MENU
klinika

Ai kërkonte marrëdhënie të mira me Rusinë...

Merkel po e ndëshkon Putinin. Po Macron?!

09.09.2020 - 11:55

Helmimi i figurës ruse të opozitës Alexei Navalny me agjentin nervor Novichok i ka dhënë një goditje strategjisë së afrimit të Presidentit francez Emmanuel Macron me Rusinë, e cila shqetësoi disa aleatë të BE, thonë analistët.

Franca gjatë gjithë krizës ka qëndruar krah për krah me partnerin e saj të ngushtë Gjermaninë, ku Navalny po trajtohet pasi u sëmur në një fluturim nga Siberia.

Analistët thonë se strategjia e Macron ndaj homologut rus Presidenti Vladimir Putin, deri më tani nuk ka sjellë ndonjë rezultat konkret.

Dialogu Paris-Moskë nuk ka gjasa të ndërpritet plotësisht por tani “ftohja” ka nisur, me anulimin e një takimi të planifikuar në Paris javën e ardhshme midis ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve.

Tjetri mund të jetë një udhëtim nga Macron në Moskë që ishte planifikuar për në fillim të vjeshtës.

“Ne mund të vazhdojmë të diskutojmë, po. Por vazhdimi i këtij iluzoni vetëm dobëson Evropën dhe kohezionin e BE,” tha Nicolas Tenzer, profesor në Shkollën e Punëve Ndërkombëtare të Parisit.

Macron, shtoi ai, duhet të jetë i kujdesshëm për të mos dëmtuar besueshmërinë e tij si një udhëheqës evropian pasi kryesoi me sukses një plan të rihapjes ekonomike pas-koronavirusit me Gjermaninë.

Kriza u zhvendos në një nivel të ri javën e kaluar pasi Gjermania njoftoi se Navalny ishte helmuar me Novicok, i njëjti agjent nervor i përdorur për të helmuar ish-agjentin Sergei Skripal në Britani në 2018.

“Është një armë kimike, ushtarake, është Shteti që e prodhon atë. Për më tepër, ka ndodhur më parë. Franca nuk mund të mos reagojë ndaj kësaj,” tha Tatiana Kastoueva-Jean, eksperte e Rusisë në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI) .

Macron “ka ngecur midis dëshirës për të rifilluar dialogun me Moskën, pavarësisht nga të gjithë faktorët negativë, dhe dëshirës për të luajtur rolin e liderit në Evropë”, tha Kastoueva-Jean.

Por ajo tha se dialogu do të vazhdojë për çështje me interes të përbashkët, veçanërisht konfliktin në Libi dhe krizën bërthamore iraniane.

Macron përcaktoi strategjinë e tij për Rusinë në një intervistë me The Economist në nëntor 2019, kur deklaroi se NATO kishte pësuar vdekje cerebrale dhe tha se Evropa duhej të kishte një dialog strategjik me Rusinë.

Ai tha se Rusia nuk do të donte të ishte një “vasal” i Kinës dhe përfundimisht do të duhet të zgjidhte “një projekt partneriteti me Evropën”.

Tani Gjermania është nën presion për të mos vazhduar punën me tubacionin e diskutueshëm të gazit Nord Stream 2 pas helmimit, por Franca nuk ka një projekt të tillë me Rusinë pasi anuloi shitjen e dy anijeve luftarake Mistral për shkak të krizës në Ukrainë.

Por heqja dorë nga takimi midis ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të vendeve, planifikuar për në 14 Shtator në Paris, mund të jetë vetëm fillimi.

“Si mund të sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur?” tha Francois Heisbourg, këshilltar special për Fondacionin për Kërkime Strategjike (FRS).

Përkthyer dhe përshtatur nga France 24/ Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Disa çështje ende të pambyllura

Çfarë e pengon marrëdhënien Francë-Rusi?

Akuzat e Rusisë dhe Kinës

“SHBA po nxit garën e re të armëve”