Kanë përfunduar ndeshjet e dyta në 4 grupe të Champions League. Surpriza e radhës, ashtu si një javë më parë, ishte Real Madrid, që ndalet në transfertë. Los Blancos barazuan në Gjermani. Ndërsa spikasin fitoret e ekipeve angleze.
GRUPI A – Pas suksesit të Bayern në Moskë, Atletico Madrid duhej të ishte forca e dytë e grupit. Dhe e nisin mirë, teksa shënojnë me Llorente, por Salzburg përmbys në 1-2, një gol në 40’ dhe tjetrin në 47.
Megjithatë, në 52’ Joa Felix barazon në 2-2 dhe lë të hapur sfidën. Është sërish ylli portugez që shënon në 85’, duke sjellë një tjetër përmbysje në këtë sfidë, me ndeshjen që mbyllet 3-2 për Atletico Madrid.
GRUPI B – Pas ndalesës sërish të Interit, pritej reagimi i Real Madrid. Por është Borussia Monchegladbach që për pak bëri surprizën e radhës në këtë grup, duke u ndalur në fund në 2-2 në shtëpi, me vendasit që shënuan nga një gol në secilën pjesë loje me Marcus Thuram.
Real Madrid u fut në lojë në 87’ me Benzema dhe kohën shtesë në 93’ barazoi me Casemiron. E gjitha meritë e Ramos me pasimin e artë me kokë. Los Blancos shmangin humbjen, që do të rrezikonte seriozisht të eliminoheshin nga grupi.
GRUPI C – Manchester City bën detyrën edhe në ndeshjen e dytë, duke fituar 3-0 në transfertë ndaj Marseillë. Torres përfitoi në pjesën e parë nga një gabim i vendasve. Në të dytën është goli i Gundogan dhe Sterling sigurojnë 3 pikët. City merr kreun e grupit me 6 pikë.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Porto fiton 2-0 në shtëpi ndaj Olympiacos. Edhe në këtë sfidë goli i parë u shënua në pjesën e parë dhe për një gabim të mbrojtjes. Vendasit siguruan fitoren në pjesën e dytë.
GRUPI D – Liverpool tregohet paksa cinik në shtëpi ndaj danezëve të Midtjylland. Të Kuqtë fituan 2-0 me gol të Diego Jota në 55’ dhe 92’ me penallti. Dy fitore të ngushta për Liverpool radhazi në grup, por që i japin kreun me 6 pikë.
Atalanta edhe njëherë tjetër tregon veten në Champions. Edhe pse miqtë e Ajax shënuan dy gola (30’ e 38’) në pjesën e parë, bergamaskët arritën të barazojnë në të dytën me dy gola të Zapata-s (54’ e 60’). Gjithsesi, nuk pati më gola, mbyllet 2-2.