Kuqezinjtë janë kthyer në Shqipëri pas fitores 2-0 në Bjellorusi dhe do të nisin sot seancat stërvitore për ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve, atë ndaj Lituanisë më 7 shtator në “Air Albania”.
Në konferencën e sotme për shtyp ishin dy protagonist të fitores së mbrëmshme, Odise Roshi dhe Bekim Balaj, teksa kanë folur në lidhje me ndeshjen e radhës të Kombëtares.
Fieraku Odise Roshi u shpreh se ekipi është mirë fizikisht, ndërsa sa i përket kundërshtarit të radhës më mirë do jetë që të flasë fusha, ndërsa shtoi se kërkon të luajë nga minuta e parë, por këtë e di trajneri.
Sa është gati skuadra fizikisht?
“Ekipi është shumë mirë derisa fitoi 0-2. Bjellorusia nuk ka bërë pauzë dhe ne fituam. Jemi mirë edhe fizikisht dhe të shohim ndeshjen e radhës, por t’ia lëmë fushës. Me rëndësi është fitorja, po fitove je në rregull”.
Jeni gati për minutat e plota, qoftë edhe jashtë rolit?
“Është e njëjta pyetje. Por, unë bëj më të mirën dhe dua të luaj nga fillimi. Por, ne luajmë për veten, familjen dhe të gjithë shqiptarët. Jam gati kudo”, – u shpreh Roshi.
Sakaq, Bekim Balaj shprehet se tashmë pa tifozë, gëzimi i një goli është më pak i bukur. Gjithsesi, shkodrani thotë se veshja e fanellës kuqezi përbën cdo herë emocion më vete.
Sa e rëndësishme ishte fitorja në Bjellorusi?
“Ishte një fitore e rëndësishme për ne, jashtë fushe. Na jep moralin e duhur. Jemi në rrugën e duhur. Nuk kemi shumë kohë të gëzohemi. Le të mendojmë për tre pikët e radhës”.
Do të doje të aktivizoheshe nga fillimi?
“Dëshira është e të gjithëve që të luajmë si titullarë, por kjo nuk varet nga ne. Në fund fituam dhe na kënaq të gjithëve. Pak rëndësi ka sa minuta sa na jepet mundësia. Unë jam i gatshëm të jap maksimumin”.
Do doje të kishe shënuar…?
“Dëshira të shënosh për ekipin kombëtar është e madhe. Ende nuk kemi arritur të gëzohemi me gol në stadiumin tonë të bukur. Mungojnë edhe tifozët dhe gëzimi është pak më i vogël pas një goli. E rëndësishme është ta fitojmë këtë ndeshje, pastaj kush shënon nuk ka shumë rëndës” – tha ndër të tjera Balaj.