MENU
klinika

Tension mes liderëve të dy shteteve...

Franca “zemërohet” me Islamin pas konflikteve me Turqinë

28.10.2020 - 09:05

Xhamia në Pantin, në veri-lindje të Parisit, ishte ndër shenjat e para që diçka këtë herë ishte ndryshe.

Ndërtesa, në formën e një hangari avioni me dritare të vogla të vendosura lart në muret e saj të valëzuar, është e zbrazët dhe e mbyllur.

Jashtë është një njoftim zyrtar, i ngjitur në material plastikë kundër shiut, që njofton mbylljen e tij të detyruar nga qeveria për “përfshirjen në lëvizjen islamike” dhe për ndarjen e një videoje në mediat sociale kundër mësuesit, Samuel Paty.

Goditja e përgjithshme e qeverisë franceze ndaj islamizmit radikal, në përgjigje të prerjes së kokës së mësuesit të historisë jashtë Parisit këtë muaj, ka qenë e shpejtë dhe e ashpër dhe ka sjellë një stuhi kryengritjesh dhe protestash.

“Frika do të ndryshojë anë,” citohet të ketë thënë Presidenti Emmanuel Macron në Këshillin  e tij të Mbrojtjes javën e kaluar.

Qeveria ka njoftuar më shumë se 120 kontrolle në shtëpi të ndryshme, ka synuar shpërbërjen e shoqatave të akuzuara për përhapjen e retorikës islamike me planet e tyre për të synuar financimin e terrorizmit, dhe ka ofruar mbështetje të re për mësuesit.

Asgjë e ngjashme nuk ndodhi pas sulmeve të tjera ndaj Presidentit Macron, pavarësisht nga vrasja e dhunshme e rreth 20 njerëzve gjatë mandatit të tij, mes tyre oficerë policie, një grua e re në një stacion treni dhe blerës në një treg të Krishtlindjeve. Pra, çfarë ndryshon tani?

Mbikëqyrje më e gjerë

Jérôme Fourquet është një analist politik dhe një drejtor i agjencisë së sondazheve IFOP. Ai beson se ky sulm ishte i ndryshëm, si në shënjestrimin e një mësuesi dhe në brutalitetin e tij, dhe se ka pasur një “ndërrim marshesh” brenda qeverisë.

“Ne nuk kemi të bëjmë më me rrjete të organizuara xhihadiste,” tha ai, “por një terrorist i ardhur nga vendi ynë, një individ i izoluar që u radikalizua”.

“Qeveria beson se përgjigjja nuk mund të ketë të bëjë vetëm me zbatimin e ligjit. Ata gjithashtu kanë nevojë për të menaxhuar rrjetet sociale dhe shoqatat, sepse kjo çështje tragjike hedh dritë mbi një rrjet të tërë që përhap fjalime urrejtjeje brenda popullatës. Sistemi ka nevojë të ndryshojë.”

Laurent Mucchielli, një sociolog në Qendrën Kombëtare të Francës për Kërkime Shkencore, thotë se Presidenti Macron dhe qeveria e tij kanë “reaguar shumë këtë herë” për arsye politike; konkretisht, zgjedhjet presidenciale në 2022.

“Macron po i hedh benzinë zjarrit,” tha Z. Mucchielli. “Ai nuk dëshiron të shfaqet në plan të dytë krahasuar me të djathtën dhe të djathtën ekstreme. Qëllimi i tij kryesor është të rizgjidhet në 2022, kështu që ai duhet “të zërë token” e ekstremit të djathtë. Dhe temat e tyre, që nga fundi i Shekullit 19, kanë qenë imigrimi dhe siguria”.

Një sondazh javën e kaluar sugjeroi që udhëheqësja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, është udhëheqësja më e besuar e Francës në luftën kundër terrorizmit.  Macron e ndjek atë me katër pikë. Të dy udhëheqësit mund ta gjenin veten përballë njëri-tjetrit në një balotazh presidencial në 18 muaj.

Siguria është parë gjerësisht si dobët nën drejtimin e Presidentit Macron, që qëndron pas imazhit të tij të fortë jashtë vendit dhe reformave të fuqishme ekonomike në vend. Por Marine Le Pen gjithashtu ka shfaqur çështjen e Islamit si një kërcënim për identitetin kombëtar francez.

Tensionet kulturore

Gjatë kohës së tij në detyrë, Macron është kujdesur shumë për të bërë dallimin midis kërcënimeve të sigurisë dhe sekularizmit. Për një kohë të gjatë, ai shpesh bënte komente rreth shamive, apo vakteve hallall të shkollës.

Në shtator, Anne-Christine Lang, një deputete nga partia liberale e Macron, La République En Marche (LREM), doli nga Asambleja Kombëtare pasi iu kërkua të dëgjonte dëshminë e dikujt që mbante shami myslimane.

“Unë nuk mund të pranoj që brenda Asamblesë Kombëtare, zemra rrahëse e demokracisë, të pranojmë dikë që të paraqitet në hixhab,” tha ajo.

Në këtë situatë politike vjen tërbimi aktual pas vrasjes së Samuel Paty, i cili ishte shënjestër për shfaqjen e karikaturave të Profetit Muhamed në një klasë.

Dimensioni ndërkombëtar

Dhe pavarësisht nëse përgjigjja e qeverisë po fiton mbështetës të Presidentit Macron në vend, sigurisht që po i nxit kritikët e tij jashtë vendit.

Ka pasur protesta në Libi, Bangladesh dhe Rripin e Gazës, së bashku me thirrjet për bojkot të produkteve franceze dhe një luftë fjalësh në rritje me Turqinë.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka mbështetur bojkotin dhe ka vënë në pikëpyetje publike shëndetin mendor të Macron, pasi lideri francez mbrojti vlerat laike të Francës javën e kaluar, duke thënë se vendi “nuk do të hiqte dorë kurrë nga karikaturat”.

Franca tani ka tërhequr ambasadorin e saj.

Por, si shumë marrëdhënie të komplikuara, edhe kjo ka një histori të gjatë. Macron tashmë ka krijuar një listë të gjatë ankesash kundër homologut të tij turk, duke përfshirë operacionet e Turqisë kundër milicisë kurde në Siri, kërkimin e gazit në Mesdheun lindor dhe pretendimin për thyerjen e një embargo libiane të armëve.

Tani një vrasje tronditëse dhe reagimi i Francës ndaj saj kanë shkaktuar konflikt të ri si brenda Francës dhe jashtë mbi kufijtë midis fesë dhe politikës, dhe mënyrën se si ato përdoren nga ata që janë në pushtet.

Përkthyer dhe përshtatur nga: bbc / F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çështjet ku nuk bien dakord…

Pse përplasen Erdogan dhe Macron?