MENU
klinika

"Mendova se mbarova me provimet, por..."

U përzgjodh nga Rama për postin e ministres së Arsimit, flet Evis Kushi

15.09.2020 - 11:41

Deputetja e Partisë Socialiste, Evis Kushi e propozuar një ditë më parë si ministrja e re e Arsimit, në vend të Besa Shahinit, ka ndarë një mesazh me ndjekësit e saj në Facebook.

Evis Kushi thekson se pas 5 vitesh arriti të përfundojë doktoraturën në “Stafforshire University” në Britaninë e Madhe, dhe sipas saj kishte menduar se kishte ‘mbaruar punë me provimet”.

Por propozimin e kryeministrit për të drejtuar ministrinë e Arsimit, Evis Kushi e ka quajtur “provimin më të vështirë”

“Ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme.

Kur mora doktoraturën në Stafforshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan.

Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë.

Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve.

Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!”, thekson kandidatja për ministre e Arsimi.