MENU
klinika

Për herë të parë pas 31 vitesh

Prezantohet letra origjinale e shenjtës Terezë për Ramiz Alinë

04.09.2020 - 19:32

“Unë ja kam dhan besën a shqiptarit Zotit me prue dashni and pagje mbi gjithë botën”. Me këto fjalë në gjuhën shqipe, shenjta Terezë do t’i drejtohej 31 vite më parë, në 29 tetorin e 1989-s, Presidentit të kohës, Ramiz Alia.

Në Qendrën për Hapje dhe Dialog u prezantua sot për herë të parë në kuadër të 4-vjetorit të shenjtërimit të Shenjtës Terezë (5 shtator 2016 në Vatikan), letra e saj në origjinal e shkruar me disa fragmente në gjuhën amtare, nën praninë e kryeministrit Edi Rama dhe studiuesve të historisë dhe përfaqësuesve fetarë.

“Shenjta Tereza e vizitoi për herë të parë Shqipërinë në gusht të 1989-s, e mbaj mend sesa shumë emocion, përzier me kuriozitet të madh, kishte zbarkimi i saj në Tiranë dhe pse mundësia për ta ndjekur pas në hapat e saj nuk është ajo që është sot. Të gjithë ishim krenarë dhe shumë të përfshire nga ajo vizitë”, thotë ndër të tjera kryeministri Edi Rama, teksa e cilëson si një sukses të qeverisë së tij nxjerrjen në dritë të kësaj letre që kishte 31 vite në Arkivin e Shtetit.

“Letra e saj e tetorit të vitit 1989 ka qenë e papërpunuar në Arkivin e Shtetit. Përpunimi i arkivit të asaj kohe ka përfunduar vetëm në 2020-n. 30 vjet për të përpunuar një thesar informacioni, duke iu referuar dokumenteve autentikë. Nga këto letra, ajo e tetorit 1989 bëhet e ditur vetëm tani së fundmi. Dy letrat e tjera, njihen gjerësisht”, thotë më tej Rama gjatë hapjes së ekspozitës në COD. Ai zgjodhi fjalët e saj edhe për të përshkruar edhe procesin e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.

“Kemi zemër për të dashur dhe duar për të shërbyer”, fjala e duhur për të përshkruar këtë përpjekje që synon që t’i kthejmë në shtëpi ata që patën fatkeqësinë të humbasin strehën në atë natë tragjike”, tha kreu i qeverisë.

Janë tri letra me kreun e shtetit shqiptar të asaj periudhe, që rrëfejnë dhembshurinë dhe dashurinë e Shenjtës Terezë për të varfëritë, por dhe për kombin pjesë e së cilit ishte. Shenjta Terezë e Kalkutës u lind në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Për herë të parë në gusht të vitit 1989 vizitoi Shqipërinë. Ndërsa, sot është gruaja më e shquar shqiptare edhe njihet në mbarë botën, si shembull i jashtëzakonshëm për misionin e saj të bamirësisë, ndaj më të varfërve të botës, pa dallim race, feje, kombësie dhe përkatësie shoqërore. Shenjta Terezë u shua në 5 shtator të vitit 1997.

Në Qendrën për Hapje edhe Dialog është ekspozuar dhe një fotografi e vizitës së Shën Terezës në vitin 1991 në Shkodër, e realizuar nga fotografi francez Michel Setboun. Ekspozita do të qëndrojë hapur në datë 5 shtator në COD nga ora 9. në orën 21.00.