MENU
klinika

Naim Frashër Shqipëria!

“Gjuh’ që flisjin Perënditë, atë flisjin Pellazgitë”

20.10.2020 - 10:11

         Bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës. Naim Frashëri vuri themelet e letërsisë kombëtare shqiptare. Vepra e tij shënoi lindjen e një letërsie të re, me vlera të vërteta artistike, si dhe krijoi traditën e letërsisë patriotike, qytetare, duke sjellë në letërsi botën shqiptare, aspiratat e popullit. Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, si dhe ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës naimiane.

Poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e kulturës shqiptare. Lindi më 25.5.1846 në Frashër, ku bëri mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas i doganës në Sarandë (1372-77). Në këtë periudhë Naim Frashëri. bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirika sh Tejhyjylat (Ëndërrimet, 1885). Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri. braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua le tërsisë shqiptare. Poema e tij e parë e re ishte Shqipëria (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll Naim Frashëri. ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria”(1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza e vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar./Konica.al

Poetit dhe atdhetarit të madh, Kryeministri Rama i ka kushtuar sot, vëmendje të veçantë –  çfarë tanimë është bërë traditë për kreun e qeverisë, ndaj figurave të ndritura që e shkruan historinë e kombit, me shpirtin e ndriçuar e të pakursyer, për gjuhën dhe pavarësinë nga zgjedhat e huaja shtypëse.

Me këtë mesazh në faqen e tij në “Facebook”, Rama, sjell në kujtesë, me gjithë dinjiteitn dhe mirënjohjen e merituar, Naim vjershëtorin e shpirtdëlirin!

?HOMAZH
NAIMI është mbase i vetmi që s’ka nevojë t’ia thuash mbiemrin për t’ia ndjerë hijen në formë Shqipërie të të afrohet sapo e zë me gojë!
« Sikur të shoh, i tmerrshmë Frashër,
Tek po mban zi përgjithmonë,
Ti: më besniku trashëgonjës
I dashuris’ së vendit t’onë », shkruan Lasgushi për të, poetin e poetëve, që
120 vjet si sot mbylli sytë në Këzëll-Toprak të Stambollit, pas një jete të urtë e butë, pa salltanete e pa tjetërsend veç lotit të fjalës për Shqipërinë.
S’është as rastësi e as çudi, që një ndër faqet më të bukura e më të ndjera që ka lënë vesveliu i madh Faik bej Konica i përket Naimit, pas vdekjes natyrisht:
« Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshmë që shkonin muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri. Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur! »
Si në të gjallë, si në të vdekur, Naimi,
«Omir’i Shqipërisë » vepra e tij monumentale letrare, u ushqyen e vijojnë t’u ushqejnë shqiptarëve ndjesinë e njësisë kombëtare! Por jo vetëm. I detyrohemi atij që Sevasti Qiriazi e quante « magnet dashurie », bindjen për epërsinë e qytetërimit dhe qytetarisë mbi çdo tërheqje, rrëmbim apo arrogancë vetëkënaqësie kalimtare.
Zemërmadh e i paanë në dhuntinë e tij përnjimend hyjnore, ky i dërguar « nga fron’i lart i Perëndisë, si engjëll i Marisë, me frymë të shenjtëruarë », u bë njësoj at shpirtëror dhe gur themeli i bektashizmit shqiptar dhe një uratë e gjallë « Përpara Krishtitë », orakull i vërtetë për vëllazërimin tonë, për atë që ai vetë e quante « besën tonë të shenjtëruarë ».
Fatlum në mes të një vëllazërie që rrallë shekujt u falin kombeve, i verbër si një Homer kur bëhej fjalë për begatinë e tij të përveçme, por vizionar e vështrimkthjelltë kurdoherë për të mbrothësuar gjithë një komb, Naim beu, u be guri e gjoksi ku vunë kokën, u prehën, u burrëruan e nxunë, të gjithë ata qe iu mveshën veprës emancipuese rilindase.
«I varfër shkoja te Naim beu e i nginjur kthehesha; i dëshpëruar shkoja tek ai e i mbushur me shpresë e lija », thuhej rëndom prej atyre që kishin fatin të piqeshin me të. Ja vlen që sot, në këtë 120 vjetor të kalimit të tij në amshim, ta kujtojmë me mirënjohje birnore këtë At në atdhedashuri e qytetari. T’i lexojmë një copëz nga vepra madhështore, t’i kundrojmë një fotografi të atij vështrimi të dlirë e ndriçues, t’i falim një uratë, t’i ndezim një qiri. Kush të mundet, me një lule le t’ia zbukurojë vendprehjen.
Mos ta harrojmë Naim Frashër Shqipërinë!
#TëPAHARRUESHËM?

***

SHQIPËRI, O JETËGJATË

Shqipëri, o jetëgjatë,
ty të kemi mëmë e atë
dhe për ty do të luftojmë
gjersa të të trashëgojmë.
Për ty të gjithë, ditë dhe natë,
mendohemi gjerë e gjatë,
ti kurrë s’prishesh, s’shkretohesh,
as drobitesh, as rrëgjohesh,
më ke gjithë bukuritë
e tëtëra mirësitë,
ke fusha me lule shumë.
lumenj të mëdhenj pa gjumë,
male të lart’ e të veshura,
buzën e detit të qeshur,
Mëje dritëz në dritë
me të gjitha mirësitë.
……………………………..
Shqipëri, të qofsha falë,
të kam mëmë e më ke djalë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shqipëria në testamentin e Konicës

“Ti Imzot Noli dhe ti Lamja i vogël”

Ambasador i paqes në ShBA: Kodra

“Shqipëria nji vend i bukur sa s’ka ma”