MENU
klinika

Rrëfimi i ish-të dënuarit që u arratis në 85-ën

“Si e njoha Sherif Merdanin në burgun e Tiranës dhe ç’më tha”

02.09.2020 - 11:15

Publikohen pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Si e njoha Sherfif Merdanin në burg?

Në “Kaushin” tonë, me më tepër se 17-18 të burgosur, disa flinin në çimento. Më pas sikur u lehtësuam pak, pasi çdo javë vinin pleq të sëmurë nga spitali i burgut dhe ata s’prisnin më tepër se një javë, sepse Autoburgu mbushej me të burgosur ordinerë. Kampi i Ballshit ishte i ndarë më dysh, ordinerë dhe politik. Të burgosurit politik të kampit të Ballshit, pjesa më e madhe ishin pleq. Të rinjtë i çonin në Spaç, për të punuar në minierën e bakrit, kështu që unë prisja të vinin të burgosur të tjerë për të mbushur Autoburgun.

Ditën tjetër, u hap dera dhe brenda hyri një djal i ri, i cili të linte përshtypjen se sa kishte mbaruar ushtrinë. Dukej i gëzuar që shifte njerëz. Na përshëndeti e na tha se e quanin Sheme dhe ishte nga rrethi i Tepelenës. “Mos u mërzit”, më tha Tanushi, tani u bëtë tre për në burgun e Spaçit”, vazhdoi ai që e dinte se unë nuk e duroja dot atë errësirë të qelbur nga tymi i duhanit që pinin të burgosurit.

Të nesërmen u hap përsëri dera dhe polic Skënderi, urdhëroi të futej brenda i burgosuri i ri që u shfaq në krah të derës. I burgosuri i ri, na përshëndeti: “Mirë se ju gjej shokë”, tha me buzëqeshje. Ai ishte një djalë i ri elegant, i veshur me rroba të modës së fundit, flokët kishin filluar t’i binin dhe aty këtu dukeshin thinja të parakohëshme. Pa na u dhënë mundësia të pyesnim se kush është ky djalë, ai tha: “Jam Sherfif Merdani, besoj se keni dëgjuar këngët e mija”, foli ai duke zgjatur dorën të bënte toka me të gjithë.

Unë isha shtangur në qoshen time, nuk i besoja syve të mij. Tanushi, gjithnjë i gatshëm për të mirseardhurit e rinj, zbriti nga krevati i tij në katin e tretë, e ngushëlloi Sherifin dhe shpejt e shpejt, i poqi një kafe. Një ditë më parë, unë me Tanushin, diskutonim për këngën e “Nënës”, që jepte radio e burgut në kohën që ishim në korridor për të shkuar në ËC. Tanushi më tha: “Në mos gabohem, këtë këngë e këndon, Sherif Merdani”, “Jo’, ja ktheva unë, ‘ky këngëtar që këndon, është Tonin Tërshana”, e kundërshtova Tanushin, sepse e njihja shumë mirë, zërin e ëmbël të Sherif Merdanit. Tanushi mënjëherë hyri në muhabet me Sherfin, duke i thënë se një ditë më parë, grindej me mua, se kush e këndonte këngën e “Nënës”. “Unë e kundërshtoja Kasemin, ai ka të drejtë”.

sherif merdani1

Sherifi na tregoi dramën e tij. Pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion, Sherifi punonte në rrethin e Librazhdit ku ishte mësues në gjimnaz. Festivali i 11 i Këngës që u zhvillua në dhjetor 1972, bëri bujë të madhe dhe u mirëprit nga publiku shqiptar, për muzikën e bukur, këngët që më tepër i këndohej dashurisë dhe jo Enverit e Partisë! Por pak ditë më pas, Festivali u kritikua nga vetë Enveri, si një festival me muzikë dekadente. Menjëherë, diktatori mbajti Pleniumin e IV-të të Komitetit Qëndror të PPSH-së, ku ai fillimisht kritikoi Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Radio-Televizionin, etj. Më pas dënoi më burgime të rënda shokët e tij: Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, si dhe Mihal Luarasin e shumë shkrimtarë dhe artistë të tjerë. Një nga këta viktima, ishte dhe Sherif Merdani, që tani ndodhej i mbyllur në këtë “Kaush” të errët. Për mua Sherifi ishte një yll i këtij festivali dhe do të mbetej i tillë. Mund të them pa hezituar, se ardhja e Sherifit më dha kurajo, ndjeva se nuk isha vetëm në këtë botë. Megjithse jetonim momente tepër të vështira të jetës, ky njeri më ngjalli me kurajon e tij, me optimizmin e tij, sikur ta dinte se ky nuk do ishte fundi.

Ai këndonte, vërshëllente, duke më thënë: “Mos u mërzit Kasem, do të ketë ditë të mira dhe për Ne”. Sherifi nuk kishte hidhërim në zemrën e tij, por tinguj hyjnor muzike që mbanin shpresën gjallë, jo vetëm të Sherifit, por të gjithë atyre shokëve që e rrethonin. Çdo ditë e dëgjoja me ëndje këtë njeri, që unë e quaja “Gjeni”. Ndjehesha tepër i gëzuar, që pata rastin ta njihja.

Me 6 nëntor, aty nga ora 10 e mëngjezit, polici hapi derën dhe me një listë në dorë, lexoi emrat e të burgosurve: Qani Çollaku, Lavdosh Sheme, Kasem Hoxha, Sherif Merdani dhe nja dy të tjerë, e urdhëroi që të merrnim plaçkat dhe të dilnim në korridor të burgut. U gëzuam që po dilnim nga ky varr, por nuk e dinim që do të shkonim në një varr, akoma më të tmerrshëm.   Na lidhën dy e nga dy me hekura, mua dhe Sherfin na lidhën së bashku.Sherfi si gjithnjë në gjëndje të mirë shpirtërore, më pëshëpriti në vesh: “Po na çojnë në Spaç”, dhe vazhdoi: “Mos u mërzit Kasem, aty është dhe kushëriri im, Ylber Merdani….”.

Sherifi, gjatë më tepër se dy javëve në burgun e Tiranës, më tregoi për dramën e jetës së tij. Regjimi komunist i Enver Hoxhës, i burgosi babanë dhe nënën e tij, e gjithë fisnin e Merdanajve, për të vetmin “faj”, sepse ishin njerëz të pasur. Sherifi me vështirësi mbaroi studimet, por regjimi i dha punë në një vënd të pazhvilluar, më tepër për ta izoluar këtë talent, por megjithatë, Sherifi shkëlqeu. Dhe tani diktatori po e fuste në varr të gjallë, për ta shuar përjetë atë zë aq të ëmbël. Pas më tepër se tre orësh udhëtimi me atë makinë burg, ku nuk kishte asnjë vrimë për ajrim, arritëm në Spaç. Ne të lidhur prisnim të përziheshim me turmën.

Na zgjidhën hekurat dhe oficeri i rojës, Jovan Andoni, i dha urdhër policit, Pjetër Kokës, të na fusnin në burgun e madh, ku asnjë nuk dukej në oborr. Pas Revoltës së 21 majit, të atij viti, burgu ishte nën një regjim të rreptë, torturues. Të burgosurit ishin të detyruar të qëndronin në rresht me orë të tëra, për të dëgjuar veprat e Enver Hoxhës dhe normën e rëndë të punës në minierë, që ata e quanin “cikël të punës”.

Pejsazhi i Spaçit, kur dola nga makina burg, më tmerroi! Malet me nje ngjyrë të errët plumbi, e rrethojnë nga të katër anët këtë gropë me emrin Spaç. Në të vërtetë, zoti kish ndërtuar aty një burg natyral, duke i ardhur në ndihmë Enver Hoxhës për punët e tij kriminale. Syri nuk të shihte asnjë gjethe të gjelbër në atë pejsazh të zymtë dhe tepër të shkretë. Nga çdo anë që të hidhje sytë, shihje gremina dhe korba të zeza. Përroi që kalonte ndën burg, sillte ujë ngjyrë kafe në të verdhë nga aciditeti i minierës. Nja dy shtëpi në brinjën e përtejme të malit, sikur i jepnin jetë kësaj zone të vdekur. As në pranverë nuk shihje dhe nuk dëgjoje këngë zogjsh, vetëm ulërimën e ujqërve, të egërsirave që përziheshin me britmën gjithë të shara ofenduese të policëve katil, mirditor.

Ecja hap-trembur bashkë me Sherifin dhe shokët e tjerë, duke zbritur shkallët në drejtim të burgut varr. Polici Pjetër Koka, na printe përpara. Burgu ishte ndërtuar në një terren shumë të pjerrët. Ka një shesh nja 30 metra të gjatë dhe 8 metra të gjerë përpara burgut, dhe po një të tillë që shërben si fushë volejbolli pas burgut. Dy ndërtesa nga tre kate secila me një gjatësi nja 50 metra, me 24 kaushe, të cilët mbyllnin brenda më tepër se 1500 të burgosur. Para ndërtesave tre katëshe, ishte ËC, banja, guzhina private dhe pranë portës të daljes për punë, depua e rrobave të punës, kurse në krah barakja që ne e quanim “Berberhane”.

Polici na çoi tek depua e rrobave, na dhanë nga dy batanie të vjetra, xhaketa dhe pantallona ngjyrë kafe, nga një kapotë të vjetër, nga një palë opinga llastiku, e tesha të brendëshme.

Zyra Teknike, që drejtohej nga disa të burgosur spiun të regjimit, si Kujtim …,Loli…., Hajdar…, e kishin bërë planin se në cilën zonë të minierës do të punonin ne të sapoardhurit. Mua dhe Sherifin na çuan në katin e dytë, dhoma nr.7, brigadë që drejtohej nga i burgosuri spiun Besnik…! Sa hymë në kaush, të burgosurit na pritën me shumë dashamirësi. I vumë rrobat që mbanim në dorë në krevatat bosh dhe u përshëndetëm me të gjithë sa ishin brenda në kaush, duke u prezantuar se kush ishim dhe nga çfar zone të Shqipërisë ishim.

Erdhën të burgosur dhe nga dhomat e tjera për të më takuar, më i interesuari ishte Behar Kodra, ky ishte ai që shpërndante lajmin në të burgosur, kush vinte e kush ikte, bile u tregonte të burgosurve se çfar supe gatuhej në guzhinë për drek. Të burgosurit e dhomës na ndihmuan të rregullonim krevatët sipas rregullores. Brigadieri na tregoi rregullat e burgut. Unë zura vend në katin e dytë, në krah të majtë flinte një burrë i shëndoshë me mustaqe të zeza e quanin, Zeqir Alia, në të djathtë një burrë mesatar që i kishte kaluar të dyzetat, tullac, e quanin Zydi Hoxha.

Në dhomë ishin më tepër se 40 të burgosur, dhe Gjin Marku, hyri brenda duke i sharë të burgosurit e u tha: “Shkoni në krevatin tuaj!” Ai e pyeti brigadierin e burgut nëse na e bëri të qartë rregulloren e burgut dhe të punës. Brigada e Besnik Q… ishte turni i tretë atë javë dhe ai na tha: “Tellalli e bën zgjimin në orën 10 të darkës, me shpejtësi do rreshtoheni në fushë pas burgut, pasi të jenë rreshtuar të gjithë, do na jepet darka, pas ushqimit duhet të përgatiteni për punë, të rreshtoheni në tarracë.

Në orën njëmbëdhjetë, do hyni në galeri, duhet që të realizoni normën, përndryshe, do dënoheni në birucë, deri në një muaj izolim! Në orën 7 të mëngjesit do kthehemi përsëri në burg, duhet të bëni shpejt e shpejt nevojat tuaja personale, do të rreshtoheni po në të njëjtin vend, që të hani mëngjesin. Pas mëngjesit, tellalli do të flas për apelin e përgjithshëm të burgut, duhet me shpejtësi të rreshtoheni sipas brigadave në tarracë. Pasi të mbarojë apeli, turni i tretë shkon të flejë, kurse turni i dytë dhe “papunësia”, rreshtohen në fushë mbas burgut, ku lexohen veprat e shokut Enver për katër orë (që ishte me të vërtetë një torturë e tmershme, pasi për 4 orë duhesh të rrije në shi, në borë dhe në vapën e korrikut të dëgjoje A. Xh. dhe Paulin V…, këta ishin lexuesit e veprave).

“Në orën 3 pas dite, bëhet zgjimi i turnit të tretë dhe përsëri do hash drekën, do presësh apelin e mbrëmjes, do lexohen veprat e shokut Enver nga ora 4 deri në orën 8 të mbrëmjes, dhe në orën 10, do të shkosh përsëri në punë”, përfundoi brigadier Besnik Q…. Siç dukej në këtë rregullore s’kishim kohë as të bënim sh….!

Në dhomë na erdhën vizitorë! Sherifit i erdhi kushëriri i pare, për ta takuar, Ylber Merdani nga Korça, kurse mua një fshatar nga Verva, Xhemal Bali, me një shokun e tij Feti Kumanaku, nga Fieri. Ata më sollën pak ushqim, duke më siguruar se të dielën që ishte ditë pushimi, do bisedonim për gjithçka. Xha Rexhua më tha në burg të Tiranës, se: në Spaç do gjesh Xhemal Balin, ky kishte më tepër se 15 vjet i mbyllur në burg, por që dukej fare mirë nga gjendja shëndetësore, mosha e tij e re, megjithse ishte 36 vjeç dukej më i ri.

Atë natë unë me Sherifin shkuam turni i tretë, na caktuan të bënim punën e minatorit, një punë shumë e rëndë dhe me rrezik të madh. Kur më gëlltiti gryka e galerisë gjithë tym me gazra helmuese, mendova se ky ishte fundi. S’kisha fare forcë në krahët e mi të dobësuar nga torturat dhe uria. Hidajet Vesho, do më instruktonte si ta përdorja martelin për të hapur 10-15 vrima për minat. Fronti i galerisë ishte tepër larg dhe në dorë ne mbanim kandilat e karbitit për të ndriçuar errësirën. Në grupin e punës ishin tre vetë, dy punëtort e ngarkimit të materialit dhe minatori.

“Cikli i punës është ky”: (më tregonte Hidajeti). “Këtë plasie duhet ta pastroni, besoj se do jenë nja 12-14 vagona material, (bakër) pasi ta kesh pastruar, do do vendosësh 2 deri në 4 pal trupa për sigurimin e galerisë dhe pastaj do të hapësh vrimat në front për plasjen. Këtë duhet ta realizosh çdo ditë, tani na shiko neve se si punojmë, nesër je vetëm”, përfundoi Hidajeti instruktazhin dhe ju përvesh punës me të dy shokët e grupit, Zeqirin dhe Hajrinë. Unë shkova pas Hidajetit, ai do më tregonte se si do t’i përgatisja trupat e drunjtë për sigurimin e frontit të galerisë që mos të shëmbej.

Ai më tregoi si t’i vendosja, si t’i siguroja mos të rrëzoheshin nga plasja e minave. (Po ju paraqes me skicë se si duket një palë me trupa druri). Unë duhet të përgatitja tre-katër palë për çdo ditë, për çdo cikël pune ose për ndryshe përfundoja në qelitë e izolimit. Zeqiri me Hajrin ishin punëtor të mirë, djersa u kullonte rrëke, megjithëse i kishin hequr rrobat gjysëm lakuriq në këtë nxehtësi më tepër se 40 gradë, kur ata e pastruan, Hidajeti filloi të vendosë trupat e pregatitura. Na kishin mbetur akoma dhe tre orë për të vendosur trupat dhe të bënte vrimat e minave.

Hidajeti më jepta disa këshilla tepër të vlefshme, ai më tha: “Mundohu të fillosh bërjen e brimave më parë se të tjerët”! ”Për ç’arsye e pyeta unë? “sepse bie presioni i ajrit dhe ti do të rrish me orë të tëra mbi ‘Martel”, (pistoletë ajri) ma ktheu ai. Dhe me të vërtetë, Hidajeti i vendosi trupat menjëherë, mori pistoletën për hapjen e vrimave dhe për një gjysëm ore i mbaroi. Vrimat duhet të ishin më tepër se 60 cm., përndryshe policët që vendosnin minat, nuk i pranonin! Hidajeti e mbaroi ciklin e punës një orë para afatit. Ai më çoi në një vend në galeri ku dilte shumë ujë. Ujë me acid, jo i mirë për të pirë dhe me atë ne lamë pak sytë dhe fytyrën e pluhërosur. Nga galeria duhej të dilnim jashtë në orën 7 të mëngjesit, po në këtë kohë turni i pare, do hynte në galeri./Memorie.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kujtesë për memorjen e kombit

Sherif Merdani, diplomati i burgosur i muzikës

Kompozitori rrëfen festivalin e famshëm

“Tani që u bëra familjar, nuk shkoj në Shëngjergj”


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!