MENU
klinika

“Nuk doja të përhapja panik”

Trump e dinte që në fillim rrezikun e COVID por gënjeu me dashje publikun

17.09.2020 - 16:11

Një artikull i drejtuesit të revistës së njohur shkencore “Science” bëri bujë të madhe javën e kaluar. Artikulli i editorit të gazetës, H.Holden Thorp, paraqeste prova që Presidenti Trump dinte që në fillim shumë më tepër për COVID-19 sesa i paraqiti publikut amerikan.

Në një intervistë për Wired, Thorp është pyetur se përse, sipas tij, Trump bëri deklarata të rreme rreth virusit, ndërkohë qe e dinte edhe vetë se nuk po thoshte të vërtetën.

Ai u përgjigj se Trump po i bënte ato deklarata me qëllim.

“Të gjitha gjërat që Trump dhe zëvendësit e tij thanë rezultojnë që nuk janë thjesht “gabim”. Ata i dinin faktet gjatë gjithë kohës. Ato çfarë Trump tha ishin gënjeshtra të mbjella me dashje nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Thorp.

Akuzat u bazuan mbi ato që shkruhen në librin e ri me autor Bob Woodward ku janë zbardhur një numër i madh regjistrimesh telefonike që autori ka patur me Trump.

Në këto regjistrime Presidenti pranon se e ka minimizuar me dashje rrezikun nga koronavirusi.

Në libër, autori Woodward thotë se Presidenti Trump e dinte që në muajt e parë të 2020-ës se çfarë kërcënimi vdekjeprurës paraqiste për Shtetet e Bashkuara koronavirusi, por me qëllim dha informacione jo të sakta për publikun amerikan dhe minimizoi seriozitetin e sëmundjes.

Sipas zbardhjes së një telefonate, Trump i tha Woodward-it në shkurt se virusi ishte më vdekjeprurës se gripi.

Më 19 Mars, ndërsa kriza amerikane e koronavirusit filloi dhe Shtëpia e Bardhë e shpalli atë një emergjencë kombëtare, presidenti i tha Woodward: “Edhe tani më pëlqen të shtirem, sepse nuk dua të krijoj panik”.

I njoftuar para botimit të librit për përmbajtjen e tij, Trump u pyet nga autori se përse kishte bërë publikisht komente jo të vërteta për rrezikun e virusit.

Ai bëri këtë koment: “Epo nuk doja të hidhesha përpjetë duke thirrur “Vdekje-Vdekje”. Është e qartë se nëse Trump do ta kishte diskutuar hapur sa e rrezikshme ishte sëmundja, më pak jetë amerikanësh do të ishin humbur nga COVID-i.

Më poshtë një nga bisedat private të Trump me Woodward në 7 shkurt 2020, ku pyetet se çfarë bisedoi me Presidentin kinez, Xi Jinping.

“Virusi është vdekjeprurës”, shprehet Trump. Por edhe vetë autori Bob Woodward është përballur me kritika të forta pse nuk i bëri publike për muaj me radhë bisedat me Trump për kërcënimin e koronavirusit. Ai u shpreh se i ishte dashur kohë për të vërtetuar se komentet që kishte shprehur privatisht Presidenti ishin të sakta.