MENU
klinika

Vendimi përfundimtar

Olimpiada 2020 do të zhvillohet me apo pa pandemi

07.09.2020 - 13:54

Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, të shtyra për vitin e ardhshëm, do të zhvillohen me ose pa pandeminë. Në këtë përfundimtar ka dalë Komiteti Olimpik ndërkombëtar, që tashmë ka marrë masat e duhura për të përballuar virusin e ri dhe për të dërguar përpara aktivitetin më të madh sportiv në botë.

Lajmi është konfirmuar nga nënkryetari i këtij komiteti, John Coates, i cili pohoi se Olimpiada do të nisë më 23 korrik të vitit të ardhshëm. Në prononcimin e tij për “AFP”, ai tha se qeveria dhe komiteti olimpik ka përpiluar një protokoll të rreptë të masave anti-covid.

Një ndër pikat themelore në këtë plan është kontrolli dhe testet për pjesëmarrësit, të cilët parashikohet të jenë në numër të kufizuar në ceremoninë e hapjes dhe mbylljes së saj. Gjithashtu, do të ketë zvogëlim të numrit të stafit në delegacionin që do të udhëtojë drejt Japonisë nga çdo shtet pjesëmarrës.

Dilema më e madhe është fakti se si do të veprohet me delegacionet që do të shkelin në shtetin aziatik. Aktualisht Japonia i ka mbyllur kufinjtë për vizitorët e huaj ose në të kundër do të shkojnë në karantinë. Më shumë se 11 mijë atletë nga rreth 200 vende të botës pritet të marrin pjesë në Lojërat Olimpike 2021.

Nëse shtyhen sërish, shefi i Lojërave Olimpike të Tokyos, Yoshiro Mori, ka konfirmuar se do të anulohen përfundimisht. Para pandemisë, Olimpiada ishin anuluar vetëm për shkak të luftës, por asnjëherë nuk ishin shtyrë. Fillimisht ishin planifikuar të fillonin në korrik 2020, por u shtynë për shkak të frikës nga Covid-19.