MENU
klinika

Kategoritë që përfitojnë

Ligji 20.2020/Si do të përfitohen prona në fshat pa shpërblim?

22.10.2020 - 18:34

Eglantina Frroku, shefe e sektorit të kontrollit tekniko-ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, ka shpjeguar në një intervistë ekskluzive për gazetën “Fjala”, se si veprohet me ligjin nr.

20/2020, ligj ky që përcakton procedurat për përfundimin e proceseve kalimtare të regjistrimit të titujve të pronësisë për pasuritë e paluajtshme në pronësi shtetërore dhe private, si dhe të inventarizimit, transferimit, trajtimit dhe regjistrimit përfundimtar të tyre. Cilat janë kategoritë që përfitojnë dhe procedurat e dorëzimit të dokumentacionit.

Çdokush që ka pasur një pronë në përdorim dhe e ka shfrytëzuar ndër vite, por nuk disponon asnjë dokument, së shpejti mund të bëhet pronar i saj. Kjo është fryma e ligjit 20/2020, e cila do të aplikohet në zonat rurale, por kjo nuk vlen në zonat bregdetare. Nisma vjen si ndihmë për regjistrimin e pronave në zonat rurale, edhe për ata individë të cilët deri më tani nuk kishin AMTP (Aktin e Marrjes së Tokës në Përdorim).

I gjithë procesi i regjistrimit të pasurisë do të jetë pa shpërblim dhe nisma ka shfaqur interes në shumë zona rurale të vendit. Duke qenë se trajtimi i pronave mbetet një problem madhor, në këtë ligj përjashtohen zonat bregdetare. Shefja e sektorit të kontrollit tekniko-ligjor, në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, Eglantina Frroku, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Fjala”, tregon të gjithë hapat që do të ndërmerren dhe cilat janë kategoritë përfituese.

Prej disa muajsh ka hyrë në fuqi ligji “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”. Çfarë zgjidhet nëpërmjet këtij ligji, i cili është një nga ligjet më të rëndësishme në Shqipëri?

Ligji nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, u ka hapur rrugën e zgjidhjes shumë problemeve që lidhen me pronat dhe që në gjithë këto vite i kanë penguar shqiptarët për të gëzuar të qetë pasurinë e tyre.

Ky ligj përcakton procedurat për përfundimin e proceseve kalimtare të regjistrimit të titujve të pronësisë për pasuritë e paluajtshme në pronësi shtetërore dhe private, si dhe të inventarizimit, transferimit, trajtimit dhe regjistrimit përfundimtar të tyre.

Qëllimi i këtij ligji është mjaft i gjerë dhe përfshin:

-regjistrimin e titujve të pronësisë, të dhënë sipas akteve ligjore e nënligjore për pronësinë mbi tokën bujqësore, të miratuar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;

-përfundimin e procesit të kalimit në pronësi, pa shpërblim, përdoruesve të tokave bujqësore të ish-kooperativave dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore;

-legalizimin dhe regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme, të ndërtimeve pa leje, objekteve dhe trojeve funksionale, kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe të oborreve në përdorim;

-rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë në territoret e cilësuara si “zona të stimuluara, me përparësi zhvillimin e turizmit”,
përfundimin e procesit të inventarizimit të pronave të paluajtshme të shtetit, përditësimin e inventarëve të pronave të paluajtshme të pushtetit qendror dhe atyre të transferuara njësive të

-vetëqeverisjes vendore, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe të regjistrimit në regjistrin publik;

-trajtimin e mbivendosjeve dhe problemeve të krijuara si pasojë e gabimeve materiale, parregullsive në zbatimin e ligjit apo mosveprimit të organeve shtetërore në fushën e pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme;

-përfundimin e procedurave të kalimit në pronësi për: trojet e paprivatizuara të ndërtesave të privatizuara, trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, trojet e paprivatizuara, mbi të cilat janë ngritur ndërtesa, në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore, pas datës 10.08.1991 e në vazhdim, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, shitja e të cilave është realizuar nga ish-kooperativat bujqësore apo organet e qeverisjes vendore.

-Dhe e fundit, por jo më pak i rëndësishëm është standardizimi dhe njësimi i dokumentacionit hartografik për regjistrimin e pronës së paluajtshme.

Çfarë do të ndodhë me ata që e kanë Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi, por nuk kanë përmbyllur procedurat e regjistrimit? Cfarë kushtesh duhet të plotësohen?

Nga procesi i ndarjes së tokës deri tani kanë përfituar rreth 450000 familje fshatare, me rreth 1,8 milion pasuri toke, një pjesë e mirë e të cilave janë ende të pacertifikuara. Pikërisht në këtë proces është fokusuar puna jonë gjatë këtij viti.

Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi, i fituar përpara hyrjes në fuqi të Ligjit 20/20, i cili është i paregjistruar, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Në këtë rast ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret:

-përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore;

-përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore;

-toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit.

Për AMTP-të që plotësojnë kriteret e mesipërme, kur kanë mangësi në elementet e formës, mungesa e këtyre elementeve nuk pengon regjistrimin, me kusht që nga dokumentacioni i procesit të ndarjes së tokës bujqësore, që ASHK-ja administron, ose që paraqet subjekti si provë, vërtetohet se subjektit i është dhënë tokë në pronësi.

Përtej kësaj, ende rezultojnë rreth 22000 familje fshatare të cilat janë pajisur pjesërisht ose nuk janë pajisur asnjëherë me tokë bujqësore.

Këto 2 kategori kanë afat deri në datë 7 nëntor për t’i krijuar mundësinë vetes për t’u pajisur me AMTP. Ajo çka duhet të bëjnë është aplikimi me një kërkesë pranë bashkive në këto ditë që kanë mbetur.

Të gjithë personat që aplikojnë brenda datës 7 nëntor do të përfitojnë tokë bujqësore?

Përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore, subjektet që janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim.

Nje kategori tjetër e subjekteve përfituese janë edhe punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 1.8.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 1.8.1991, personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 1.8.1991, si dhe personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre.

Gjithashtu, e përfitojnë personat që nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje bujqësore tjetër deri në 6 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe personat që janë përdorues faktikë të tokës bujqësore.

Si do të verifikohen sipërfaqet?

Gjatë procedurave të regjistrimit ose përmirësimit të regjistrit të pasurive të paluajtshme, ASHK-ja plotëson me elementet hartografike AMTP-të që nuk janë të shoqëruara me dokumentacion hartografik, ose saktëson dokumentin hartografik. Agjencia verifikon nëse të gjithë përfituesit e tokës bujqësore në territorin e ishkooperativës dhe/ose ish-ndërmarrjes bujqësore kanë në posedim aq sipërfaqe sa është parashikuar në AMTP.

Nëse ka subjekte që posedojnë më pak dhe të tjera më shumë sesa në AMTP, Agjencia përcakton ose korrigjon kufijtë e sipërfaqeve, sipas sasisë së AMTP-ve dhe i pasqyron ato në hartën kadastrale. ASHK-ja i ofron subjektit që posedon më pak se sipërfaqja e përcaktuar në AMTP, mundësinë për t’u plotësuar me këto sipërfaqe, deri në sasinë e përcaktuar në AMTP, në rastet kur korrigjimi, sipas kësaj pike, nuk mund të realizohet dhe në territorin e ish-kooperativës dhe/ose ish-ndërmarrjes bujqësore ka sipërfaqe të lira shtetërore.

Nëse gjatë saktësimit dhe pozicionimit në hartën kadastrale të sipërfaqes, sipas AMTP-ve, rezulton se është e pamundur që sipërfaqja të pasqyrohet në regjistër në pozicionin e përcaktuar në AMTP tërësisht, ose pjesërisht, ASHK-ja vepron si vijon:

udhëzon përfituesit e AMTP-së dhe/ose të titujve të tjerë të pronësisë për të zgjidhur gjyqësisht mosmarrëveshjen, kur, për të njëjtën sipërfaqe toke, ose pjesë të saj, paraqiten për regjistrim më shumë se një pronar pretendent, ose kur nga përmirësimi rezulton se janë regjistruar më parë tituj pronësie.

A pretendon ky ligj të mbyllë të gjitha proceset 30-vjeçare të pronësisë?

Në vitin 1991 nisi ndarja e tokës me ligjin 7501, në 1993 kthimi i tokave tek ish-pronarët, më vonë procese të tjera të regjistrimit të banesave dhe oborreve, legalizimet etj. Këto procese nuk janë mbyllur ende dhe ky ligj do t’i mbyllë të gjitha këto procese. Është thënë shpesh herë, në mënyrë që njerëzit të kuptojnë funksionin e Kadastrës, se Kadastra nuk është gjykatë, por magazinë e pronave.

Njerëzit, në dëshpërimin 30-vjeçar, na drejtohen sikur do të zgjidhim problemet e tyre. Por, problemet zgjidhen ose nëpërmjet ligjit, kur ai është i qartë se kujt i takon prona dhe Kadastra bën regjistrimin; ose me gjyq në rastin kur për të njëjtën pasuri pretendojnë pronësinë dy ose më shumë persona pasi nuk ka rrugë tjetër. Në sistemin kapitalist, gjyqësori vendos se kush ka të drejtë mes dy personave që kanë konflikt. Ashtu siç po përmbyllet me sukses procesi i legalizimeve, do të vijojnë të përmbyllen edhe proceset e tjera të cilat janë përkufizuar si procese kalimtare të pronësisë.

Kur përfundon afati?

Përtej kësaj, ende rezultojnë rreth 22000 familje fshatare, të cilat janë pajisur pjesërisht ose nuk janë pajisur asnjëherë me tokë bujqësore.

Këto 2 kategori kanë afat deri në datë 7 nëntor për t’i krijuar mundësinë vetes për t’u pajisur me AMTP. Ajo çka duhet të bëjnë është aplikimi me një kërkesë pranë Bashkive në këto ditë që kanë mbetur.

Si zgjidhen, nëse ka probleme?

Njerëzit, në dëshpërimin 30-vjeçar, na drejtohen sikur do të zgjidhim problemet e tyre. Por, problemet zgjidhen ose nëpërmjet ligjit, kur ai është i qartë se kujt i takon prona dhe Kadastra bën regjistrimin; ose me gjyq në rastin kur për të njëjtën pasuri pretendojnë pronësinë dy ose më shumë persona pasi nuk ka rrugë tjetër.

Në sistemin kapitalist, gjyqësori vendos se kush ka të drejtë mes dy personave që kanë konflikt. Ashtu siç po përmbyllet me sukses procesi i legalizimeve, do të vijojnë të përmbyllen edhe proceset e tjera të cilat janë përkufizuar si procese kalimtare të pronësisë.

Kadastra nuk verifikon AMTP-të para hyrjes në fuqi të ligjit 20/2020

Akti i marrjes së tokës në pronësi, i fituar përpara hyrjes në fuqi të Ligjit 20/20, i cili është i paregjistruar, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Në këtë rast ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret:

përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore;
përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore;
toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit.