Një satelit vrojtues i tokës pritet të niset drejt hapësirës nga Kalifornia muajin që vjen.
Sateliti që është prodhim evropian do të dërgojë në tokë vlerësimet më të sakta ndonjëherë për nivelin e ujërave, duke ndihmuar shkencëtarët të studiojnë gjendjen e oqeaneve si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Rritja e nivelit të detit shkaktohet nga ngrohja e oqeaneve dhe shkrirja e akullnajave. Shkencëtarët thonë se edhe ndryshimet e vogla të nivelit të detit mund të çojnë në vërshime.
Sateliti i ndërtuar në Evropë që njihet me emrin Sentinel-6, është projektuar që të kryejë matje precize të ndryshimeve në nivelet detare.
Krijuesit e tij bënë provat e fundit vitin që shkoi në Gjermani, përpara se të dërgohej drejt bazës së forcave ajrore Vandenberg në Kaliforni, prej nga më 10 nëntor do të lëshohet drejt hapësirës.
“Niveli i detit është simptomë e drejtpërdrejtë e ngrohjes globale, prandaj është e rëndësishme të matet me saktësi. Rritja e nivelit të detit lidhet me shkrirjen e akullit në pole, ka të bëjë me akumulimin e nxehtësisë së oqeaneve. Prandaj Sentinel-6 është i rëndësishëm për shoqërinë“, thotë Pierrik Vuilleuimer, menaxher i projektit “Sentinel-6”.
Misioni vjen si bashkëpunim midis agjencive të ndryshme si ajo Evropiane e Hapësirës, ajo amerikane NASA dhe Administrata amerikane e Oqeaneve dhe Atmosferës (NOAA).
“Kemi nevojë që bashkëpunimi të vazhdojë sepse kështu sigurojmë matjet kryesore për ndryshimet e klimës dhe prirjet që jemi duke i grumbulluar që nga viti 1992. Pra kjo bën që të kuptojmë më mirë ngrohjen e oqeaneve dhe shkaktarët e rritjes së temperaturave duke na ofruar të dhëna se për sa mund të ndryshojë niveli i detit në të ardhmen”, thotë Sandra Kaufmann, Drejtore e Sektorit të Shkencës së Tokës në NASA.
Misioni i parë i vëzhgimit me satelit zgjat pesë vite e gjysmë. Një satelit i njëjtë, i quajtur Sentinel-6B, pritet të niset drejt hapësirës më 2025, duke u ofruar shkencëtarëve të dhënat e ndryshimeve klimatike gjatë 10 viteve. VOA/