MENU
klinika

Analizë

Pse në Tajvan nuk ka COVID-19?

29.10.2020 - 13:13

Pa qenë një regjim autoritar dhe i ndihmuar nga fakti i të qenit një ishull, Tajvani (23 milionë banorë) arriti 200 ditë rresht pa infeksione të brendshme nga Covid-19 dhe të shmangte valën e dytë. Kjo nuk do të thotë që virusi nuk është më i pranishëm në vend, i cili vazhdon të regjistrojë disa infeksione në ditë: megjithatë, këta janë njerëz që vijnë nga jashtë. Rasti i fundit lokal daton në 12 Prill.

Në fakt, Tajvani e ka menaxhuar edhe më mirë se Kina. Në total ka pasur 553 raste të konfirmuara, me vetëm shtatë vdekje. Asnjë qeveri tjetër në botë nuk ka arritur të menaxhojë më mirë pandeminë, madje as regjimi i Pekinit, i cili nëse nga njëra anë dukej se e kishte përballuar në mënyrën më të mirë që mundej virusin, nga ana tjetër ka ngritur dyshime serioze në lidhje me transparencën dhe besueshmërinë e të dhënave zyrtare, si dhe mbi menaxhimin e krizave. Në veçanti në fazën e parë të përhapjes së pandemisë, e cila filloi nga Wuhan dhe u shpërnda në të gjithë botën.

Modeli i Tajvanit

Sipas ekspertëve, mbyllja me kohë e kufijve dhe rregullat e rrepta për sa i takon udhëtimeve kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në frenimin e infeksioneve. Ashtu si vendet e tjera aziatike që kanë arritur rezultat (Koreja e Jugut, Japonia), Qeveria e Taipei-it ka qenë në gjendje të zbatojë gjurmimin rigoroz të kontakteve, karantinat e synuara dhe përdorimin e gjerë të maskës, e cila në këtë rajon ka qenë një traditë për një kohë të gjatë, edhe për epidemitë e tjera si Sars dhe Aviaria.

“Tajvani është i vetmi vend i madh që deri më tani ka qenë në gjendje të shmangë transmetimin e Covid – 19 në komunitet. Një gjë edhe më mbresëlënëse, për një vend me zona të populluara dendur”, thotë Peter Collignon, specialist i sëmundjeve infektive në Shkollën Mjekësore të Universitetit Kombëtar Australian. Sipas Chen Chien-jen, ish nënkryetar dhe epidemiolog, çështja në Tajvan demonstron efektivitetin e gjurmimit të kontakteve dhe karantinës së pozitivëve, veçanërisht nëse zbatohet menjëherë, kur numrat janë akoma të ulët.

Sistemi i ndjekjes i miratuar nga Taipei gjurmonte 20-30 kontakte për rastin e konfirmuar. Në situata ekstreme, të tilla si ajo e një punëtori në një klub në kryeqytet, autoritetet kanë gjetur 150 kontakte. Të gjithë njerëzit e identifikuar në këtë mënyrë duhet të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë, edhe nëse janë negativë. Për të ndihmuar qytetarët në izolim, Tajvani ka ndërmarrë hapa për të siguruar vaktet dhe shpërndarjen e ushqimit, madje edhe ndihmë përmes Line Bot, një robot që dërgon mesazhe.

Nga ana tjetër, mbështetja u shoqërua edhe me masa të ashpra: gjobë deri në 35 mijë dollarë për ata që thyejnë karantinën. Deri më tani, rreth 340 mijë njerëz kanë qenë në izolim shtëpiak, me më pak se një mijë gjoba për shkelje: 99.7% kanë respektuar dispozitat e autoriteteve. “Ne sakrifikuam 14 ditë nga 340.000 njerëz, në këmbim të një jete normale për 23 milionë njerëz” tha Chen.

Tajvani filloi mbylljen e kufijve të tij që në janar, menjëherë pas shpërthimit të pandemisë. Më pas, autoritetet zbatuan një kontroll të rreptë, duke vëzhguar simptomat e paraqitura nga udhëtarët në bordin e fluturimeve. Në fillim të pandemisë, qeveria grumbulloi rezerva maskash dhe ndaloi eksportin e tyre (një masë e marrë gjithashtu nga vendet e tjera, por e diskutueshme nga OBSH). Brenda katër muajve, kompanitë kanë rritur prodhimin nga 2 milionë në 20 milionë në ditë.

Sipas FMN, Tajvani duhet ta mbyllë vitin 2020 në stanjacion: rritja zero. Ndryshe nga Kina (+ 1.9% vlerësimi i FMN), ishulli është në prag të një recesioni, megjithëse i lehtë krahasuar me shembjen epokale të shkaktuar nga Covid. Qeveria e Taipei është më optimiste dhe në gusht parashikoi që PBB-ja do të rritet me 1.5% në vitin 2020. Vlerësimet u rritën në 1.7% në 20 Tetor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Epidemiologu që udhëheq strategjinë e Suedisë

“Mbyllja e kufijve është qesharake”