Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shtunën është shprehur se presidenti Meta është në rolin e tij dhe beteja e opozitës për standardet zgjedhore ka qenë një betejë e përditshme.
Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët nga selia blu, Basha u pyet nëse Presidenti po sillet si kreu i opozitës, por ai theksoi se nuk mendohet që të ketë marrë rolin e Presidentit të Republikës, pasi Meta është në rolin e tij, duke shtuar se beteja për standardet zgjedhore ka qenë një betejë e përditshme dhe do të jetë e tillë.
“Është e qartë se përpara kemi një grup të strukturuar kriminal i cili po e lë me qëllim pandeminë të përparojë, po e lë me qëllim krizën të përparojë në mënyrë që këto para që sot mund të shërbenin për të forcuar shëndetësinë, për të forcuar kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe për të ndihmuar njerëzit në nevojë, t’i vjedhë dhe t’i gllabërojë. Dhe këto janë llogaritë e grupit të strukturuar kriminal të Edi Ramës“, tha Basha.
Sipas tij, Rama s’ka asnjë plan as për pandeminë, as për ekonominë, pasi është vetëm një gjobvënës.
“Pse duhet Rama t’i paguajë një pensionisti 100 mijë lekë për 6 muaj, apo një të papuni. Kjo është llogaria e Edi Ramës, që ta çojë gjendjen sa më keq, që të shpërndajë ndihma me pikatore. Ato para ai i do që të blejë dinjitetin e shqiptarëve. është në kolaps një vend pa institucione. Fati i shqiptarëve ka mbetur në dorën e një bande hajdutësh. çdo ditë përdridhen dhe i grabisin popullit miliona euro“, tha Basha.
“Asnjë medikament për trajtimin e COVID nuk rimbursohet dhe ky është krim i pafalshëm“, theksoi Basha.
Lideri i opozitës akuzoi qeverinë se nuk po jep buxhet të mjaftueshëm për sistemin shëndetësor në vend si dhe nuk i ka ofruar asnjë ndihmë të prekurve me COVID-19.
“Dy krizat janë kriza shëndetësore dhe ajo ekonomike. Kam marrë me qindra, mijëra sms gjatë këtyre ditëve nga qytetarët, të cilët thonë se “pse lodhesh, ai s’ka bërë gjë për këto 8 vite, s’do bëjë gjë më”. Unë dua t’u them se nuk do të lodhëm duke përsëritur kërkesën që shtetit shqiptar t’u kthejë qytetarëve shqiptarë paratë e taksave të tyre në formë mbështetje që kanë sot nevojë. Sot qytetarët që kanë nevojë për testin e covid, s’e bëjnë dot. Qindra të tjerë s’kanë mundësi që të marrim mjekimin e duhur. S’kanë mundësi financiare për kurimin ndaj covid-it. Mijëra qytetarë nuk i sigurojnë dot shportën ushqimore, ata presin ndihmë nga shteti. 1/3 shqiptarë nuk e përballojnë dot jetesën. Shumica e bizneseve janë në prag falimentimi. Nuk do të lodhem duke përsëritur që shteti shqiptar të kryejë detyrimin ndaj shqiptarëve dhe të vërë në lëvizje këto fonde. Siç e bëri të ditur dhe Zëri i Amerikës, se numri i testimeve ka rënë, është rritur numri i të infektuarve. Asnjë medikament që jepet për të trajtuar COVID-in nuk rimbursohet. Mosrimbursimi i ilaçeve në këto kushte është i pafalshëm. Kjo është çështje jete, çështje shëndeti. Kemi 2 javë e gjysmë që kërkojmë që sistemi i shëndetësisë të vihet në alert të plotë, por nga kulltuqet e zyrave bëjnë propagandë. Sot që flasim buxheti i sistemit të shëndetësisë vijon të jetë sa gjysma e buxhetit të shëndetësisë në Maqedoni. Paratë po përpihen nga aferat korruptive”, tha Basha.
Kreu i PD-së nuk ka ndalur as në konferencën e sotme akuzat për incerenatorët, duke thënë se pas 25 prillit, për aferat të cilat ai i quan korruptive do të ketë përgjegjës që edhe mund të jenë në burg.
“Çdo kontratë e inceneratorëve e lidhur në kushtet e korrupsionit është e pavlefshme. Brenda javës së ardhshme do ta shpalosim këtë plan. Të gjithë ata që janë të përfshirë në aferën e “inceneratorit të Elbasanit” mbase do të jenë dhe të dënuar nesër. E kapi gazetari me presh në duar Ramën kur i tha sa energji ke punuar me këtë. Inceneratori i Elbasanit, si ai i Fierit janë afera të pastra mafioze. I Elbasanit nuk punon, sado pak energji prodhon ai nuk punon. Kanë marrë 75 milion euro të shqiptarëve dhe ia kanë dhënë një njeriu të vetëm. PD nuk ia mbyll dot gojën. Pas 25 prillit të gjithë do të jenë nën akuzë, tha Basha.
Basha ka bërë thirrje sërish që qeveria të zbatojë planin me 5 pika të propozuar nga PD-ja për të mbështetur qytetarët.
“Kjo paketë ka një shtrirje për një periudhë 6 mujore dhe kap shifrën e 312 mln euro, ose 52 mln euro në muaj. Ky plan është i përbërë nga 5 pika; mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor; arsimim i sigurt i fëmijëve; ndihmë për biznesin e vogël”, tha kryedemokrati.
Më tej, Basha propozoi 20 mijë lekë për pronarët që marrin në punë punonjësin e larguar, dyfishim të ndihmës ekonomike, çek 1000 euro për biznesin e vogël, çek 2 mijë lekë të reja për pensionistët.