U bë futbollisti i dytë që arrin 100 gola ose më shumë me kombëtaren, teksa Cristiano Ronaldo shënoi dy gola mbrëmë, ndaj Suedisë, duke e parë veten tashmë më tepër se “një shekull”, sa iu takon golave me Portugalinë.
Më konkretisht, me dopietën e fundit, 35-vjeçari ngjitet në kuotën e 101 golave me luzitanët. Vetëm 8 gola e ndajnë yllin e Juventusit nga rekordi botëror në këtë drejtim, që mbahet nga legjenda iraniane, Ali Daei.
Në foto-grafikët më poshtë mund të njiheni me detaje se kundër kujt i kanë shënuar golat me kombëtaret dy yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Ronaldo dhe Messi, dominues total të këtij sporti në gati 15 vitet e fundit, në çdo drejtim.
Në raport me rivalin e madh të krejt karrierës, CR7 është shumë më lart në këtë aspekt. Lionel Messi ka shënuar 70 gola me Argjentinën, ose 31 gola më pak se Ronaldo. Një hendek që nuk ka asnjë shans të zhduket, ndaj këtë lloj përballjeje, kapiteni e Albiceleste e ka të humbur.
Natyrisht, ka rekorde të tjerë për t’u mburrur, sidomos në nivel klubi. Ne si shqiptarë e kemi “shijuar” golin e Messit në miqësoren e para disa viteve, ndërsa Cristiano Ronaldo nuk ia ka dalë dot ta prekë rrjetën e portës kuqezi, në disa ndeshje, të vlefshme për kualifikuese Europiani apo Botërori.