MENU
klinika

"Ushqimi është skandaloz...."

Prej dy ditësh në grevë, çfarë kërkojnë të burgosuit në Reç?

08.10.2020 - 11:22

Dita-ditës institucionet e vuajtjes së dënimit në vendin tonë po pushtohen nga revoltat e të dënuarve.

Fillimisht situata e revoltimit në burg u shfaq në Peqin, aty ku edhe u izoluan dy të dënuar si pasojë e regjimit “41 biss”. Më pas do të vijonte në Shënkoll e Lezhë. Ndërkohë, prej dy ditësh mësohet se revoltat kanë nisur edhe në Burgun “313”, në Tiranë.

Mësohet se rreth 150 të dënuar prej pasdites së të martës nuk pranojnë asnjë punonjës të institucionit të futet brenda në qeli. Madje refuzojnë edhe ushqimin. Revolta sipas burimeve është bërë në katin e dytë të Burgut “313”, ndërsa mbrëmjen e së martës të dënuarit janë dëgjuar duke reaguar ashpër ndaj masave të marra në burg dhe kushteve në të cilat ndodhen.

Ndryshe nga kërkesat që të dënuarit e Burgut Peqin, Shënkoll e Reç i kanë paraqitur Ministrisë së Drejtësisë, të burgosurit e “313-ës” kërkojnë ndryshimin e menysë së ushqimit. Sipas tyre, ushqimi që marrin në burg është i njëjtë dhe skandaloz. Po ashtu, ata thonë se kushtet brenda në qelitë ku ata qëndrojnë në pjesën më të madhe të kohës janë skandaloze dhe se duhet të merren masa sa më shpejt.

Takimi me familjarët është kërkesa e vetme që të dënuarit e kanë renditur të parin në listë. Deri më tani, Drejtoria e Burgjeve apo Ministria e Drejtësisë nuk ka dalë në ndonjë deklaratë për të sqaruar situatën ku po gjenden IEVP-të në vend.

GREVA NË REÇ

Ndërkohë, kujtojmë që prej pesë ditësh 214 të burgosur në Burgun e Reçit në Malësinë e Madhe janë në grevë urie. Të burgosurit i janë drejtuar me një peticion ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke i kërkuar asaj një amnisti të përgjithshme me 2-3 vite për gjithë të dënuarit, ndërsa kërkojnë gjithashtu aprovimin e lejeve shpërblyese, hapjen e takimeve me familjet dhe hapjen e takimeve speciale, të cilat janë të bllokuara për shkak të COVID-19 si masa parandaluese për përhapjen e virusit.

Peticioni është firmosur nga 214 të burgosurit dhe i është drejtuar ministres së Drejtësisë. Ndërkohë, aktualisht të burgosurit janë në grevë urie. “Ne të burgosurit e IEVP Reç paraqesim përpara jush një kërkesë amnistie të përgjithshme, ku gabimet e gjyqësorit në njëfarë mënyre të shfajësohen pjesërisht, sepse jemi koshientë që nuk mund të na shuhen dënimet, por mund të amnistohemi për këtë shkak dhe për situatën ku ndodhet vendi ynë tani.

Që nga viti 2014 nuk ka pasur më amnisti dhe ato që ishin amnisti përfituan vetëm vjedhësit, jo se nuk meritojnë edhe ata, por dëmet më të larta nga drejtësia e korruptuar, siç e keni anatemuar dhe vetë ju, jemi duke i vuajtur ne dhe familjet tona, ndaj ju keni detyrë ligjore dhe morale të kërkoni, insistoni në dhënien e një amnistie gjithëpërfshirëse, duke u bazuar edhe në atë çfarë ju keni deklaruar shumë herë në media, duke e cituar si drejtësi e kalbur.

Reforma në Drejtësi do të na sillte një shpresë, që më në fund do dilte e drejta jonë dhe doli, sepse u shkarkuan pafundësisht gjyqtarë dhe prokurorë, por ngeli akoma dënimi i dhënë nga paketa gjyqtarë dhe prokurorë, ku jo rrallëherë akuzohen si të korruptuar dhe të paaftë.

Ndaj, e drejta jonë legjitime dhe e logjikshme na çon drejt kërkesës për një amnisti të përgjithshme. Duke marrë shkas edhe nga pandemia COVID-19, shumë vende në Europë dhe më gjerë kanë bërë amnisti duke liruar të burgosur. Kushtet e jetesës brenda institucionit të rehabilitimit në një kohë kur na janë bllokuar takimet me familjen nuk janë të lehta, sepse jo të gjithë kanë mundësi për të folur me celularë përmes video-call në ‘Skype’. Neve na janë bllokuar edhe takimet speciale me bashkëshortet dhe bashkëjetueset, na janë bllokuar lejet shpërblyese. Edhe një herë insistojmë në kërkesat tona, duke besuar që je ministrie e Drejtësisë dhe jo një ministre pa portofol. Kërkojmë amnisti të përgjithshme 2-3 vite për gjithë të dënuarit. Ajo që kërkojmë është aprovimi i lejeve shpërblyese, hapja e takimeve me familjet, hapja e takimeve speciale”, thuhet në peticionin e të dënuarve në Burgun e Reçit.

Peqin, familjarët mbështesin grevën e të dënuarve

Protestës së të dënuarve në Burgun e Peqinit i janë bashkuar edhe familjarët e personave që vuajnë dënimin në këtë institucion. Familjarët e të dënuarve kanë qëndruar jashtë ambienteve të këtij institucioni, në një protestë paqësore, por e cila nuk do të ndalë. Familjarët mbështesin plotësisht kërkesat e të dënuarve, ndërsa deklarojnë se të gjitha dënimet janë dhënë nga gjykatat e korruptuara, përfaqësuesit e së cilave po shkarkohen dita-ditës nga vetingu. Me gjithë përpjekjet përfaqësuesve të zyrës juridike të burgut për të negociuar me familjarët, asnjë prej tyre nuk ka pranuar të hyjë brenda ambienteve të burgut. Ndërkohë, përfaqësuesi i zyrës juridike nuk ka pranuar që në ambientet e burgut ka grevë. Ai e cilëson atë thjesht si refuzim ushqimi. Të dënuarit e Burgut të Peqinit u kanë paraqitur institucioneve një listë me 13 kërkesa të mbështetura në ligjet shqiptare dhe praktikat ndërkombëtare.

KËRKESAT E TË DËNUARVE

1. Të lejohen takimet me familjarët
2. Të rregullohen kushtet higjienike
3. Të mos na kërcënojnë dhe të sillen ashpër
4. Ushqimi është i njëjtë dhe skandaloz
5. Dhomat e tranzitit janë me çimka, insekte
6. Kush flet nga ne, e kërcënojnë me izolim

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"S’ka kushte higjienike, ushqimi është skandaloz..."

Revolta në burgje/ Hyjnë në grevë urie edhe 150 të burgosur