Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe ajo Shqipërisë, u takuan sërish në një ritual të përvitshëm, i cili zë fill nga një ide e shprehur nga Arbën Xhaferri në vitin 2007, pra një vit para se Kosova të shpallte pavarësinë: Ideja e Komunuelthit ekonomik dhe shumëpërmasor midis shqiptarëve, e cila nënkupton institucionalizimin e marrëdhënieve midis qeverive, shoqërisë civile, drejtësisë, e më tej kulturës, artit, të dy a më shumë shteteve ku ka shqiptarë. Është një ide e rimarrë pastaj nga ish-presidenti Pacolli në parlamentin e Shqipërisë, kryeministri Rama në 2013-ën në Parlamentin e Kosovës, duke vijuar më tej të institucionalizohet përfundimisht me takimin midis dy qeverive në Prizren më 2014-ën.
Marrëdhëniet LDK – PS dhe dy kryeministrave
Përgatitja e këtij takimi. Vetë takimi shënon një risi në përmirësimin e marrëdhënieve midis dy partive kryesore të Shqipërisë dhe Kosovës, LDK-së dhe PS-së, dhe një fuqizim të marrëdhënieve midis Ramës dhe Hotit. Ndërkohë, që deri më tani sipas një paradigme të konsoliduar, Rama kishte preferuar marrëdhëniet me Partinë Demokratike të Kosovës, udhëhequr nga z.Thaçi apo, z.Veseli tani, dhe marrëdhëniet personale, më të privilegjuar me këta dy drejtues, posaçërisht me Thaçin, i cili sot përballet me vështirësitë e Hagës. Ishte rasti që me ministrat- më së shumti të LDK-së, por edhe të z. Haradinaj (“vëllait të idhnuar” ende), Rama të ilustronte disa nga ato që janë prioritetet e tij. Kryeministri Rama e shfrytëzoi takimin për të konsoliduar këtë marrëdhënie që po kristalizohet midis dy kryeministrave me profile të ndryshme – Rama, një njeri impulsiv, me një retorikë të fuqishme, ekzibicionist, me lidhje të fuqishme ndërkombëtare, e nga ana tjetër, Hoti, një teknokrat i fushës së financës, ekonomisë, i cili mban profil të ulët retorik, me nerva të qeta, me stabilitet psikologjik. Ishte një Ramë që mori letër nga Presidenti Trump, ku i kërkohej të distancohej nga Kina dhe të zhvendoste ambasadën në Jeruzalem,kurse Hoti vinte nga Dhoma Ovale, vizitë që e endërrojnë shumë liderë ballkanikë, ku u soll me qetësi dhe vetëpërmbajtje unike-vizitë prej nga ku perceptohet një rritje e tij publike në Kosovë.
Kreu i qeverisë shqiptare e shfrytëzoi këtë audiencë për të shprehur ndjenjën e triumfit në raport me atë që ishte iniciativa e tij, në të cilën ndihet një lloj nuni a ekzekutori, për të ashtuquajturin “Minishengeni Ballkanik”, së bashku me Vuçiçin dhe Zaevin. Triumfi i idesë vinte pas legjitimitetit të fituar duke u përfshirë si një nga pikat e marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke shënuar njëkohësisht përfshirjen e Kosovës në këtë iniciativë rajonale. E cila hëpërhë mbetet si iniciativë protokollare e mbetur pezull hëpërhë për të krijuar frymë të relaksuar në marrëdhëniet ndëretnike. E vetmja mundësi që Minishengeni të fitojë peshë është nëse kjo iniciativë do shndërrohet në një lloj forumi i ndërvarur nga SHBA-të, paralelisht me Procesin e Berlinit dhe projekteve që financohen nga BE.
Financimi i Hidrocentralit të Skavicës nga SHBA
Ndërkohë, Rama pati rastin që të shpërfaqte njërin nga ato që është produkti kryesor i marrëveshjes së Uashingtonit, financimi i atyre projekteve që kanë karakter ndëretnik, apo ndërshtetëror në Ballkan, siç është ai i Hidrocentralit të Skavicës. Ky ngjan se ishte në fakt lajmi më i rëndësishëm i këtij takimi, sa kohë që Hidrocentrali i Skavicës shënon jo thjeshtë furnizimin me energji elektrike të Kosovës nga Shqipëria, por një lloj forcimi të pavarësisë energjitike të dy shteteve shqiptare nga Serbia e cila është një aktore rajonale, për shkak se jo thjeshtë prodhon energji, por dhe kontrollon linjat e transmetimit. Është për tu vlerësuar nga pikëpamja strategjike që ky projekt pavarësimi energjitik i shqiptarëve të financohet pikërisht nga SHBA-të, të cilët menjëherë dërguan në rajon Nënsekretarin për Ekonominë, Crash. Në këtë linjë duhet parë financimi i Portit të Vlorës, si pika hyrëse e Korridorit tetë, që do ta rriste dhe rëndësinë e Shkupit, ku jetojnë shumë shqiptarë, si pikëtakimi i korridoreve të rëndësishme rrugore, apo dhe të shqiptarëve si komb në raport me këto korridore. Ndoshta, Porti i Vlorës po shihet si rivale i portit të thellë të Shëngjinit (Rana e Hedhur), por secili ka epërsitë e veta.
Cila ishte mangësia e këtij takimi?
Takimi i dy qeverive pati një sërë marrëveshjesh, por ajo që duhet evidentuar në këtë shfaqje e cila po merr gjithnjë e më tepër karakter ceremonial, burokratik, dhe ngushtësisht qeveritar, është fakti se duhet të ishte shumëplanësh institucionalizimi për të cilën flitet në idenë e themeluesit të kësaj ideje, Arbën Xhaferrit, apo dhe në modele të ngjashme, ai i Komunuelthit britanik. Ky takim nuk mund të ishte i vetëm dy qeverive, por edhe i subjekteve të biznesit midis vetes, apo me qeveritë përkatëse, e më tej njëlloj midis subjekteve të kulturës, të shoqërisë civile, etj, si një lloj feste kombëtare, një lloj tubimi kombëtar, i cili të gjeneronte energji, ide të reja, të rriste dialogun, komunikimin ndërshqiptar, dhe së fundmi të ishte më konkret dhe pse jo- vetëm në këtë mënyrë mund të kishte impakt edhe elektoral. Kjo gjë nuk u bë! Për pasojë, bizneset, grupet e ndryshme mundohen që të ndikojnë në këtë takim nga jashtë, por jo duke qenë pjesë e tyre. Ky është një difekt, që do të duhet korrigjuar në vitet në vijim.
Rrjedha nga takimi i Uashingtonit
Duhet pohuar që ky takim u realizua një muaj pas takimit të Uashingtonit, pas marëveshjes Kosovë-Serbi, dhe në këtë mënyrë ai nuk mund të mos ishte i ndikuar apo i ndërlidhur me të. Ky takim ishte shtyrë dy vjet me radhë, dhe duke llogaritur se prapaskena e tij për të kufizuar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan, janë 13 miliard dollarët e premtuar nga institucione mbipartiake financiare amerikane, atëherë s’mbetet gjë tjetër se të pranosh se mbrapa tij ka njëlloj vizioni afatgjatë. Shqiptarët thjesht duhet të ripropozohen si faktor kombëtar i përbashkët, me projekte që theksojnë rëndësinë e tyre në kontrollin e korridoreve rrugore apo porteve të rëndësishme në këtë vizion amerikan. Nuk ka dert se Shqipëria rreshtohet me Bashkimin Evropian, duke mos e zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi, e ndërkohë që Kosova rreshtohet me SHBA-të: kjo divergjencë është pasuruese, dhe jo problematike.
Problemet dhe polemikat ndërshiptare
Takimi i dy qeverive, megjithatë vë gishtin në problemet e mëdha që ekzistojnë në marrëdhëniet ndërshqiptare, të cilat krijojnë pengesa në heqjen e barrierave midis dy ekonomive, tregjeve, shoqërive, midis dy shteteve në tërësi.
Këto probleme i krijojnë aktorë prodhues, tregëtarë, etj, të cilët janë të interesuar që të ruajnë status quon në tregjet respektive që pretendojnë që të jenë dominantë në këto tregje duke u ndjerë të kërcënuar nga dinamika që krijohet prej dyv shteteve që krijojnë një hapësirë unike nga pikëpamja ekonomike, kulturore, etj. Janë këto faktorë me natyrë ekonomikë që janë prodhim i realiteteve tona të brendshme, pse jo edhe të induktuara apo të frymëzuara nga jashtë nga shtete që nuk e duan këtë avancim të shqiptarëve, që t’i pengojnë të avancojnë, të rrisin mirëkuptimin mes tyre dhe për pasojë dy shtetet tona kanë konfliktualitet më të lartë seç ka Shqipëria me një shtet tjetër që i përket një kombi tjetër, ndërkohë që me vetë Kosovën konsumon polemika shpesh agresive në nivel të udhëheqësisë. Kësisoj Rama nuk duhet t’ja kishte lejuar vetes që të përmendte Kurtin apo Haradinajn në një takim të tillë, sepse Kosova ka nevojë si kurrë më parë për bashki dhe jo ndarje. E vetmja alibi ngjan loja që ai bën duke folur si vëllai i madh i kësaj hapësire të përbashkët duke i konsideruar partitë e Kosovës si parti të një spektri politik kombëtar.
Shqipëria dhe Kosova duhet të reagojnë njëzëri dhe për Luginën e Preshevës, duke ndikuar Serbinë njëzëri sa i takon Medvegjës, që në sipërfaqe është komuna më e madhe në Serbi, por që është e izoluar nga rrugët e komunikimit rajonal dhe global, po shpopullohet me politika agresive. Sa për shembull, ndonëse ajo është shumë afër Korridorit 10, dhe 30 km afër Prishtinës, Serbia nuk i ndërton ato kilometra. Ndërkohë, në 20 vjet pas konfliktit të Kosovës, Kosova nuk ka ditur të luajë me kartën e statusit të të shpërngulurve nga Lugina, për të ndërtuar paralelen me serbët e Kosovës. Ata duhet të ishin konsideruar si refugjatë duke ju njohur kësisoj një sërë të drejtash nga ana e organizatave ndërkombëtare.
Më poshtë ndiqni analizën në video: