Shumica e njerëzve e lidhin zyrën me rutinën dhe konformitetin, por ajo po kthehet shpejt në një burim pasigurie ekonomike dhe mosmarrëveshjesh. Në të gjithë botën, punëtorët, shefat, pronarët dhe qeveritë, po përpiqen të vendosin nëse zyra është tashmë një koncept i vjetruar – dhe duket se po dalin në përfundime krejt të ndryshme, shkruan The Economist.
Rreth 84% e punonjësve francezë, janë rikthyer në zyra, por më pak se 40% e atyre britanikë kanë bërë të njëjtën gjë. Jack Dorsey, CEO i Twitter, thotë se stafi i kompanisë mund të punojë nga shtëpia “në mënyrë të përhershme”, por Reed Hastings, themeluesi i Netflix, thotë se puna nga shtëpia është “një negativ i pastër”.
Teksa kompanitë mbeten në mëdyshje, tregu global i pronës komerciale prej 30 trilionë dollarësh, rëndohet nga frika e një rënieje më të thellë. Dhe teksa disa punëtorë ëndërrojnë për një të ardhme panglosiane, pa udhëtime në zyrë dhe Pret A Manger, të tjerë janë të shqetësuar për kërcënimin që u kanoset promovimeve, pagave dhe sigurisë së punës.
Këto mosmarrëveshje pasqyrojnë pasigurinë rreth faktit se sa efektiv do të jetë distancimi social dhe sa kohë do të duhet derisa një vaksinë ndaj COVID-19 të jetë gjerësisht e disponueshme. Por bëhet fjalë për më shumë se kaq: pandemia vuri në dukje se sa zyra po drejtoheshin si relike të shekullit XX, edhe pse nxitën përvetësimin masiv të teknologjisë që mund të transformojë punën.
Si pasojë, katastrofa e COVID-19 do të nxisë një fazë eksperimentimi teknologjik dhe social, e cila nuk do të jetë as e zakonshme, por as një goditje fatale ndaj zyrave. Kjo epokë është premtuese, por mbart edhe kërcënime, sidomos për traditat e kompanive. Në vend që t’i bëjnë qëndresë ndryshimit, qeveritë duhet të përditësojnë ligjet e vjetruara të punësimit dhe të planifikojnë ndryshe qendrat e qyteteve.
Fabrikat, pastaj zyrat
Dyqind vjet më parë, falë krijimit të energjisë me avull, punëtorët u vendosën në fabrika ku mund të përdornin makineri të reja. Teksa u shfaqën gjigantët e korporatave në fund të shekullit XIX, lindi nevoja e personelit për t’i administruar. Ata mbajtën takime, qarkulluan memorandume, fatura dhe dokumente të tjera për të regjistruar atë që bënin. E gjithë kjo kërkonte që punonjësit të qëndronin në një vend së bashku dhe kështu u krijua tradita e njerëzve që udhëtonin me makinë ose tren, për t’u takuar në një zyrë qendrore.
Ky sistem gjithmonë kishte të meta të dukshme, disa prej të cilave janë përkeqësuar me kalimin e kohës. Shumica e njerëzve i urrejnë sikletet dhe shpenzimet për të shkuar në zyrë, të cilat një punëtori mesatar amerikan, i merr më shumë se katër orë në javë. Disa nuk e pëlqejnë zhurmën dhe formalitetin e zyrave, ose vuajnë nga diskriminimi brenda tyre. Punonjësit e zyrave gjithashtu e kanë më të vështirë të kujdesen për fëmijët, një problem në rritje pasi më shumë familje kanë dy prindër që punojnë.
Ju mund të mendoni se teknologjitë e reja do ta kishin tronditur këtë status quo të pakënaqshëm. Në fund të fundit, dokumenti elektronik PDF u krijua në vitin 1991, kostoja e punës ra në vitet 2000 dhe kompanitë Zoom dhe Slack, teknologjia e të cilave mbështet punën në distancë, kanë ekzistuar për gati një dekadë. Megjithatë, falë inercisë, zyra i ka shpëtuar përçarjes serioze.
Për shembull, përpara se të godiste COVID-19, kompanitë me zyra fleksibël (përfshirë WeWork) kishin një pjesë shumë të vogël të aksioneve të tregut global, më pak se 5%. Shumica e bizneseve nuk ishin të gatshëm të drejtonin shitjen me shumicë nëpërmjet teknologjisë së punës në distancë përpara se të tregoheshin të gatshëm klientët e tyre; ose për të anuluar kostot e humbura në formën e pasurive të pronës dhe qirave.
Përmbysja nga Covid-19
COVID-19 i ka përmbysur të gjitha këto. Para pandemisë, vetëm 3% e amerikanëve punonin rregullisht nga shtëpia; tani këtë e kanë provuar një numër shumë i madh punonjësish. Edhe Xerox, një firmë që dukej se nuk mund të funksiononte pa ekzistencën e zyrave, e ka lejuar një pjesë të madhe të stafit të punojë nga shtëpia. Ndërkohë që më shumë njerëz po përdorin teknologjitë e punës në distancë, kjo ka dhënë një efekt të fuqishëm në rrjet, ku çdo klient i ri e bën shërbimin më të dobishëm.
Së bashku, ekipet e Microsoft, Zoom, Google Meet dhe Cisco Webex, tani kanë mbi 300 milionë përdorues. Pengesat burokratike ndaj punës në distancë janë hequr. Gjykatat civile po veprojnë në distancë. Noterët kanë hyrë online dhe disa banka kanë eliminuar nevojën që klientët e rinj të paraqiten fizikisht për të konfirmuar identitetin e tyre dhe për të hapur një llogari.
Sa prej këtyre ndryshimeve do të vazhdojnë edhe pas daljes së një vaksine? Si udhëzues më i mirë janë vendet ku virusi është nën kontroll. Mund të shihet si mundësi një “zyrë opsionale”, ku njerëzit vijnë më rrallë. Për shembull, në Gjermani, 74% e punonjësve të zyrave tani shkojnë në punë, por vetëm gjysma e bëjnë këtë pesë ditë në javë, sipas sondazheve nga Morgan Stanley. Bilanci i saktë varet nga industria dhe qyteti. Në vendet ku udhëtimet janë më të lehta, do të shkojnë në zyrë më shumë punonjës; ndërsa në qytetet e mëdha me trafik, ku udhëtimet janë të gjata dhe të shtrenjta, zyrat mund të frekuentohen më pak.
Përshtatja
Kompanitë duhet të përshtaten me këtë model të pjesëmarrjes sporadike, ku zyra është thjesht një vend mbledhjesh, jo një shtëpi e dytë. Ekziston rreziku që me kalimin e kohës, kapitali shoqëror i një firme të ulet, krijimtaria dhe hierarkitë të dobësohen dhe shpirti i ekipit të zbehet, siç paralajmëron zoti Hastings. Për të parandaluar këtë, duhet një ndërveprim më i organizuar i stafit, ku grupet të mblidhen në kohë të caktuara për të rifreskuar miqësitë dhe shkëmbimin e informacionit.
Teknologjitë e reja që “gamifikojnë” ndërveprimet online për të nxitur spontanitetin, mund të zëvendësojnë botën e ngurtë të Zoom. Teksa rimodelojnë traditat, kompanitë duhet të organizojnë pronën e tyre: investitorët e matur presin një ulje të paktën 10% të stokut të hapësirës për zyra në qytetet e mëdha. Por për këtë do të duhet kohë, duke marrë parasysh se një qira e zakonshme nga një korporatë zgjat të paktën gjysmë dekade.
Qeveritë janë të përqendruara në misionin për të kthyer kohën pas, për të kufizuar dëmin ekonomik, duke filluar nga shembja e bareve në qendër të qytetit, tek mungesa prej 16 miliardë dollarësh në buxhet me të cilën përballet sistemi i metrosë së Nju Jorkut. Qeveria e Britanisë është përpjekur t’i tërheqë sërish punëtorët në zyra. Por, në vend që t’u rezistojmë ndryshimeve teknologjike, është më mirë të parashikojmë pasojat e tyre. Kjo do të kishte dy përparësi.
Së pari, duhet modernizuar një pjesë e mirë e ligjit të punësimit. Ekonomia gig ka treguar se ai është i vjetruar. Tani ngrihen pyetje të reja në lidhje me të drejtat dhe përgjegjësitë e punëtorëve: a mundet që kompanitë të monitorojnë punëtorët në distancë për të vlerësuar produktivitetin e tyre? Kush është përgjegjës nëse punonjësit dëmtohen fizikisht në shtëpi? Çdo përshtypje se punonjësit e zyrave po marrin përfitime, do të krijonte pakënaqësi të madhe në pjesën tjetër të forcës së punës.
Prioriteti i dytë janë qendrat e qyteteve. Për një shekull, ato janë dominuar nga kulla të mbushura me karrige të lëvizshme dhe letra e dokumente pa fund. Tani, rregullat komplekse të planifikimit urban do të kenë nevojë për një rregullim sistematik, për të lejuar që ndërtesat dhe rrethet të shfrytëzohen për përdorime të reja, përfshirë si vende banimi dhe argëtimi. Nëse shkoni sërish në zyrë këtë muaj, uluni dhe hapni kompjuterin tuaj – por mos u rehatoni shumë.