesh të bazuara në gjeografinë, historinë dhe madje (si në Qipro) edhe në identitetin e tyre kombëtar. Por BE futet gjithnjë në një krize politike sa herë që i duhet të arrijë një konsensus në politikën e jashtme.

Ashtu si Qipro “fitoi” një raund këtë javë, Polonia ose Lituania mund të kthejnë favorin herën tjetër duke bllokuar sanksionet kundër Turqisë nëse Qipro nuk miraton masat kundër Bjellorusisë. Franca dhe Italia mund të vendosin veton kundër interesave të njëri-tjetrit për shkak të Libisë, ku ata kanë qenë në anët e kundërta të luftës civile. Dhe vende të ndryshme mund të dëshirojnë të bllokojnë çdo iniciativë derisa qeveria gjermane t’i anulojë gazjellësin e diskutueshëm midis Rusisë dhe Gjermanisë. Për sa kohë sa vendet anëtare vendosin veton për vendime strategjike, të gjithë humbasin.

Kjo çmenduri duhet të ndalet. Zgjidhja u propozua nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe quhet votimi me shumicë të kualifikuar. 27 vende anëtare do të vendosnin sanksione nëse 55% e vendeve anëtare që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së BE janë në favor.

Votimi i shumicës nuk do të kënaqte çdo shtet anëtar por është mënyra e vetme për t’i dhënë BE-së ndonjë mundësi për të folur njëzëri në punët e jashtme.(SI)