MENU
klinika

Traditë: Akademia MARUBI

Për 10 ditë, filma nga e gjithë bota në Tiranë

14.09.2020 - 13:20

         Me këtë të hënë, Tirana nisi dhjetëditëshin kushtuar kinemasë –  filma cilësorë, me temën mbi të drejtat themelore të njeriut.

Tashmë për herë të 15-të, “International Human Rights Film Festival-Albania” do të sjellë në Tiranë nga data 14 deri më 24 shtator filma nga e gjithë bota, duke u fokusuar këtë vit te “Të Drejtat e Fëmijëve dhe Grave” – bën me dije ambasada gjermane në Tiranë.

Ambasada thekson se festivali i këtij viti, do të mbahet nën masat parandaluese kundër koronavirusit dhe vetëm në ambiete të hapura.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri (IHRFFA) nis sot pranë Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, me në fokus këto problematika. Pavarësisht situatës jo të zakontë, edhe në edicion XV, për festivalin ka pasur 3,500 aplikime, prej të cilave janë përzgjedhur 41 filma. Drejtori ekzekutiv i Festivalit, kineasti Kujtim Çashku, tregon për mediet vështirësitë për të ruajtur traditat e ngjarjeve të tilla kulturore, jo vetëm në vend, por edhe jashtë, duke u përshtatur me udhëzimet mbi parandalimin e covid-19.

41 filma, shumë prejt tyre PREMIERA

Pjesa më e madhe e filmave që do të shfaqen gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut do të jenë premiera. “Filmat trajtojnë një gamë të gjerë tematikash që prekin problematika globale, të cilat hasen edhe në shoqërinë shqiptare, ndonëse në fokus janë të drejtat e grave dhe fëmijëve”, – thotë për mediet, Kujtim Çashku. Në krye të bordit që ka përzgjedhur filmat është edhe ish-zëvendësambasadori i OSBE-së, Robert Wilton (përkthyes, shkrimtar, historian), i cili u shpreh se nisma të tilla bëhen më shpresëdhënëse, për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë të jashtëzakonshme.

Po ashtu, ai vuri theksin edhe në punën që duhet bërë, që, si në të gjitha shoqëritë e zhvilluara edhe në Shqipëri, barazia gjinore të mos jetë vetëm temë e bisedave televizive dhe tryezave “elitare”, por të shkojë edhe te shtresat më në nevojë. “Është një mundësi e mirë për të shkëmbyer ide se çfarë mund të bëhet që bota, aktivitetet të zhvillohen në mënyrë sa më të organizuar, pavarësisht pandemisë së COVID19, si sfidë. Këtë vit kemi një temë shumë të ndjeshme, pasi çdo ditë në Shqipëri, por edhe në botë, ndodhin krime ndaj fëmijëve. Po ashtu, ende s’mund të flasim për një barazi të vërtetë midis grave dhe burrave. Ndihet diskriminimi që lind nga pabarazia, edhe që gjeneron abuzim. Edhe studimet e tregojnë qartë se nëse nuk kemi barazi gjinore, shoqëria jonë nuk do të funksionojë siç duhet”, – u shpreh Wilton.

Ambasadori austriak, Christian Steiner, shprehu entuziazmin për një ngjarje të tillë të kinematografisë ndërkombëtare, që mbahet në vendin tonë. “Pas vitit 2012 jemi për herë të dytë partnerë kryesorë të këtij festivali. Ky vit është i veçantë, jo vetëm prej pandemisë, por sidomos për faktin se festivali feston 15-vjetorin e tij. Festivali është në fokusin e politikave tona, si një kombinim i artit dhe kulturës, por dhe për vëmendjen që ne u dedikojmë të drejtave të njeriut. Kur flasim për politika dhe të drejta të njeriut, midis tyre janë të drejtat e grave dhe fëmijëve, që veçanërisht në këtë kohë pandemie po vuajnë pasojat e dhunës”, – theksoi Steiner.

Festivali do të zgjasë 11 ditë dhe 41 filmat e diskutimet, do të zhvillohen në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, në lulishten pranë Kryeministrisë, si dhe pranë Arkivit Qendror të Filmit, duke iu përmbajtur të gjitha rregullave të distancimit social.

Ndërkaq, çelja e festivalit mbrëmjen e sotme, në orën 19:00, sjell filmin e parë: “Kaviar” – një film i gjinisë fiksion (trill), prodhim austriak i vitit 2019, me regji nga Elena Tikhonova. Filmi zgjat 90 minuta – shikim të këndshëm!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkodra në retrospektivë

158 vite në celuloid