MENU
klinika

Lulëzon vetëm ndërtimi

Pandemia godet biznesin, hoteleria dhe turizmi në krizë

17.09.2020 - 14:46

Statistikat e INSTAT, nxjerrin në pah se agjencitë e udhëtimeve, bar-restorantet dhe hotelet kanë shënuar rënie me mbi 50 për qind të shitjeve në volum, si edhe të punësimeve me mbi 30 për qind.

Ndërkohë, sekorët më rezistentë në muajt prill-qershor, ishin tregtia me shumicë dhe pakicë, serviset e automjeteve dhe shërbimet e telekomunikacionit e teknologjisë së informacionit.

Pjesa e parë e vitit shënoi një seri falimentimesh dhe pezullime aktivitetesh, të imponuara nga karantina e muajve mars-prill. Pandemia e Covid-19 ka lënë pasoja të thella dhe afatgjata në ekonomi.

Rënia e fuqisë blerëse, prodhimit vendas apo shkëmbimeve tregtare, u reflektuan në sektorët e shërbimeve dhe aktiviteteve tregtare.

Kriza që përfshiu ekonominë në periudhën e izolimit, u pasua edhe me skepticizimin e sipërmarrësve të biznesit të madh e të vogël, të cilët janë shprehur në një sondazh të publikuar në muajin gusht, se rimëkëmbja nuk do të jetë aspak e lehtë.

Ndërkohë sektorit i prodhimit, i vetmi që ka shënuar rritje gjatë 3-mujorit të dytë ka qenë ndërtimi. Ky aktivitet duket se e ka kapërcyer krizën edhe falë vendimmarrjes së qeverisë për të mos e ndalur punën me programin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Madje ky sektor, gjeneroi edhe rritje të numrit të të punësuarve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, Shqipëria është një ndër vendet me rënien më të thellë ekonomike gjatë pandemisë.

Sektorët e tjerë si prodhimi industrial, si ai energjisë dhe përpunimi i mbetjeve shënuan rënie si në shitje dhe prodhim.