MENU
klinika

4 kërkesat e bluzave të bardha

Mjekët protestë në orën 10:00, Rama i thërret në takim!

24.09.2020 - 08:09

Në orën 09:00, kryeministri Edi Rama ka thirrur mjekët në një takim në zyrën e tij në kryeministri.

Nuk dihet nëse përgjigja e bluzave të bardha është pozitive ose jo, por kjo ftesë vjen pas protestës që paralajmëruan për sot në orën 10:00 në QSUT, edhe pse policia nuk u dha leje. Kjo për shkak se tubimet dhe grumbullimet në kohë pandemie janë të ndaluara pasi shndërrohen në rrezik të përhapjes së virusit.

“Zhvillimi i këtij tubimi në kohë pandemie, përbën rrezik real për shëndetin tuaj dhe të qytetarëve të tjerë. Ju rikujtojmë se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, për pjesëmarrje dhe grumbullime të paligjshme” thuhet në shkresën e policisë.

Bluzat e bardha njoftuar se do të mblidhen sot në orën 10:00 në protestë, ku kërkojnë realizimin e 4 kërkesave, që lidhen me kushtet ku punojnë si dhe me pagesat e tyre.

Më konkretisht ata kërkojnë që mjekët të cilët humbin jetën në krye të detyrës të shpallen dëshmorë të kombit, rritje të pagave, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor dhe tu sigurohen të gjitha kushtet në punë.

  • Kërkesat e mjekëve

Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.
Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.
Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.
Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standarteve kombëtare dhe ndërkombëtare.