Ai jeton. Në pavdekësi! E kishte “parapërgatitur” botën edhe për mungesën e tij, me praninë e fjalës. Fjala mbetet. Fjala ndërton. Fjala ligjëron sërish me shpirtin e poetit, shkrirë mes tokë e qiellit… andej nga erdhi.
Të tillë poetë, vështirë të përkujtohen dhe vetëm kaq. Janë pa fund, shkronjat që “përfytyruan” gjithë ç’përjetonte shpirti fisnik e i butë, prej vjershëtori… Jehona e këngës së shpirtit, ndihet më e madhe pas ikjes… /Konica.al
Dritëro Agolli është një prej tyre. Ky përvjetor datëlindjeje, vjen me disa shënime të papublikuara më parë, si disa letra nga korrespondenca personale, që vijnë nga familjarët.
Letërsia dhe roli i saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale
Unë do të përpiqem të flas sa më shkurt për një problem që gjithmonë ka qenë aktual për ballkanasit dhe shkrimtarët ballkanas. E kam fjalën për letërsinë dhe rolin e saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale në dobi të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Të flasësh shkurt, do të thotë të komunikosh telegrafikisht. Kështu, fjala ime përbëhet prej tri telegramesh.
Telegrami i parë
Njerëzit e përparuar, politikanët, shkencëtarët, publicistët, shkrimtarët dhe gjithë personalitetet e shquara, megjithëse kanë ndryshime në pikëpamjet politike dhe filozofike, nuk e kundërshtojnë bashkëpunimin për krijimin e një shtëpie të madhe, të stabilizuar dhe të qetë, një shtëpie që e ka emrin Ballkan, shtëpi që dikur i thoshin “fuçi baruti”.
Bashkë me dëshirën për bashkëpunim në stabilitetin e Ballkanit njihen edhe pengesat, si ato të diferencave ekonomike dhe botëkuptimore mes vendeve që dolën nga socializmi dhe atyre të demokracisë perëndimore. Edhe shpejtësia e ritmeve të zhvillimit ekonomik ka diferencë mes këtyre dy lloj vendeve në Ballkan.
Duhet kohë të ecim me të njëjtën shpejtësi. Por një ndër pengesat më të mëdha për paqen dhe stabilitetin në Ballkan është ekzistenca e urrejtjes nacionale, nga lindin konflikte, të cilat transformohen në luftëra të vërteta dhe sjellin tragjedira të panumërta, që mbeten gjatë në kujtesën e disa brezave. Kjo urrejtje nacionale nuk ka lindur vetvetiu në popujt tanë.
Ajo është kultivuar dhe rritur nga qarqe të caktuara politikanësh, historianësh, gazetarësh, fetarësh, ushtarakësh e me radhë. Mes tyre, fatkeqësisht, ka edhe shkrimtarë, madje edhe të talentuar. Unë kam njohur shkrimtarë ballkanas, – nuk është nevoja të përmend emra, – mjaft të dëgjuar edhe mjaft të këndshëm në biseda, por kur vinte fjala për vlerën e këtij apo atij kombi në Ballkan, ata bëheshin të tmerrshëm me shprehjen e nacionalizmit të tyre, duke e konfonduar atë me patriotizmin.
E, kjo ndjenjë në ballkanasin e thjeshtë nuk është. T’ju tregoj një shembull. Kohët e fundit shtëpia botuese greke “Patakis” botoi një librin tim me tregime me titull “Një grek i vogël në shtëpinë time”. Një miku im grek, pasi e kishte lexuar tregimin me këtë titull, më pyeti:
-E vërtetë është kjo ngjarje?
-Po! – i thashë.
Ja, kështu. Im atë kishte një mik grek nga Follorina. E quanin Thoma dhe i binte violinës. Im atë i thoshte “qirjo Thoma”. Qirjo Thomai i thoshte tim eti “qirjo Riz”. Kur kërciste porta, gjyshja ime i thoshte tim eti: – Ngrihu, se të erdhi qirjo Thomai. Ajo nuk i donte grekërit, pasi në një përpjekje ishte vrarë nga ta i vëllai. Nejse, në prag të Luftës italo-greke, gjashtëdhjetë vjet më parë, greku Thoma e solli të birin në shtëpinë tonë, pasi i kish vdekur e shoqja.
Grekun e vogël e quanin Pavllo. Gjyshja u tërbua, se kish frikë se greku i vogël mos më therte me thikë natën me që flinim në një dhomë. Pastaj ajo u qetësua, por thirri xherahun, berberin e fshatit, dhe e bëri synet, me gjithë kundërshtimet e tim eti. Kjo është një histori e gjatë. Por më në fund gjyshja e deshi aq shumë grekun e vogël, sa qau, kur atë e morën partizanet grekë, pas vrasjes së qirjo Thomait nga nazistët gjermanë.
Kështu gjyshja ime e mposhti urrejtjen nacionale dhe mua si shkrimtar më dha një temë internacionale.
Telegrami i dytë
E kam thënë edhe në një rast tjetër se shkrimtari ballkanas ka tri shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Dhe vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tri shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tri shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen shumë djaj të vegjël.
Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtjen nacionale; nëse ngrihet në kulm shpirti ballkanik, shfaqet ksenofobi bashkë me grindjet megalomane; nëse vepron vetëm shpirti evropian, humb identiteti dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron te harmonia e këtyre tri shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet.
Është e çuditshme se ne ballkanasit këtë harmoni e shfaqim bukur, kur takohemi në ndonjë vend larg Ballkanit, fjala vjen, në Afrikë, në Azi, në Amerikë, po edhe në ndonjë cep të Evropës. Para njëzet e pesë vjetësh unë isha në një qytet të Kongos franceze, në Afrikën Qendrore. Në hotel nuk më zinte gjumi dhe zbrita në bar.
Atje në një tryezë, në qoshe, ishte vetëm një njeri. Edhe unë u ula larg në qoshen tjetër. Ne i këmbenim vështrimet me njëri-tjetrin. Unë mendoja se ai njeri me mustaqe do të ishte ballkanas: ose shqiptar, ose grek, ose serb, ose rumun, ose bullgar. Ai shiko, unë shiko. Më në fund u ngrit dhe erdhi tek unë.
-Grek je?- më pyeti.
-Jo, – i thashë, – jam kushëriri yt, shqiptar.
-Di greqisht? – më pyeti.
-Di vetëm të shaj në greqishte – u përgjigja.
Dhe e shava greqisht me nënën.
Ai m’u hodh në qafë dhe më tha ta shaja edhe një herë. E shava tri herë dhe tri herë më përqafoi, duke me thënë:
-Ka njëzet vjet që nuk kam dëgjuar fjalë greke, more kajmeno.
Kështu që, kur je larg, malli për fqinjin e mposht nacionalizmin.
Telegrami i tretë
Flitet shumë tani për Paktin e Stabilitetit në Ballkan dhe për integrimin e tij në Evropë. Doemos ndihmat ekonomike, korridoret e tetë apo të dhjetë janë shumë të rëndësishme. Por nga njerëzit e politikës pak flitet për një korridor tjetër, korridorin e kulturës, letërsisë dhe arteve.
Është e domosdoshme që popujt tanë ta njohin më shumë letërsinë dhe artin e njëri-tjetrit, të organizojmë më shumë takime për ta njohur konkretisht shoku-shokun, të përkthejmë vepra dhe të shkëmbejmë përvojë. Në Shqipëri, megjithëse ka vështirësi ekonomike, sociale dhe politike, përkthehen mjaft shkrimtarë ballkanas, veçanërisht grekë, turq e rumunë. Përveç shkrimtarëve të shekullit të 19-të njihen Kavafis, Kazanaqis, Ricos, Seferis, Elitis, Jashar Kemal, Aziz Nesin, Nazim Hikmet, Dagllaxhan, Sozesku, Radiçkov, Kërlezha e plot të tjerë që nuk më kujtohen.
Mbase gaboj, por ka ardhur koha të krijohet Federata e Shkrimtarëve Ballkanas. E pse të mos krijohet, kur edhe gazetarët e Ballkanit kanë Bashkimin e Gazetarëve Ballkanas? Në këtë mënyrë do të njihen personalisht shkrimtarët me shoku-shokun dhe do të nxitin edhe përkthimet. Unë e njoh prej kohësh dhe e kam mik shkrimtarin grek Samazaqis. Ngaqë e njihja, kur u përkthye në shqipe romani i tij “Plasja”, unë shkrova parathënien. Atij i pëlqeu dhe më dërgoi një telegram përshëndetje.
Besoj se edhe ky takim i këndshëm ne Selanik, do t’i shërbejë njohjes së njerëzve të kulturës dhe stabilitetit në Ballkan.
Ju falënderoj!
Dritëro Agolli
Sofje, 26 nëntor, 1987
I nderuari Dritëro Agolli,
Para së gjithash dua t’ju falënderoj nga zemra për dhuratën e paçmueshme, që keni pasur mirësinë të ma dërgoni. Gjesti juaj më emocionoi. Duke prekur librat e tu, unë përjetoj atë gëzim të rrallë njerëzor, i cili rrallë u ndodh njerëzve, prandaj ai mbahet mend për tërë jetën. Ndofta tani e tutje, do të kem fatin e mirë të përjetoj dhe hope të tjerë të tillë, por zor se do ta shlyejnë në ndërgjegjen time këtë hop të parë që e kam pritur me kaq padurim, më tepër se dy dhjetëvjetorë.
Takimi i parë i përkthyesve të vendeve ballaknike mund t’ju siguroj, kaloi në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt. Më lejoni të ndaj mendimet me ju e të them disa fjalë për veprat e tua të përkthyera në Bullgari. Edhe në raportin e Marko Gonçevit, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” u quajt si një majë në zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare, si vepër i ka tejkaluar kufijtë e Gadishullit Ballkanik dhe që gjer sot nga ana tjetër, megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet nga botimi i romanit, si njerëz të lertërsisë sonë dhe të kulturës shoqërore, ashtu dhe një rreth i gjerë lexuesish, kur më takojnë, nuk harrojnë të përmendin dhe heroin tuaj “Zylo” dhe shpesh shprehen: “Mor po, i papërsëritshëm është ky heroi yt, Zylo”.
Besoj vetë marrja e personit tim, të përkthyesit modest, si protagonist letrar, flet edhe më shumë dhe do t’ju bindja për ndikimin e librit tuaj të përkthyer te ne.
Para jush mund të tregoj krenarinë që ndiej, se tri romane nga thesari i letërsisë së sotme shqiptare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe dy veprat tuaja, janë të parat të përkthyera në Bullgari.
Po ju dërgoj këtë album të vogël me fotografi nga tërë anët e Bullgarisë dhe me këtë dua në mënyrë simbolike t’ju përshëndes nga të gjitha rrethet tona, ku ka shumë qytete dhe ndër to shumë biblioteka dhe shumë të tilla familjare, ku kanë gjetur mikpritjen dhe të dy librat e tu.
Duke ju falënderuar edhe një herë, ju uroj shëndet, shëndet, për të shkruar edhe dhjetëra vepra të tjera, si dhe shumë lumturi personale.
Juaja,
Marina Marinova
Letër nga Sofja 1978
I nderuari Dritëro Agolli!
Pak kohë më parë në gjuhën bullgare doli libri Juaj “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Me këtë rast po ju drejtohem.
Dëshiroj t’ju shtrëngoj dorën që keni shkruar një roman kaq të bukur satirik. Ëndrra e çdo satiriku në botë është të krijojë një hero letrar, një tip. Kështu u shfaqën ushtari i mirë Shvejk, Ostap Bender, Tartarini i Taraskonit e të tjerë.
Doli në botën e madhe dhe Zyloja Juaj. Ju mundët të krijoni një hero të vërtetë humoristik, që shfaq “cilësitë” dhe dobësitë e tij në situata të mundshme.
Përshtypje të veçantë më ka bërë edhe figura tjetër – Demka. Ju keni zbuluar në mënyrë të mrekullueshme dramën e intelektualit, i cili nën ndikimin e disa kushteve, nuk shkruan tregime dhe novela, por raporte…
Figura satirike e romanit Tuaj është e papritur dhe e mahnitshme (për ne). Mua më duket se libri Juaj duhej të përkthehej edhe në vende të tjera, në gjuhë të tjera.
Romani juaj është dritare në Shqipërinë bashkëkohore. Roli politik i romanit tuaj qëndron në atë që vepron në njohjen reciproke të popujve të Ballkanit.
Librat shqiptarë nuk botohen shpesh te ne. Më duket se zgjedhja ishte e mirë dhe romani Juaj do të lexohet me kënaqësi nga lexuesi ynë bullgar që dashuron humorin.
Së fundi. Unë quhem Jordan Popov; ka pesëmbëdhjetë vjet që punoj në fushën e humorit e satirës. Kam botuar disa libra me tregime humoristike e satirike. Përshtypjet e mia të shkëlqyera nga romani Juaj i kam ndarë me kolegët dhe kemi bërë diskutime profesionale. Punoj si gazetar në revistën tonë humoristike, në të përjavshmen “Stërzhell” (Thumbi).
Edhe një herë ju përshëndes dhe ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese të reja në krijimtari.
Jordan POPOV
Sofje, Bullgari me 04.10.1978
*Lexuesi bullgar, ishte i pari përtej kufijve që mund të lexonte “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, në vitin 1978. Jordan Popov, ka drejtuar revistën e humorit “Thumbi” që në vitin 1969 në Sofje, Bullgari. Popovi ka qenë kryetar nderi i Shoqatës së Satiristëve Ballkanikë dhe zëvendëspresident i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bullgarisë (përndryshe Unioni i Shkrimtarëve Bullgarë). Autor i mbi 30 librave – romane, tregime të shkurtra, vëllime të tregimeve humoristike dhe fejtone. Pjesët e tij teatrore janë luajtur në skenën e Teatrit të Komedisë në Sofje. Lexuesi shqiptar, e njeh Popovin nëpërmjet titujve të tillë si Kazablanka.