MENU
klinika

Franca, Holanda, Spanja dhe Danimarka, skeptike për progresin e Shqipërisë

Raporti i KE, ‘Kushtetuesja’ penalizon konferencën e parë

28.10.2020 - 14:36

Mosplotësimi i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë mund të jenë penalizuese për caktimin e një date për konferencën e përbashkët të BE-së me Shqipërinë. Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian vijojnë bisedimet për kuadrin negociues, tashmë në nivel ambasadorësh, “Euronews Albania” siguron tekstin e përpiluar për Shqipërinë, ku bëhet vlerësimi i vendit për përparimet e shënuara dhe punën që mbetet për t’u bërë.

Dokumenti i punës, tek i cili priten ndryshime të tjera gjatë bisedimeve në javët që vijnë, përmban ndërkohë vlerësimet kryesore për çështjet madhore në vend. Në mënyrë të përmbledhur, për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, është plotësuar kushti i reformës zgjedhore me marrëveshjen e 5 qershorit, vlerësohet reforma në drejtësi dhe funksionaliteti i Gjykatës së Lartë dhe kërkohet ai i Gjykatës Kushtetuese, si dhe kërkohet me urgjencë përparimi në fushën e lirisë së shprehjes nëpërmjet ndjekjes së rekomandimeve të Komisionit të Venecias për ligjin për mediat.

“Këshilli mirëpret vendosmërinë e Shqipërisë për të përparuar në axhendën e reformave Europiane, gjë që i shtroi rrugën vendimit për çeljen e negociatave me BE-në në Mars të vitit 2020. Shqipëria shënoi përparim të bindshëm dhe ndodhet pranë plotësimit të të gjitha kushteve që duhen përmbushur para mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare”, shkruhet në fillim të dokumentit të punës.

Në këtë pikë, sipas burimeve të “Euronews Albania” nga diplomatët e vendeve anëtare që po zhvillojnë këto bisedime, Franca, Holanda, Spanja dhe Danimarka kërkojnë që në vend të fjalës “bindshëm” të zëvendësohet me një tjetër vlerësim, gjë që mbetet për t’u parë në ditët dhe javët në vijim.

Më tej në tekst vërehet plotësimi i kushtit të reformës zgjedhore për pjesën e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

KODI ZGJEDHOR

Në dokument bëhet thirrje për forcimin e dialogut politik në vend dhe zbatimin e reformës në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme të prillit.

“Këshilli mirëpret miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi më 23 Korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ ODIHR-it. Këshilli nënvizon se dialogu politik në vend nevojitet të forcohet më tej, në veçanti për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj. Duhet garantuar gjithashtu transparenca e financimit të partive politike”, shënojnë vendet anëtare për këtë pjesë.

Më tej në tekst mirëpritet përparimi i mirë në fushën e rendit ligjor, përfshirë zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse të drejtësisë, e cila në vlerësimin e vendeve anëtare ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, si dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku mbahet shënim përmbyllja e ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Është e rëndësishme që të zhvillohen rekrutimet e mëtejme të Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë që ajo të jetë plotësisht funksionale. Përpjekjet drejt vendosjes së gjurmëve të forta të provave duhet të vijojnë, përfshirë në lidhje me verdiktet përfundimtare dhe hetimet proaktive për korrupsionin, krimin e organizuar të nivelit të lartë, si dhe nëpërmjet zbatimit të planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar, ashtu siç duhet të vijojë dhe bashkëpunimi i mirë me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare”, thuhet më tej në këtë dokument, për punët që duhet të vijojë vendi.

GJYKATAT

Këshilli mirëpret edhe faktin që procesi i vetingut ka përparuar me qëndrueshmëri dhe që ka prodhuar rezultate të prekshme, si dhe i inkurajon autoritetet shqiptare të vijojnë përpjekjet për të stabilizuar sistemin e drejtësisë në vend.

“Me një dhomë të plotësuar dhe dy të mbetura, Gjykata e Lartë po funksionon dhe pati dhe përparim në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithëse nevojiten përpjekje të mëtejshme për të proceduar me emërimet e mbetura në të dy këto institucione”, vlerësohet më tej në këtë dokument.

Edhe në këtë pikë, e sidomos për pjesën e Gjykatës Kushtetuese, katër vendet dyshuese të mësipërme kërkojnë riformulim të vlerësimit, gjë që mbetet për t’u parë se si do të ndryshojë në javët në vijim.

Në lidhje me të drejtat themelore, vendet anëtare kanë vërejtur pozitivisht përpjekjet në vijim e sipër për një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokave dhe për përforcimin e të drejtave të pronës, ndërsa i bën thirrje autoriteteve t’i vijojnë këto përpjekje, përfshirë përparimin e shpejtë me procesin e regjistrimit dhe të kompensimit.

Këshilli i rekomandon gjithashtu Shqipërisë që të miratojë me shpejtësi dhe të zbatojë dhe legjislacionin e mbetur që lidhet me Kuadrin Ligjor të vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare si dhe ligjin për censusin e popullatës. Një tjetër pikë ku vendet anëtare janë të ndjeshme është liria e shprehjes.

“Për më tepër, Këshilli i bën thirrje Shqipërisë të shënojë përparim urgjent mbi lirinë e shprehjes dhe për sigurinë e gazetarëve. Këshilli përsërit rëndësinë e ndryshimeve në ligjin e medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në dokument.

Më tej në tekst mirëpritet përparimi i prekshëm i arritur në reformën e administratës publike dhe vendi inkurajohet të vijojë me vendosmëri përpjekjet në këtë fushë. Në lidhje me migrimin, numri i azilantëve të rremë nga Shqipëria vërehet së është ulur, por se mbetet gjithsesi i lartë dhe nevojiten përpjekje të vazhdueshme edhe në këtë fushë.

Dokumenti i punës i zbuluar nga “Euronews Albania” pritet të pësojë ndryshime deri në takimin e Ministrave të çështjeve europiane, në Këshillin e çështjeve të përgjithshme të 10 Nëntorit, kur pritet vendimi i BE-së për kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Brukseli vlerëson bashkëpunimin rajonal të Shqipërisë

Në raportin e përgatitur nga ambasadorët e vendeve anëtare të BEsë, vlerësohet qasja e Shqipërisë në rajon dhe qëndrimet e saj në përputhje me politikat e Bashkimit Europian.

“Në përfundim vendet anëtare shënojnë se vendi vijoi angazhimin konstruktiv në bashkëpunimin rajonal dhe mirëpresin dialogun e vijueshëm për të garantuar mardhënie të mira fqinjësore, ndërsa lavdërojnë Shqipërinë për përputhjen e plotë me qëndrimet e përbashkëta të BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë, si dhe për vijimin e pjesmarrjes aktive në misionet dhe operacionet nën Politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së”, thuhet në dokumentin e ambasadorëve të BE-së.

VLERËSIMI I BE-SË PËR SHQIPËRINË

-Këshilli mirëpret vendosmërinë e Shqipërisë për të përparuar në axhendën e reformave Europiane, gjë që i shtroi rrugën vendimit për çeljen e negociatave me BE-në në Mars të vitit 2020.

-Shqipëria shënoi përparim të bindshëm dhe ndodhet pranë plotësimit të të gjitha kushteve që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës së parë ndërqeveritare.

-Këshilli mirëpret miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nga Kuvendi me 23 Korrik 2020, në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit, dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

-Këshilli nënvizon se dialogu politik në vend nevojitet të forcohet më tej, në veçanti për reformën zgjedhore dhe zbatimin e saj.

-Kërkohet garantim, gjithashtu, të transparencës të financimit të partive politike.

-Procesi i vetingut ka përparuar me qëndrueshmëri dhe ka prodhuar rezultate të prekshme. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të vijojnë përpjekjet për të stabilizuar sistemin e drejtësisë në vend.

-Me një dhomë të plotësuar dhe dy të mbetura, Gjykata e Lartë po funksionon dhe pati përparim në funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, megjithëse nevojiten përpjekje të mëtejme për të proceduar me emërimet e mbetura në të dy këto institucione.

-Shqipëria të miratojë me shpejtësi dhe të zbatojë legjislacionin e mbetur që lidhet me Kuadrin Ligjor të vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare si dhe ligjin për censusin e popullatës.

-E rëndësishme të zhvillohen rekrutimet e mëtejme të Byrosë Kombëtare të Hetimit në mënyrë që ajo të jetë plotësisht funksionale.

– Përpjekjet drejt vendosjes së gjurmëve të forta të provave duhet të vijojnë, përfshirë në lidhje me verdiktet përfundimtare dhe hetimet proaktive për korrupsionin e krimin e organizuar të nivelit të lartë.

-Të zbatohet plani i veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës së Veprimit Financiar, të vijojë dhe bashkëpunimi i mirë me autoritetet përkatëse të vendeve anëtare.

-Ka përpjekje pozitive për një reformë gjithëpërfshirëse të sektorit të tokave dhe për përforcimin e të drejtave të pronës.

-Shqipëria të shënojë përparim urgjent mbi lirinë e shprehjes dhe për sigurinë e gazetarëve.

-Këshilli përsërit rëndësinë e ndryshimeve në ligjin e medias në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Vendi vijoi angazhimin konstruktiv në bashkëpunimin rajonal.

-Këshilli mirëpret dialogun e vijueshëm për të garantuar marrëdhënie të mira fqinjësore, ndërsa vlerëson Shqipërinë për përputhjen e plotë me qëndrimet e përbashkëta të BE-së në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mustafa: Nuk do shpallim e as do krijojmë armiq

Kushtetuesja i hap rrugë krijimit të qeverisë së re