Sirena nga Anglia për mbrojtësin e Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla. Jose Mourinho në gjurmët e Marash Kumbullës. Është ky lajmi i fundit në sagën e gjatë të merkatos së verës për mbrojtësin kuqezi.
Siç raporton “L’Arena di Verona”, trajneri i Tottenhamit është një admirues i mbrojtësit kuqezi dhe ka shfaqur interes për shërbimet e tij. Mediat saktësojnë se ende nuk ka patur një ofertë zyrtare në klubin e Veronës për qendërmbrojtësit që spikati në sezonin e fundit të Serisë A.
Por shqiptari është një lojtar që Mourinho e pëlqen shumë dhe Tottenham për këtë arsye po ndjek me interesim zhvillimin e situatës në lidhje me transferimin e tij. Me kohën që shtrëngon, e përditshmja italiane saktëson se vlerësimi i kartonit për Kumbullën nga ana e Veronës aktualisht është 24 milionë euro, nga 28 milionë që kërkonte.
Përveç Juventusit, Interit e Lazios së fundmi në garë është futur dhe Milani, ndërkohë që skuadrat e Interit e Lazios, deri tani janë shfaqur më këmbëngulëse në tratativat me Veronën për të përfituar shërbimet e tij.