MENU
klinika

Kontaktet me Covid-19

Shtyhet samiti i BE, ja çfarë i ndodh presidentit të Këshillit Europian

23.09.2020 - 09:17

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, është izoluar menjëherë pas kontaktit me një person të infektuar me koronavirus dhe për këtë arsye samiti i udhëheqësve të Bashkimit Evropian i planifikuar për të enjten dhe të premten është shtyrë.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i këshillit të Bashkimit Evropian, Barend Leyts, nëpërmjet një postimi në Twitter, ku shkruan se Michel është testuar rregullisht dhe të hënën ka rezultuar negativ.

Por presidenti i KE planifikon të respektojë rregulloret e Belgjikës për koronavirusin dhe është vetëizoluar.

Ndërkohë, samiti i planifikuar tani për 1-2 tetor, do të përqëndrohet në një larmi çështjesh duke filluar nga negociatat e Brexit-it, deri te ndryshimi i klimës dhe tensionet midis Greqisë dhe Turqisë për të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjitike në zonën e detit Mesdhe që ndodhet në lindje të Qipros. Miratimi përfundimtar i sanksioneve kundër Bjellorusisë në lidhje me shtypjen e protestave pas zgjedhjeve të kontestuara të muajit të kaluar pritet të jetë gjithashtu në fokus të samitit.

Charles Michel, ish-kryeministër belg, shpenzoi pjesën më të madhe të javës së kaluar në përpjekjet diplomatike mbi çështjen e Turqisë, duke përfshirë udhëtime në Qipro, ishullin grek të Lesbos dhe Athinë.