Covid-19 dhe presidenca e Trump që shqetësuan Shtetet e Bashkuara dhe pjesën më të madhe të botës, u përballën gjatë fundjavës.
Me jetën dhe presidencën e tij në lojë, presidenti ka shfaqur një fytyrë të guximshme, duke luftuar për të mposhtur virusin me të njëjtën forcë që luftonte për ta “zvogëluar” rëndësinë e tij.
Nëse bazohemi tek sondazhet Trump është prapa rivalit të tij Demokrat Joe Biden, madje me numra dy-shifrorë ndërsa mungon më pak se një muaj nga zgjedhjet.
Por meqenëse anketuesit gabuan jo pak në parashikimin e tyre për rezultatet e zgjedhjeve të fundit, shumë besojnë se presidenti aktual do fitojë, siç bëri në 2016.
Tema e pandemisë ka ndikuar në zhvillimin e fushaës zgjedhore me ndryshime të papritura që ka sjellë ndërsa rëndësi ka edhe qasja e secilit kandidat për këtë çështje.
Kjo ishte shumë e qartë si në debatet presidenciale ashtu edhe në ato nënkryetare.
Në fakt, qasjet e kundërta të kandidatëve për pandeminë dhe efektet e saj mbi kombin mund të pasqyrojnë qasjet e tyre të përgjithshme ndaj presidencës dhe të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve, në një mënyrë apo në tjetrën.
Biden është mbështjellë me imazhin e një udhëheqësi të ndershëm, të vëmendshëm dhe të dhembshur, të shqetësuar për shëndetin dhe mirëqenien e vendit. Ai projekton imazhin e një burri shteti të mençur, i cili mund ta shpëtojë vendin nga një presidencë e pamatur që e gjunjëzoi atë.
Biden tenton të bëjë popullin të kuptojë se ai nuk është Donald Trump, se ai është me të vërtetë i dhimbshur dhe i alarmuar nga shkalla në rritje e infeksioneve të COVID-19 që tashmë kanë marrë jetën e më shumë se 200,000 amerikanëve.
Ai dëshiron të jetë shëruesi i kombit, i cili vendos “Bashkimin” përsëri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai është gjithashtu i shqetësuar për gjendjen e pafavorshme të SHBA-ve në perëndim dhe në gjithë botën, ndërsa Kina fiton gjithnjë e më shumë fuqi dhe ndikim.
Nga ana e tij, Trump ka kultivuar imazhin e një luftëtari të guximshëm që nuk tërhiqet, nuk pushon e nuk lodhet.
Diagnoza e tij me COVID-19 mund të jetë përdorur nga Biden, por Trump shpejt e cilësoi si një bekim.
Duke i treguar publikut se ai po lufton fort që të kthehet në punë sa më shpejt të jetë e mundur, ai u përpoq të demonstronte këmbënguljen e tij të pakrahasueshme dhe vendosmërinë e tij ‘për t’i kthyer fatkeqësitë në pasuri’.
Stili i udhëheqjes së Trump mund të ketë tjetërsuar shumë çështje brenda dhe jashtë vendit, por gjithashtu i bindi mbështetësit e tij se ai është një luftëtar që i duhet kombit dhe i bëri ata të besonin se humbja e tij do të ishte humbja e Amerikës.
Si komandant i përgjithshëm, Trump ka zgjedhur të mos alarmojë vendin për pandeminë dhe rënien ekonomike që lidhet me të, duke premtuar të mundë virusin dhe ta kthejë vendin në rrugën e begatisë.
Në teori, kjo mund të jetë qasja e duhur. Burrëria e drejtuesit të shtetit gjatë një emergjence kombëtare nxit uljen e panikut dhe rrit besimin se po merren vendime të matura dhe po zbatohen me korrektësi politikat e emergjencës.
Në realitet, gjithnjë e më shumë njerëz besojnë se mendimet e Trump janë të frikshme.
Ose ai nuk mendon se pandemia është një emergjencë kombëtare, siç tregon shpërfillja e tij e vazhdueshme e provave shkencore dhe krahasimet që ai bëri midis COVID-19 dhe gripit të zakonshëm, ose ai e konsideron pandeminë një fatkeqësi kombëtare, por zgjedh të minimizojë kërcënimin dhe e bën këtë në mënyrë që të ruhet besimi në presidencën e tij gjatë mandatit.
Në fakt, është pothuajse e pamundur të kuptosh atë që ai mendon me të vërtetë.
Por, pavarësisht nëse është injorancë e qëllimshme apo llogaritje cinike e tij, rezultati përfundimtar ka qenë jashtëzakonisht i dhimbshëm dhe plotësisht i shmangshëm jo vetëm për sa i përket humbjes së madhe në jetë njerëzish por edhe për sa i përket dëmtimit të lartë të ekonomisë.
Të fitosh besimin e kombit
Kjo është arsyeja pse Biden po bën përpara në sondazhet kombëtare.
Skandalet në rritje të Trump, duke përfshirë shmangia e tij e taksave për të mos thënë evazioni fiskal, dështimi i tij për të zbutur dëmin nga pandemia, politikat e tij polarizuese, nxitja e dhunës dhe paaftësia e tij për të hartuar një vizion të qartë për të ardhmen ndërsa vendi po pëson rënie të vazhdueshme, janë të gjithë elementë që i ulin pikë.
Nuk është rastësi, pra, që profesori Allan Lichtman, i cili ka parashikuar drejt çdo rezultat të zgjedhjeve që nga viti 1984, duke përfshirë edhe fitoren e Trump në 2016, parashikon një humbje të tij në nëntor. Bazuar në modelin e tij të 13 treguesve kryesorë, duke përfshirë lidershipin, karizmën, ekonominë, trazirat shoqërore dhe skandalet, Lichtman llogarit shtatë nga 13 “çelësat” e punës së presidencës në favor të Biden.
Për shembull, popullariteti i Biden po rritet në mesin e votuesve më të vjetër amerikanë, 71 përqind e të cilëve dolën për të votuar në 2016.
Por ndërsa Biden, si Hillary Clinton, ka votën popullore, dmth një shumicë të votuesve amerikanë, ai gjithashtu duhet të fitojë Kolegjin Zgjedhor për t’u bërë president.
Kjo kërkon të fitosh në disa shtete kryesore si Michigan, Ohio, Florida dhe Pennsylvania. Ndryshe nga shtetet e tjera që zakonisht votojnë demokratë ose republikanë, këto shtete priren të lëkunden në të dy mënyrat në varësi të ciklit zgjedhor.
Ndërsa shumë vazhdojnë të kenë besimin e tyre te Trump, një numër në rritje i amerikanëve të klasës punëtore dhe të mesme po i kthejnë shpinën atij për dështimin në mbajtjen e premtimeve në katër vitet e fundit.
F.H.