Studimet në fazat e fundit të vaksinës së mundshme të kompanisë AstraZeneca për COVID-19, janë pezulluar përkohësisht ndërsa kompania heton nëse një sëmundje “e pashpjegueshme” e një vullnetari që ka marrë vaksinën, ishte një efekt anësor i saj.
Në një deklaratë të martën në mbrëmje, kompania tha se “procesi i saj standard i kontrollit, shkaktoi një pauzë të vaksinimit për të analizuar të dhënat e sigurisë”.
AstraZeneca nuk nxorri ndonjë informacion për efektin e mundshëm anësor përveçse e quajti “një sëmundje mundësisht të pashpjegueshme”.
Faqja e lajmeve shëndetësore STAT ishte e para që njoftoi për ndaljen e testimit, duke thënë se efekti i mundshëm anësor kishte ndodhur në Britani.
Një zëdhënës i kompanisë AstraZeneca konfirmoi se ndalja përfshin provat me vaksina në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera. Muajin e kaluar AstraZeneca filloi të rekrutonte 30 mijë vetë në Shtetet e Bashkuara për studimin më masiv të saj për këtë vaksinë. Ajo po bën prova të kësaj vaksine të zhvilluar nga Universiteti Oxford gjithashtu tek mijëra vetë në Britani dhe në grupe më të vogla në Brazil dhe Afrikën e Jugut
Dy vaksina të tjera janë fazat përfundimtare në Shtetet e Bashkuara, një nga Moderna Inc. dhe një tjetër nga Pfizer dhe nga BioNTech e Gjermanisë.
Pezullimet e përkohëshme të studimeve masive mjekësore nuk janë të pazakonta dhe hetimi i çdo reaksioni serioz apo të papritur është pjesë e detyruar e masave të sigurisë së testimit. AstraZeneca tha se është e mundur që problemi mund të jetë një koinçidencë. Sëmundje të ndryshme mund të dalin në pah në studime me pjesëmarrjen e mijëra vetëve.
Nëntë shefat ekzekutivë të kompanive që po konkurrojnë për të zhvilluar një vaksinë për koronavirusin deklaruan bashkarisht të martën se nuk do të kërkojnë miratimin e organeve rregullatore të qeverisë amerikane derisa të arrijnë fazën e tretë të testimit të sigurisë së vaksinës.
Deklarata vjen ndërsa Presidenti Donald Trump ka sugjeruar se mund të ketë një njoftim për një vaksinë të suksesshme përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 3 nëntorit. VOA