MENU
klinika

Marrëveshja Kosovë – Serbi në Uashington/ Nga Bedri Islami

Një port shqiptar do të bëhet dalje e shtetit serb në Adriatik. A ka rënë dakord qeveria e Tiranës?

08.09.2020 - 11:14

Me 4 shtator, në praninë e presidentit amerikan, dy shefat e delegacioneve, i Qeverisë së Kosovës, Abdulla Hoti dhe Vuçiç i presidencës serbe, nënshkruan një akt për normalizimin e marëdhënieve ekonomike. Të gjitha pikat e renditura në aktin final, pasi ai ndryshoi deri në momentin e fundit, fillimisht nga pala serbe që nuk pranonte njohjen reciproke dhe pastaj nga pala shqiptare që kontestonte çështjet që lidhen me liqenin e Ujmanit, nuk kanë të bëjnë në pamjen e parë të tyre me qëndrime politike apo të njohjes së ndërsjelltë, megjithëse pas kulisave palët janë pajtuar se po shkohet drejt një gjendjeje të re dhe, si opozitarët e mbështetësit e presidentit serb, ashtu edhe mediat ruse, e vërejtën se diçka ka lëvizur në këtë bosht, që, edhe ashtu si është paraqitur, megjithëse nuk është një hap i madh përpara, nuk është një kthim pas.

Ka disa momente që të bëjnë të shikosh me dëshirë aktmarrëveshjen, ashtu si disa të tjera që të lënë shijen e hidhur dhe mund të kenë pasoja afatgjata në tërë zhvillimin dypalësh e shumëplanësh në këtë pjesë të Ballkanit, ku mëria është edhe më e fuqishme sa marrëveshja dhe ku viktimat kanë qenë disa herë më të larta se sa mund të ishte menduar.

Në katër vitet e administratës Trump marrëdhëniet mes politikës në Kosovës dhe të SHBA kanë qenë herë-herë të ngarkuara dhe, nëse përplasjet nuk janë shfaqur krejt haptas, kushdo e ka ditur se gjërat po shkojnë drejt keqësimit. Sa ishte kjo në interesin e Kosovës dhe të perspektivës së saj? – kjo tashmë dihet. Përplasjet me qeverinë Haradinaj për taksën 100 për qind e, më tej, me qeverinë Kurti, ku gjërat u ashpërsuan rrënjësisht janë të njohura, ashtu si edhe kundërveprimi europian i strukturave të vendosura në passkenë, për të paraqitur nën një dritë politike çështje që lidhen me Gjykatën Speciale, e cila, sipas dëshmive të fundit, më shumë se gjysmën e materialeve të saj e ka marrë nga hetuesit e prokurorët serbë, e jo vetëm për kohën kur ua lejon mandati, por në të gjithë kohën, e, për më tej, duke i cilësuar njëjtë si regjimi i Millosheviqit, luftëtarët e UÇK-së si terroristë. Përfshirja e presidentit amerikan në bisedime, gjithnjë sipas stilit të tij çoroditës, është shenjë vlerësimi, edhe pse ai kalkulon të ardhmen e tij politike.

Sado që njerëzit e politikës serbe të shkojnë me kostume të kohëve të fundit, ata ende kanë mbi vete e me vete qyrkun e mentalitetit sllavomadh dhe ultranacionalist, të cilin nuk ua hoqi dot as presidenti amerikan, megjithëse i vendosi në rrjesht si nxënës fillestarë, çka e bëri më pas edhe me shefin e qeverisë së Kosovës.

Përparësia e parë ishte se në të gjithë këto muaj, jo vetëm në media që janë opozitare ndaj qeverisë së Tiranës – por edhe në njerëz të politikës në Kosovë, është synuar që gjithçka të paraqesë një tabllo tjetër, ku në zyrën ovale, përkulur mbi harta dhe me thikë në duar, po ndahet ashpërsisht Kosova, duke i ngulur asaj një hanxhar pas shpine. Ndërthurësit e kësaj megaideje politike nuk e kishin për gjë të duartrokisnin fitoren e një partie thellësisht pro serbe dhe pro ruse në Malin e Zi, ultranacionaliste, e lidhur ngushtë me Kishin Ordhodokse serbe, e cila në fakt ishte fituese e zgjedhjeve dhe ku falën puthadorë gjithë fituesit, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe është thellësisht kundër zhvillimeve në Shqipëri e në Kosovë.

Sado që administrata Trump e përdor për qëllimet e saj elektorale takimin dhe kjo është tepër e dallueshme, fakt është se edhe një brez tjetër politikanësh nuk e humbën lidhjen me Kosovën dhe dosja e saj është ende në Shtëpinë e Bardhë. Shqiptarët në Kosovë nuk u braktisën si kurdët luftëtarë kundër ISIS, e as nuk u trajtuan përçmueshëm, ndryshe nga sa mund të ishte trajtuar pala serbe. Moshumbja e lidhjeve, sado që i deleguari i zotit Trump është një figurë e pazakontë politike,- por asnjëri nuk mundet të detyrojë presidentin amrikan të caktojë kë duam ne – ishte e pranishme në të gjithë këtë agjendë, e cila nuk mund të formulohet thjeshtë e dështuar nga shkaku i vendosjes së bashkëbiseduesve. Është e vërtetë se një përfaqësues shtetëror i Kosovës, apo i Serbisë nuk do të trajtohej kështu në zyrat e BE, por, po aq e vërtetë është se pikërisht zyrtarët e BE kanë kaq vite që e kanë mbyllur Kosovën si në një geto dhe, megjithë analizat e sakta të institucioneve europiane të politikës dhe të sigurisë se, kjo mbyllje do të sjellë ashpërsim e mosbesim ndaj BE, përsëri, e përsëri, megjithë premtimet e bujshme, nuk lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në BE.

Ajo që ndodhi në Uashington është në fakt vazhdim i shumë proceseve të mëparshme. Nuk është arritja më e madhe e dekadave dhe as e këtyre viteve, por është dëshmi se ka ende interes dhe, nëse ende diplomacia ndërkombëtare vë kushte dhe ngushton rrethin, kjo, më shumë se me vetëdijen e tyre politike, ka të bëjë me vetëdijen tonë, që në vitet e paqes humbëm shumë nga ajo që u fitua në luftë. Asnjë qeveri serioze në botë nuk angazhohet thellësisht, deri në institucionin më të lartë të saj kur përballë vetes ka një amalgamë qeveritarësh, rrëzime qeverish dhe ndërtime qeverish me paterica, kur njerëzit e politikës janë të gatshëm të shpallin armik këdo që është kundër tyre dhe mik të shtrenjtë pikërisht atë që kanë mallkuar dhe shantazhuar një ditë më parë.

Të paktën, njëri ndër njerëzit më të fuqishëm të botës, në mos më i fuqishmi aktualisht, bëri një lëvizje vazhduese, në mos për njohjen reciproke, çka administrata e tij e dëshironte, të paktën për stabilizimin e marëdhënieve ekonomike.

Nëse qeveritarët shqiptarë të Kosovës në takim fluturuan me ambicien se pas tyre do të vijë njohja reciproke, është koha të ulen me këmbë në tokë dhe të mësojnë se jo gjithçka që thuhet, dhe ashtu si thuhet, do të bëhet.

E rëndësishme është që në këtë aktmarrëveshje nuk u vendos asnjë pikë që ka të bëjë me krijimin e legalizimin e mëtejshëm të Asosacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do të ishte vetëvrasja e lirisë dhe e pavarësisë së Kosovës, pasi, menjëherë, sipas një politike të studiuar mirë e qartë dhe të rekomanduar nga grupi special i ngritur pranë qeverisë serbe, do të kishte zhvillime që do të çonin drejt bosnjëzimit të Kosovës, krijimit të enklavave serbe gjysmë të pavarura që do të synonin mëvetësi dhe lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë e Beogradit.

Megjithëse qeveria beogradase dhe presidenti i këtij shteti ngulën këmbë që të kishte nene dhe pika të veçanta për ndërlidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me komunat me shumicë serbe, edhe institucionalisht, çka e bëjnë ilegalisht, administrata amerikane e hodhi poshtë atë, si të papajtueshme me marrëveshjen dhe kjo mund të sjellë risinë që parlamenti i Kosovës të demantojë këtë marrëveshje që në fillesat e saj.

Në Uashington, ndryshe nga sa ishte parashikuar dhe prononcuar me forcë, si nga opozita e atjeshme dhe burime mediale në Tiranë, nuk pati asnjë diskutim për ndarje të kufirit, shkëmbim territoresh, lëvizje popullsie, ndarje të Kosovës; nuk u ngrit problemi i Trepçës dhe i ndarjes së Mitrovicës, për më tepër, koncerne të fuqishme amerikane janë të interesuara që të financojnë në Veriun e Kosovës, sipas bisedimeve paraprake me qeverinë e saj.

Askush nuk e ngriti shkëmbimin e territoreve dhe as ndarjen e Kosovës, e po ashtu, nuk u ngrit as kthimi i Kosovës Lindore – Luginën së Preshevës – në përbërjen e shtetit të Kosovës. E gjithë furia mediatike dhe politike, megjithëse ishte një gjetje e zgjuar politike, nuk ndjeu nocionin e ndarjes, sepse nuk kishte.

Natyrisht, për të gjithë, do të ishte mirë që të kishte një qëndrim thelbësor ndryshe të administratës së tashme amerikane, që mund ta sjellë nesër një administratë e mundshme Biden, më pro Kosovës, njohëse më e mirë e halleve dhe e qëndrimeve të saj, por kjo do të ndjehet pas nëntorit të këtij viti. Deri atëherë Kosova ka përballë vetes, si në Shtëpinë e Bardhë, dhe pranë vetes, si në këto bisedime, këtë administratë dhe nuk e ka as luksin dhe as të vërtetën që ta shpallë armike, varrmihëse të Kosovës dhe armike të saj. Ngutja në politikë është këshilltar i keq, po aq sa është dëgjimi i sirenave që të ndjellin pushtetin, duke dashur krijimin e një mendësie ndryshe, trazuese, larg aspiratës dhe ndodhive historike.

Qeveria e Kosovës në nënshkrimin e aktmarrëveshjes, ashtu si ua sollën dhe pa njohje të thellë paraprake, ku gjithçka i ishte lënë në dorë negociatorit Skender Hyseni, la pas vetes shumë dilema dhe enigma, disa nga të cilat duhet të rrihen fort në parlamentin e Kosovës, por edhe në vetë institucionet qeverisëse.

Duke shkuar në Shtetet e Bashkuara me idenë se njohja reciproke ishte akt i kryer ata u lëshuan në nënshkrimin e disa marrëveshjeve, duke u gjendur para dilemës, “ose nënshkruani kështu si është, ose ikni pa e nënshkruar”. Që kur janë krijuar bisedimet diplomatike gjithnjë palës më të dobët i bëhet presioni më i madh. Kjo ndodhi edhe me shqiptarët në bisedime, të cilët, një herë të vetme që kundërshtuan dhe krijuan rrezikun e rrëzimit të qeverisë përmes çështjes së liqenit të Ujmanit, fituan më shumë nga sa kishte parashikuar pala serbe.

Përse ndodhi kështu, si edhe herë të tjera ka ndodhur?

Secili nga njerëzit e politikës në Kosovë mendon fillimisht për të ardhmen e tij e pastaj për të nesërmen e Kosovës. Mjerisht, kështu është.

Ata, qeveritarët që menduan se do të hynin në histori, kthehen të dëshpëruar se iluzionin e agimit të një historie ndryshe e morën për të vërtetë dhe se rruga e tyre e gjatë dhe me aq shumë njerëz nuk dihej nëse ia kishte vlejtur, po të mos kishte qenë qëndrimi në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.

Loja luhej në SHBA, fijet tërhiqeshin në Prishtinë. Secili duke menduar se si mund të shfaqej më shpërtimtar dhe se kush do të ishte më atdhetar.

Njëra ndër çështjet që ka enigmën më të ndjeshme është krijimi i një porti në detin Adriatik, në ujra të thella, i përbashkët për Kosovën dhe shtetin serb.

Ku mund të jetë ky port, veçse në Shqipëri. Prej kohe ekziston mendimi i shkëputjes nga porti i Selanikut dhe afrimi drejt një porti tjetër.

Nëse është në Shqipëri, atëherë është marrë edhe mendimi i palës shqiptare, i qeverisë së saj dhe i zotit Rama. Ndryshe nuk mund të vihej në një aktmarrëveshje ku shteti shqiptar nuk është nënshkrues.

Të gjitha qeveritë shqiptare i kanë joshur shqiptarët e Kosovës me idenë e portit të Shëngjinit, si porta hyrëse e mallrave në Kosovë. Të gjitha, veç e veç e sëbashku, nuk kanë bërë thuajse asgjë. Për më tepër, rreth 60 për qind e mallrave në Kosovë janë prodhime serbe ose të dëguara nga firmat e mëdha serbe, që kanë lidhje të ndjeshme në Kosovë.

Mendimi i parë fillestar, edhe në kohën e qeverisë Berisha, ka qenë që porti të jetë për shqiptarët e Kosovës, pavarësisht se nuk u bë gjë. Edhe Edi Rama e qeveria e tij e kanë shfaqur këtë mendim dhe e kanë bërë këtë betim.

Tani jemi para një zgjidhjeje tjetër: do të jetë një port, cilido të jetë ai që, në një mënyrë a në një tjetër do të jetë edhe dalje e shtetit serb në Adriatik. Nëse qeveria shqiptare ka rënë dakord, atëherë duhet shtruar urgjentisht në të gjitha instancat e shtetit, që nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe deri në parlamentin e Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës, edhe sot, po vendos në një plan të përbashkët tri pika, që u duken thelbësore: marrëveshjet ekonomike, të zhdukurit dhe të shpërngulurit.

Në pamjen e parë duken si çështje të barazvlefshme, por nuk janë ashtu. Në marrëveshjet ekonomike pala që fiton më shumë, pra, pjesën e luanit, është ajo serbe, në territorin e së cilës do të ndërtohen autostrada të reja, rrugë hekurudhore, do të ketë investime të mëdha. Kosova është në bishtin e këtyre investimeve serioze. Ajo merr çka mbetet nga investimet në shtetin serb.

Të zhdukurit shqiptarë në luftën makabre, që ishte në fakt gjenocid, mbeten problemi më i madh për çdo qeveri në Kosovë. Cilado qoftë ajo. Është problemi i pazgjidhur dhe të cilin shteti serb nuk do ta zgjidhë kurrë. Sepse dëshmon krimin e vjetër dhe të ri sëbashku, mentalitetin e këtyre njerëzve që qeverisin, disa nga të cilët kanë qeverisur edhe në regjimin e Milloshviqit. Pa u zgjidhur thellësisht ky problem, nuk mund të bisedohet për çështje të tjera. Janë ende rreth 1700 të zhdukur, familje të tëra kërkojnë fatin e të afërmve të tyre dhe këtë asnjë qeveri nuk guxon ta harrojë.

Të shpërngulurit – dihet – në shumicë janë serbë të ikur gjatë e pas luftës, shumë nga të cilët kishin qenë pjesë e krimit të ndodhur në Kosovë. Ata, edhe pa një aktmarrëveshje, po kthehen dalëngadalë dhe për to po ndërtohen resorse të reja, të gjitha me financim të qeverisë serbe, nën hundën e qeverisë së Kosovës. Jo vetëm të së sotmes, por nën hundën e të gjitha qeverive. Qeveria serbe kërkon rikthimin masiv të tyre dhe nesër do të kërkojë edhe kthimin e pronave që kanë grabitur përmes vendimeve gjyqësore të kohëve të pushtimit serb.

Qeveria e tashme dhe qeveritë para saj ende nuk kanë asnjë forcë për të kthyer shqiptarët e shpërngulur me dhunë nga Mitrovica e Veriut, shtëpitë e të cilëve, ose janë të boshatisura ,ose të zaptuara nga serbët paraushtarakë të bandave të njohura. Të shpërngulurit serbë, megjithëse disa prej tyre janë prej shumë kohe në Kosovë, kanë të drejtë të kthehen, por para tyre, doemos, shqiptarët e dëbuar në atë pjesë territori që është i Republikës së Kosovës.

Qeveria serbe as nuk kërkoi falje për krimet e bëra dy dekada më parë dhe as nuk ka ndërmend të diskutojë për dëmet e luftës. Ajo as çështjen e pagesave pensionale që kapin disa milarda euro nuk e ka vënë në diskutim. Këto janë çështje që qeveria e Kosovës duhet t’i vërë para kujtdo, qoftë edhe njeriu numër një i botës, sepse kjo është rruga e zgjidhjes.

Po tani?

Aktmarrëveshja ishte një iluzion më shumë, se sa një arritje, që mund të bëhet e vërtetë, nëse shteti serb nuk e saboton atë dhe nëse politika në Kosovë është rigoroze në kërkesat e saj.

Qeveria serbe gjithnjë ka sabotuar ato pika të marrëveshjeve ku ka pasur detyrime dhe ka ngritur zërin ku ka pasur të drejta. Kjo do të ndodhë edhe tani.

Ajo nga pesë të zhdukur në marsin e vitit 1999, ngriti numrin e tyre në 56 në qershorin e këtij viti, më pas në 100 dhe gjeti edhe bashkëmendimtarë në Tiranë e Prishtinë që shkruan për qindra të zhdukur. Nga inati i sime vjehrre, vajta e fjeta me mullixhinë – është një fjalë e vjetër.

Edhe tani, pa asnjë dyshim, qeveria serbe do të gjejë çdo shkak për të patur ankesat e saj dhe këto do të jenë pambarim.

Ndaj, për të gjitha qeveritë ka vetëm një rrugë: të ulet në bisedimet e mëpasme vetëm pas njohjes reciproke, ndryshe zhvillimet mund të bëhen edhe pa qenë në një tryezë me njerëzit e politikës serbe.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Bedri Islami/ Dëshmia në Hagë

Aktakuza/ Tre qëndrime ndaj çështjes Thaçi