MENU
klinika

Nga Bedri Islami/ Kush përfiton nga publikimi i “dosjeve të Hagës” në Kosovë?

Si është e mundur që thasë me dokumente sekretë bëhen befas pronë e njerëzve të panjohur?

25.09.2020 - 07:25

Tri herë rradhasi, si të ishin duke shpërndarë tranguj, në selinë e Veteranëve të UÇK-së, njerëz të panjohur!!! dorëzojnë thasë me dokumenta, më saktë, dosje të veçanta, mijëra sosh, të cilat pretendohen se janë nga Prokuroria Speciale dhe Dhomat e Specializuara të Gjykatës Ndërkombëtare për krimet e supozuara të Luftës në Kosovë, vetëm nga ana e luftëtarëve shqiptarë.

Askush nuk e di nëse këto dosje janë të sakta, por i gjithë debati është përqëndruar nëse dalja e tyre, e për më tepër publikimi, që nëse bë[het nga media apo struktura në Kosovë mund të jetë i dënueshëm, i kanë bërë apo keq të akuzuarve, i sjellin dëm apo dobi procesit, e mbrojnë apo e diskreditojnë atë.

Të gjithë figurat politike të akuzuara, dhe tani, sipas rrjedhjes së informacionit nga media jashtë Kosovës, është thuaj i gjithë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, janë të bindur se kjo e dëmton mbrojtjen e tyre, krijon një ngërç mes të drejtës së tyre për t’u mbrojtur dhe asaj që do të kërkojnë prokurorët, mbrojtjen e identitetit të dëshmitarëve të mbrojtur; do i bëjnë seancat më memece dhe do i vendosin përballë të akuzuarve një mur ndarës mes të drejtës për t’u mbrojtur dhe hapësirës që mund të kishin në kushte të tjera.

Ndërsa debati është në këtë rrjedhë dhe zëdhënës të Hagës kërcënojnë se dalja e të fshehtës do të ketë ndëshkim të rreptë, nuk janë bërë dy pyetjet më të duhura:

Kush i nxori dosjet, nga cila strukturë dolën ata, si është e mundur që thasë me dokumente tepër sekret bëhen pronë e njerëzve të panjohur, si është e mundur që, megjithëse këto “të panjohur” paralajmërojnë që pas herës së parë se do të sjellim edhe dosje të tjera, asnjë shërbim nuk lëviz nga vendi e për tepër, as strukturat e specializuara të EULEX-it, si për të dashur të sjellin një dëshmi se dalja e tyre nuk është pa lejen e ndonjë sektori që e kërkon me patjetër dënimin e liderëve politikë apo ushtarakë të UÇK-së, njollosjen e kësaj lufte domosdoshmërisht, linçimin e mendimit ndryshe për figura të veçanta apo sjellje dëmtuese në një kohë të caktuar, gjurmimin e gërmimin deri në imtësira që mund të jenë të çastit dhe dënimin në bllok të një strukture që, mirë a keq, luajti rolin e saj të ndjeshëm në përballjen e situatës dhe të gjenocidit të zhvilluar në Kosovë.

Kush është i interesuar për shfaqjen e dosjeve, publikimin e heshtur të tyre, të cilat, si duket shpejt janë përcjellë në shtetin shqiptar ku dora e Dhomave të Specializura nuk zgjatet edhe aq shumë; kush kërkon të krijojë domosdo një alibi se dëshmitarët janë të kërcënuar, se jeta e tyre rrezikohet, se dëmtimi i një procesi nuk është bërë pa e ditur edhe të tjerë, më lart se një organizatë vullnetare si ajo e Veteranëve të UÇK-së?

E fshehta e zbukuruar haptas, por e ditur prej kohe dëshmoi se mes Dhomave të Specializura dhe prokurorisë serbe ka pasur bashkëpunim të habitshëm, më shumë se sa është menduar, se ndikimi i hetimeve serbe – dhe dihet se si të heton një prokurori që ishte deri në vitin 1999 palë me krimin – ka qenë tej çdo parashikimi dhe se, ashtu si e kanë përgatitur Dik Martin, është e mundur që të kenë përgatitur edhe aktet e akuzës së tashme.

Megjithëse koha e hetimit të përcaktuar me vendim të parlamentit të Kosovës ka një fillesë, vitin 1998, përse prokurorët dhe hetuesit kërkojnë dosjet e plota që nga aksionet e para të UÇK-së, gjykimet që i janë bërë grupit të Drenicës, gjyqin e njohur kundër Adem Jasharit, Thaçit, Rexhep Selimit, i cili herë del në listën e antarve të Shtabit të akuzuar e herë të tjera ,jo – -përse janë ” thelluar” në akte që nuk lidhen me kohën kur kanë të drejtë të hetojnë?

Është e vërtetë se kohët e fundit, sidomos pas dorëzimit “të fshehtë” të dosjeve, ka reaguar edhe prokurori special serb, i cili e ka pranuar se bashkëpunimi mes tyre dhe Dhomave të Specializuara ka qenë i lartë, i suksesshëm, dhe kjo, megjithëse dihej, përmasat janë të habitshme. Ndërkohë që nuk ka pasur, veçse fare pak, bashkëpunim me strukturat e specializuara të Kosovës. Mijëra dosje të krimit serb dhe të genocidit të organizuar shtetëror nuk janë marrë fare në duar, masakra të llahtarshme janë nënvlerësuar, pasi, më interesant është akuzimi i disa liderëve politzikë dhe ushtarakë, se sa faktimi i të vërtetës në një luftë, ku dispropocioni mes të vrarëve civilë në Kosovë me të zhdukurit serbë, disa nga të cilët ende jetojnë dhe mund të jenë nesër dëshmitarë të mbrojtur, është të paktën 1 me 500…

Dosjet e dorëzuara e kanë një vend ku kanë qenë të ruajtura: selitë e Dhomave të Specializuara në Kosovë dhe në Hagë. Ata kanë qenë nën kujdesin intensiv dhe ruajtjen e rreptë të organeve të specializuara. Është e vështirë të perceptohet se ata janë vjedhur apo grabitur me makina, sepse nuk është fjala për një, dy a dhjetë dosje, por për mbi 4 mijë të tilla…

Nëse këto Dhoma nuk kanë qenë të afta të ruajnë një sekret kaq të madh, që ka të bëjë me jetë njerëzore, si mund të besohet në efikasitetin e tyre?

Nëse mes tyre dhe prokurorisë serbe ka pasur një bashkëpunim kaq të madh, tepër të madh, a nuk bie besimi në ndershmërinë e hetimit dhe të saktësisë së tyre?

A ka qenë e rastit që kryeprokurori ndërkombëtar, i ardhur nga Italia, për të hetuar krimet e luftës në Kosovë, menjëherë, pas dorëzimit të detyrës, bëhet zëvendës i prokurorit special SERB për hetimin e këtyre krimeve dhe bota e civilizuar e pranon këtë devijim kapital?

A ishte e rastit që një Haakerup, holandez, në detyrën e shefit të UNMIK-ut në Kosovë, fliste tërë qejf për krimet ndaj serbëve, pa dhënë asnjë shembull të vetëm, ndërsa një herë nuk fliste për krimet serbe në Kosovë?!!

Kush e përbuzte Srebrenicën dhe kërkonte përsëritjen e saj në Kosovë, që në fakt u përsërit, por në fshatra e mjedise të ndryshme?!!

Nuk kam dyshuar deri tani, por dalja kaq galopante, në këto përmasa, kaq haptas, si një kronikë e paralajmëruar, të shpie në dyshime të arsyeshme se, jo në Kosovë, por jashtë saj, kanë qenë të interesuara për daljen e tyre dhe se presioni i tashëm për mospublikim i ngjet asaj që populli thotë, “si kofini pas të vjelave”.

Nëse liderët politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, edhe jashtë vendimit të parlamentit, ku përcaktohet qartë se nuk ka gjykime kolektive apo në strukturë, por vetëm individuale, mbajnë përgjegjësi për keqtrajtimin e të burgosurëve, vrasjet që mund të kenë ndodhur, të dënueshme këto, a nuk duhet edhe strukturat e larta të Dhomave të Specializuara të mbajnë përgjegjësi për vartësit e tyre, të cilët nuk japin besimin e merituar, kur, edhe pse nën një rrethim të shumëfishtë, nuk janë në gjendje të ruajnë dosjet sekrete, të cilat jo një a dy, por me thasë, njëri pas tjetrit, dorëzohen në një institucion që nuk ka fare lidhje me to.

Akuzimi, hetimi, ndoshta arrestimi e gjykimi i kupolës drejtuese të UÇK-së, nëse do të ndodhë, sado të thonë se nuk e kanë me luftën e UÇK-së, është akuzë ndaj gjithë asaj, pasi, si mendohet, në listën e mundshme të akuzës janë shumë më tepër se pesë vetë a gjashtë….

UÇK-ja është një ndër ato rastet që dëshmon se historia mund ta kthejë rrugën e vet nga vendosmëria e një strukture dhe të disa njerëzve që i prijnë asaj.

25 vite para se UÇK-ja të shpallte praninë e saj janë hedhur themelet e këtij organizmi dhe shumë gjak është derdhur në themelet e saj.

Asnjë gjykatë nuk e zhbën këtë, edhe kur ata porositin “miell” hetues serb, për të bërë bukë të denjë europiane!

Mision i pamundur!

Kohë e vështirë ka ardhur. Lum ata që do të mund ta përballojnë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Thaçi reagon për publikimin e dosjeve të rrjedhura në Hagë

“Mund t’i përdorin si pretekst. Do na dëmtojnë mundësinë…”