MENU
klinika

Tahar Ben Jelloun: Racizmi shpjeguar sime bije

Fëmijë, shpëtonani nga egoizmi i shfrenuar!

30.10.2020 - 15:32

         “Kemi nevojë t’u kthehemi pyetjeve elementare mbi të mirën, ​​të keqen, drejtësinë. Tek gjeneratat e reja angazhimi shtrihet nga ambienti në gjithë qenien njerëzore”.

Tahar Ben Jelloun është më se i bindur: “Një tjetër armik po bën xhiron e botës, i padukshëm dhe tinëzar si koronavirusi, porse s’mund të luftohet me xhel duarsh apo me maskë. Nuk ka asnjë dezinfektues efektiv kundër barbarizmit të terrorizmit. Duhet të jemi vigjilentë, duhet të kemi guximin të përballemi me realitetin”. Të shtunën në orën 15.30, shkrimtari do të lidhet nga shtëpia e tij në Paris, me “Ngjarjet Letrare Monte Verita”, në Zvicër, për të zhvilluar një takim ui përqendruar kryesisht në rrethin vicioz midis racizmit dhe skllavërisë së re. Lindur në Fes, Marok, në 1944, Ben Jelloun gjithmonë e ka matur veten me kompleksitetin dhe padrejtësitë e kohës sonë, si përmes romaneve të paharrueshëm: “Fëmija e rërës” ose “Pagjumësia”, ashtu edhe me libra që synojnë kryesisht lexuesit e rinj, mes të cilëve bie në sy fatlumi “Racizmi shpjeguar sime bije” […]. Lidhur me librin:“Filozofia shpjeguar fëmijëve” autori shprehet: “Në Francë ishte një sukses. Gjatë karantinës, të shumtë isjhin ata që e blenë në përpjekje për të kuptuar se çfarë po ndodhte. Filozofia gjithmonë fillon nga aty: nga pyetjet që i bëjmë vetes. Dhe fëmijët janë shumë të mirë në formimin e pyetjeve, si dhe shumë kërkues në përgjigjet e tyre”./Konica.al

Për këtë arsye vazhdoni të shkruani për ta?

Po, jam i bindur se është gjithnjë e më e rëndësishme të nxitësh pyetje tek fëmijët. Kam përshtypjen, se kemi shumë nevojë t’u kthehemi pyetjeve elementare: për shembull, çfarë e dallon të mirën nga e keqja, apo të drejtën nga padrejtësia. Nuk ka asgjë abstrakte në tërë këtë, përkundrazi, ideja për t’iu drejtuar fëmijëve buron nga statusi im si baba i një familjeje. Është diçka fare e thjeshtë, e përditshme. Ka të bëjë me netët e pagjuma, kur fëmija ka ethe dhe nxitimin për ta marrë atë nga shkolla.

Por ka edhe shqetësime të tjera: pandemia, terrorizmi, tensionet ndërkombëtare…

Problemi më i madh qëndron në njëkohësinë e këtyre kërcënimeve. Covid-19 erdhi në një kohë, kur tashmë demokracisë po i lëkundeshin themelet. Mendoj për paraardhësit e Trump në Shtetet e Bashkuara dhe të Bolsonaros në Brazil, mendoj për imituesit e tyre të shumtë evropianë. Ekstremizmi islamik, nga ana tjetër, tallet me demokracinë dhe përpiqet të përfitojë nga kriza që ajo po përjeton. Do të ishte gabim i rëndë nëse nuk do panohej vazhdimësia midis prerjes së kokës së gazetarit amerikan Daniel Pearl në 2002 dhe vrasjes së Samuel Paty, profesori i therur dy javë më parë në “Conflans Saint-Honorine”: në të dyja rastet, terroristët donin t’i dërgonin një sinjal Perëndimit. Kemi të bëjmë me një strategji globale, që bazohet në ideologjinë salafiste të propaganduar nga vende, identiteti i të cilave njihet dhe qëllimi është i qartë: të vendosin këtë imazh të shtrembëruar të Islamit në të gjithë botën.

Sa të rëndësishme janë pabarazitë ekonomike dhe sociale?

S’ka dyshim që mbarë bota po vijon të paguajë pasojat e neoliberalizmit të shfrenuar të imponuar në vitet 1980, me figurat e Ronald Reganit në SHBA dhe Margaret Theçerit në Britaninë e Madhe. Për të kuptuar se çfarë po ndodh, duhet të rikthehemi absolutisht në atë bigëzim, dhe jo në ngjarje që tashmë tingëllojnë të largëta, siç është kolonializmi i shekullit të nëntëmbëdhjetë. Nisur nga kjo, nuk mund të bësh kompromis me mbrojtjen e parimeve themelore të Perëndimit, para së gjithash vlerën e lirisë së individit. Me përjashtim të Kushtetutës së re të Tunizisë, asnjë vend mysliman nuk e toleron lirinë e ndërgjegjes. Evropa duhet të jetë mbrojtëse e kësaj trashëgimie, por fatkeqësisht duket se e ka harruar./Konica.al

Përse?

Sepse i është venitur shpirti. Vetë Bashkimi Evropian minohet nga brenda nga udhëheqës antievropianë, që shfrytëzojnë sëmundjen për përfitimet e tyre. U referohem veçanërisht flukseve të pakontrolluara të migrantëve, prejt të cilëve “Lega” e Mateo Salvinit në Itali ka përfituar goxha, madje mund të vijojë të përfitojë. Mirëpo, fenomeni është shumë më i gjerë, ai prek Spanjën, vetë Francën.

Cila është lidhja me skllavërinë e re?

Në këtë fazë, origjina e problemit është në Afrikë, veçanërisht në ato vende, të cilat, megjithëse kanë burime më se të mjaftueshme për të garantuar mirëqenien e popullsisë, vazhdojnë të qeverisen nga sundimtarë që nuk kanë legjitimitet demokratik. Nigeria, Gaboni dhe Algjeria, janë raste emblematike të kombeve potencialisht të pasura, nga të cilat, megjithatë, vijojnë të largohen turma migrantësh ekonomikë. Bashkimi Evropian duhet të marrë masa, që t’i vendosin këto vende para përgjegjësive të tyre. Mirëpo, nisma varet kryesisht nga qeveritë lokale. Kur kjo të ndodhë, kur të miratohen politika zhvillimi, siç është bërë në Marok, detyrimi për të emigruar do të zvogëlohet në mënyrë drastike, gati do të zhduket

Nga mund të vijë shpresa sot?

Nga të rinjtë. Madje, më saktë: nga fëmijët. Ishin pikërisht ata, në muajt pararendës të emergjencës koronavirus, ata që ndezën alarmin për rreziqet me të cilat po përballet planeti. Nuk është vetëm një aktivizëm ekologjik, por një ndjeshmëri që shtrihet në çdo aspekt të qenies njerëzore. Më bëri shumë përshtypje aftësia shprehëse e Greta Thunberg-ut, ashtu siç e konsideroj të jashtëzakonshëm mobilizimin e të rinjve nga e gjithë bota, për të mbrojtur pakicat e persekutuara pas vrasjes së George Floyd-it në Shtetet e Bashkuara. Krahasuar me të kaluarën, të rinjtë nuk i përgjigjen thirrjes së një ideologjie, por i prek shqetësimi për Tokën. Më duket një shenjë shprese… Dhe një motiv i shkëlqyer, për të vazhduar të shkruaj për ta./Konica.al

 

(Alessandro Zaccuri)

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit