MENU
klinika

Pikat më të rëndësishme

Kosova miraton planin për zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit

19.10.2020 - 21:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar planin për zbatimin e marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington. Kryeministri ka thënë se dokumenti përmban një listë veprimesh që kanë qëllim zbatimin e saj. Ndër pikat më të rëndësishme është kryerja e studimit të fizibilitetit nga amerikanët për Liqenin e Ujmanit.

Në mbledhjen e qeverisë, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj ka thënë se në planin e zbatimit të ekzekutivit, për secilën pikë është bërë një përshkrim ku do të shërbej për t’i njoftuar partnerët për arritjen.

“Tani pritet nga dikasteret që janë nën përgjegjësinë tuaj të merren të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e këtyre aktiviteteve apo veprimeve të dhëna në këtë dokument. Janë disa aktivitete ku përgjegjësia bie në më shumë se një institucion dhe për qëllime të lehtësimit të koordinimit dhe zbatimit të këtyre aktiviteteve kërkohet përkushtim dhe vëmendje e fokusuar edhe nga niveli politik”, tha ai.

Ai ka shtuar se do t’i njoftojnë dhe amerikanët për përmbushjen e këtyre pikave.

“Kjo marrëveshje përfshin obligimet e disa institucioneve. Duke qenë që për shumicën e pikave ka pasur diskutime të mëhershme për secilën pikë është bërë një përshkrim i shkurtër dhe kjo do të shërbejë për t’i njoftuar partnerët për arritjen”, ka thënë ai.

Paraprakisht Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është takuar me një delegacion të Departamentit Amerikan të Energjisë, për të diskutuar zbatimin e projekteve për të cilat është arritur pajtueshmëri më 4 shtator në Uashington. Përveç Hotit, pjesë e delegacionit të Kosovës kanë qenë: zëvendëskryeministri Driton Selmanaj dhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi derisa përballë kanë pasur kryesuesin e delegacionit amerikan, Matthew Zais, ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësues të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Ambasada Amerikanë në Prishtinë përmes një postimi në twitter ka treguar që në këtë takim është folur dhe për studimin e fizibilitetit në liqenin e Ujmanit.

Me delegacionin amerikan, një takim të veçantë ka mbajtur edhe Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi.

Sipas njoftimit për media, Kuçi në ekspozenë e tij rreth strategjisë së ardhshme të energjisë dhe diversifikimit të burimeve, tha se kjo strategji do të mbështetet në pesë shtylla, burimet e energjisë së ripërtritshme, burimet e linjitit, burimet e gazit, aplikimi i masave efiçente të energjisë dhe integrimi në tregun regjional.

“Mbi këtë bazë, ministri Kuçi u zotua për projektet konkrete që do të trasojnë rrugën për jetësimin e këtyre objektivave. Në aspektin e Studimit të Fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, si një nga pikat e veçanta në Marrëveshjen e 4 Shtatorit, ministri Blerim Kuçi paraqiti një historik të shkurtër të Ndërmarrjes Publike ‘Iber-Lepenci’, e cila që nga viti 1967 operon dhe menaxhon me asetet ekzistuese, përfshirë edhe Liqenin e Ujmanit”, thuhet në njoftim.

Në komunikatën për media thuhet se “me qëllim të implementimit të suksesshëm, Qeveria e Kosovës do të procedojë planin aksional që do të koordinoj punën me grupe teknike vendore për marrëveshjet e 4 shtatorit”.

Javën e kaluar Kosova është vënë në lëvizje për të zbatuar një tjetër pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Ajo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.