MENU
klinika

Mbushen dy spitalet COVID

Maskat me detyrim dhe rikthimi i gjobave një ditë pas amnistisë

12.10.2020 - 07:11

Mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme jo vetëm në ambientet brenda, por edhe jashtë. Prej së enjtes së 15 tetorit, çdokush që do të guxojë të dalë nga shtëpia pa maskë, do të përballet me gjobë.

Lajmi u komunikua gati një javë para se të konkretizohet, duke ngritur pikëpyetjen se ç’ngut mund të ketë pasur Kryeministri për të dhënë këtë njoftim qysh në fundjavë. Maskat dhe gjobat.

Por, vendosja e maskave me detyrim do të rikthejë edhe gjobat. Një hap ky që vjen vetëm fill pas vendimit për amnistinë e gjobave të mëparshme. Pra, teksa të premten hyri në fuqi vendimi për fshirjen e gjobave dhe kthimin e çdo qindarke atyre që i kishin paguar, të shtunën qytetarëve u komunikohet vendimi për rikthimin e tyre tek ata që nuk do të pranojnë të vendosin maskë edhe në ambjentet e jashtme.

Në daljen e tij para mediave, së bashku me ministren e Shëndetësisë, Kryeministri e justifikoi vendimin për vendosjen e maskave me detyrim si një masë parandaluese ndaj rikthimit të një karantine të dytë, diktuar kjo nga shifrat në rritje të të infektuarve dhe të shtruarve në spital.

E, në fakt, shtrimet në spital janë treguesi i vetëm, ndoshta real, i situatës së COVID në vendin tonë. Aktualisht, duke iu referuar të dhënave të autoriteteve, numri i shtrimeve në dy spitalet COVID ka shkuar në 246, çka do të thotë se po punohet me kapacitet të plotë dhe se kjo javë mund të shënojë edhe hapjen e spitalit COVID 3, që është pavijoni i ish-Kirurgjive në QSUT.

“Nga java e ardhshme maska do të jetë e detyrueshme kudo, përveç shtëpisë, restorantit apo barit ku je ulur në tavolinë për të konsumuar atë pjesë të kohës aty. Maska do të jetë e detyrueshme në çdo mjedis, në çdo rrugë, në çdo hapësirë publike dhe masa ndëshkimore do të zbatohet për të gjithë te fatura e dritave. Të mos ketë asnjë iluzion, asnjë individ që mund t’i shmanget gjobës. Nuk po bëj këtu një rezyme të vendeve që kanë filluar ta aplikojnë maskën edhe jashtë. Italia përpara pak ditësh e vendosi detyrim-përcaktim, të gjithë vendet e rajonit po shkojnë drejt kësaj mase dhe t’ju tregoj sesa gjoba janë vënë në Itali vetëm në një javë”, tha Kryeministri.

Ndërsa hoqi këtë paralele me Italinë, kreu i qeverisë ndoshta harroi që në Itali kryhen më shumë tamponë brenda 24 orëve sesa janë kryer në vendin tonë përgjatë 42 javëve të pandemisë. Masa e gjobave do të caktohet të mërkurën, ndërsa mbledhja e tyre do të bëhet përmes faturave të dritave. “Ditën e mërkurë, ne do të publikojmë masat ndëshkimore dhe nga dita e enjte, të gjithë me maskë, sapo nxjerrin veten nga shtëpia, kudo. Gjobat do të zbatohen në kohë reale. Nuk do ketë më asnjë mundësi për t’u shmangur gjobave, sepse do t’i zbatojmë me OSHEE-në”, tha Rama. Kreu i qeverisë bëri me dije po ashtu do të jetë Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake që do të monitorojë situatën në terren. “Policia e Shtetit, së bashku me Policinë Bashkiake do të survejojnë të gjithë territorin dhe do të jenë me tolerancë zero për maskat, në rrugë, në autobus, në makinë, në trotuar, në shesh, në park dhe brenda nuk diskutohet. Nëse për bizneset gjoba do të vendoset në rrugën tradicionale, për individët gjoba do të faturohet në faturën e dritave. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër”.

SITUATA

Lidhur me situatën, të dielën janë raportuar 168 raste të reja pozitive me COVID-19. Veç Tiranës, një numër i lartë rastesh është regjistruar edhe në Elbasan e Korçë.

“Në 24 orët e fundit janë kryer 943 testime në 24 orët e fundit, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 168 qytetarë të prekur nga virusi SARS-COV2. Janë shëruar 94 qytetarë, duke e çuar në 9500 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë. Rastet pozitive të konfirmuara në 24 orët e fundit janë identifikuar në këto bashki: 65 raste në Tiranë, 20 raste në Elbasan, 14 raste në Korçë, 12 raste në Shkodër dhe Durrës, 8 raste në Krujë, 7 raste në Kavajë, 6 raste në Tropojë, 4 raste në Shijak, 3 raste në Devoll, Lezhë, Gramsh, 2 raste në Vlorë dhe Klos, 1 rast në Fier, Kurbin, Kamzë, Fushë-Arrëz, Dibër, Kuçovë, Maliq”, bëri me dije Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit kanë humbur betejën me koronavirusin 4 pacientë duke e çuar në 420 numrin e personave që kanë humbur betejën me sëmundjen që nga fillimi i pandemisë. Ndërsa në spital shifrat e pacientëve të shtruar janë rritur ndjeshëm, duke bërë që dy spitalet COVID të punojnë me kapacitet të plotë.

“Aktualisht, në Spitalin Infektiv dhe ‘Shefqet Ndroqi’ po trajtohen 246 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët 5 janë të intubuar. Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me COVID 19, katër qytetarë: një 64-vjeçar nga Shkodra, dy 67- vjeçarë, një nga Elbasani dhe një nga Tropoja dhe një 68- vjeçar nga Kuçova”.

“Vendosja e maskës ul rrezikun e infektimit”

Një ditë pasi u bë publik vendimi i ri se nga 15 tetori do të bëhet e detyrueshme mbajtja e maskave kudo, përveç shtëpisë dhe restorantit apo barit ku konsumon diçka, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, thotë se zbatimi i rregullave të vendosura do të ulë me 60% rrezikun e infektimit nga koronavirusi. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ministrja ka apeluar që të respektohen masat antiCOVID në çdo ambient jashtë apo brenda si një mënyrë kjo për të minimizuar rrezikun e infektimit nga koronavirusi. ”Të kontribuojmë të gjithë për të fituar betejën më të rëndësishme, betejën për shëndetin. Vendose maskën ose barrierën mbrojtëse prej tekstili kudo, në çdo ambient jashtë shtëpisë! Pa harruar të ruash distancën dhe kujdesin për higjienën. Me zbatimin e këtyre rregullave ulet me mbi 60% rreziku i prekjes nga COVID 19″, ka shkruar Manastirliu. Të shtunën u komunikua vendimi për mbajtjen e maskave me detyrim dhe se do të përballen me gjoba ata, të cilët nuk do t’i binden vendimit të qeverisë. Masa e gjobës do të përcaktohet përmes një Akti Normativ, që do të kalojë në mbledhjen e së mërkurës, ndërsa u bë me dije paraprakisht se vjelja e gjobave do të bëhet mes faturave të dritave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Shoku i tij Martini u vra, ndërsa vetë mori 5 plagë me thikë

Zbardhet dëshmia e 14-vjeçarit tek Trauma!

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin