MENU
klinika

"Shpirti i Cezarit në zemrën e një gruaje"

Sekretet e Artemisa Xhentileskit (Artemisia Gentileschi), një gjeni

01.10.2020 - 14:52

        Historia “Suzana dhe pleqtë”, trajtuar në librin e Danielit, ishte një temë tejet popullore në mesin e artistëve në shekujt XVI dhe XVII, dhe nuk është për t’u habitur. Suzana, një grua e virtytshme, shumë e bukur, bën banjë në kopshtin e saj, ndërsa dy pleq e vështrojnë fshehurazi. Burrat e kundrojnë vjedhurazi dhe synojnë ta përdhunojnë; nëse ajo reziston, e paralajmërojnë, se do t’i përbaltnin reputacioni, duke thënë se e kishin kapur me dashnorin. Historia u ofroi piktorëve një mundësi të parezistueshme, për të vënë në skenë vuajerizmin. Kjo skenë është paraqitur disa herë nga Tintoreto: në njërën prej tyre, Suzana është e qetë, abstrakte, fshin këmbën dhe shihet në pasqyrë, pa e kuptuar se një tullac, i cili, pas një gardhi me trëndafila, i vështron kofshët e hapura plotësisht. Në një version të Ludovico Carracci, një nga pleqtë shqyen tunikën e Suzanës, duke e lënë krejt lakuriq. Një Suzanë krejt e ndryshme është ajo e krijuar nga Artemisa Xhentileski, e lindur në Romë në 1593, e cila pikturoi skenën në 1610, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare. Në versionin e saj, dy burra dalin pas një parmaku mermeri, duke ndërprerë me dhunë abdesin e Suzanës. Koka dhe trupi i saj zmbrapsen nga të paftuarit, ndërsa ngre dorën, një lloj vetëmbrojtje e paefektshme. Çuditërisht, me dorën tjetër, ajo mbron fytyrën, mbase kjo Suzanë nuk dëshiron që burrat ta identifikojnë, të dallojnë ankthin e saj; ajo nuk dëshiron të shikojë përndjekësit e saj. Nisur nga përbërja emocionale dhe intuita psikologjike, piktura është jashtëzakonisht e sofistikuar për një adoleshente. Siç vëren Mary Garrard, piktura përfaqëson një risi historiko-artistike: është hera e parë që përndjekja seksuale shihet nga sytë e presë. Në një farë mënyre, këtu, njëlloj si në veprat e tjera, Artemisia pretendon rezistencën e grave ndaj dhunës seksuale si një subjekt i ligjshëm i artit. /Konica.al

Qe femra e parë që njohu suksesin si piktore: për këtë arsye Artemisia është vlerësuar, në nivel ndërkombëtar, gjatë jetës së saj. Mirëpo, reputacioni iu zbeh pas vdekjes. Pjesërisht, kjo ndodhi edhe për shkak të mënyrës natyraliste të të pikturuarit të saj, çka nuk kërkohej më, pasi prireshin drejt një qasjeje më klasike. Studiuesit e shekullit XVII mezi e përmendnin, shumë shpejt u bë një shënim në fund të faqes, një shtojcë e ekzistencës së të atit, Oracio Xhentileski, një artist i vlerësuar, i aftë, i specializuar në skena historike dhe mitologjike, në modë në atë epokë. Arti i saj u kthye në dinjitetin kritik në fillim të shekullit XX, kur Roberto Longhi dha një gjykim të zbehtë, duke thënë se ajo ishte “e vetmja grua italiane që dinte se çfarë ishte piktura, ngjyra, vizatimi”. Përgjatë shekujve, Artemisa u verësua gjithnjë e më shumë: në 2001 Muzeu Metropolitan në Nju Jork hulumtoi punën e saj krahas asaj të të atit. Këtë tetor, ekspozita retrospektive në Galerinë Kombëtare në Londër do mbledhë së bashku tridhjetë pjesë nga muzetë dhe koleksionet private në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.

Rivlerësimi i talentit të Artemisës përfshin vlerësimin e përtërirë të aftësive të saj teknike, posaçërisht zotërimin e dritëhijes. Dritëhija zakonisht i atribuohet Karavaxhios, një mik i babait të Artemisës, i cili mbase kishte qenë në kontakt me adoleshenten (siç dihet, piktori i madh u arratis nga Roma në 1606, pasi vrau një njeri në një duel). Një nga pikturat më të rëndësishme të Artemisës: “Giuditta dhe shërbëtorja e saj me kokën e Oloferne”, pronë e Institutit të Arteve të Detroitit, ofron një shembull mjeshtëror të teknikës, me subjektet e ndriçuara, në mes të aksionit, të shoshitura nga ndriçimi i llambës. Në sfond, një perde kadifeje e mbështjellë.

Po ashtu, rilindja e Artemisës lidhet edhe me studimet për jetën e saj, jo më pak e ngarkuar sesa ajo e Karavaxhios. Në 1611, një vit pasi bëri “Suzana dhe pleqtë”, Artemisa u përdhunua nga një mik i të atit, artisti Agostino Tassi. Sulmi brutal ishte, pashmangshmërisht, dhe shpesh një  mënyrë kufizuese, spektri përmes të cilit mund të analizohej puna e saj. Subjeket e pikturave,  hera-herës të egra janë interpretuar si shprehje e një katarsisi zemërak. Historia e jetës së saj qe frymëzim i romanit të Anna Banti, në 1947; një film i vitit 1997 nga Agnès Merlet, i cili padyshim sugjeron që Tassi ishte një joshës i mirëpritur. Pesë vjet më vonë shkrimtarja amerikane Susan Vreeland preferoi një rrugë feministe, duke e kuptuar përdhunimin e pësuar nga Artemisa si një fakt vendimtar. Sidoqoftë, një sërë studimesh akademike nuk e konsiderojnë të saktë sintetizimin e Artemisisë si figurë mitologjike ose hagiografike, dydimensionale, një viktimë që kërkon hakmarrje përmes artit. Duke studiuar jetën e saj, na ofrohet një kuadër edhe më kompleks. Puna e Artemisës vlerësohet për ekuilibrin me të cilin ajo përzien elementë të ndryshëm të jetës së saj: dhunimin seksual, natyrisht, por edhe amësinë, pasionin erotik, ambicien. Artemisa ishte një grua që ofronte autoritet të rrallë në shumë subjekte artistike. “Do të shihni shpirtin e Cezarit në shpirtin e një gruaje”, – shprehet një nga mbrojtëset e saj.

Artemisia nuk mori një arsim akademik, deri në moshën njëzet vjeç ajo ishte analfabete, por si fëmijë ajo u lejua të vizatonte dhe gjenia e saj ra në sy që herët. “Për tre vjet, ajo është bërë aq e aftë sa mund të guxoj të them, se nuk ka asnjë të barabartë”, i shkruan i ati, Orazio, më 1612, Dukeshës së Toskanës.[…]

Mësoi të portretizonte duke përdorur pasqyrën; fakti që personazhet femra të Artemisisë kanë tiparet e saj, piktura të shumta të sajat konsiderohen si autoportrete, edhe pse nuk është e vërtetë.

Njohu artistë dhe intelektualë si Galileo, dhe poetin Michelangelo Buonarroti i Ri, stërnipi i mjeshtrit të Rilindjes. Midis 1613 dhe 1618 Artemisia lindi pesë fëmijë, gjë që e bën edhe më të mrekullueshme përbërjen e veprave të mëdha të krijuara në atë periudhë. Tre fëmijë vdiqën në moshë të hershme, i katërti, Cristofano, i lindur në 1615, vdiq para se të mbushte pesë vjeç. Vetëm Prudenzia, lindur në 1617, mbijetoi deri në moshën madhore.

Njëzet vjet pas lindjes së fëmijëve, Filipi IV i Spanjës e ngarkoi Artemisën të pikturonte “Lindjen e Shën Gjon Pagëzorit”. Ndryshe nga versionet e Tintoretos dhe Murilos, piktura e Artemisës ka dinamikën intime të dhomës së lindjes […] Puna e saj e fundit e njohur, nga 1652, është një kanavacë e madhe, në të cilën ajo rishikon temën e “Suzanës dhe pleqtë”, së cilës i ishte kthyer disa herë dhe kishte inauguruar karrierën e saj të madhe.

Në qarqet feministe, fama e Artemisës lidhet me veprat më të përgjakshme dhe më shqetësuese. Ndryshimet në subjektin e “Giuditta…” mbeten një ikonografi e parezistueshme, larmia e portretizimit të Suzanës përshkruan një përfaqësim të fuqisë së të pafuqishmit. Histori të tilla të rezistencës mbeten të domosdoshme dhe tërheqëse. Megjithatë, vitet e fundit, studimet janë përqendruar edhe në pikturat më të qeta të Artemisës. Në vitet tridhjetë të shekullit XVII Artemisia ndodhej në Angli, pasi i ati ishte piktor oborri: midis punimeve të Koleksionit Mbretëror spikat “Autoportreti si alegori pikture”. Gruaja ka flokë të shpupuritura, faqe të mbushura, një përparëse të lidhur në bel, mëngët e gjelbra të mëndafshta të mantelit i tunden mbi bërryla. Gruaja nuk shikon përtej pikturës, tipike për autoportretet: ajo është e përqendruar në kanavacë, penelin në dorë. Kjo është Artemisia e sotme: e plotësuar, origjinale, krenare për thirrjen e saj. /Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN