MENU
klinika

Kina kryeson në rajon dhe jo vetëm

RT/ Azia është fiks ku duhet për të shpëtuar nga kriza Covid

06.10.2020 - 20:59

Kontrolli i shpejtë i shpërthimit Covid-19 u ka dhënë vendeve aziatike një avantazh ndaj ekonomive të tjera, duke hapur rrugën për një rimëkëmbje më të shpejtë, sipas analistëve të Goldman Sachs.

“Ne mendojmë se Azia është me të vërtetë e pozicionuar më mirë nga rajonet kryesore tani, duke pasur parasysh kontrollin e mirë të virusit në pjesën më të madhe të rajonit jashtë Indisë dhe disa pjesë të Azisë Juglindore”, tha Andrew Tilton, shefi i ekonomisë së Azisë në bankën e investimeve. siç citohet nga CNBC të hënën.

Evropa aktualisht po përballet me një valë të re të infeksioneve të koronavirusit, me gjithnjë e më shumë qytete që zbatojnë kufizime më të ashpra, të cilat mund të pengojnë shërimin e tyre pas bllokimeve të mëparshme. SHBA po sheh gjithashtu një rritje të rasteve mesatare ditore.

Ndërkohë të dhënat zyrtare nga Kina, një nga drejtuesit kryesorë ekonomikë të rajonit të Azisë, tregojnë se ndikimi më i keq i koronavirusit duket se kaloi. Vendi ka raportuar vetëm një duzinë deri në dy duzinë rastesh të konfirmuara rishtas çdo ditë për javët e fundit, krahasuar me mijëra infeksione të përditshme që raportohen ende në SHBA.

“Unë mendoj se, duke pasur parasysh kontrollin e mirë të transmetimit të brendshëm të virusit në Kinë, do të shohim që aktivitetet e shërbimeve do të kthehen,” i tha Tilton CNBC.
Shpenzimet e konsumatorëve në ekonominë e dytë më të madhe në botë po rimëkëmbet më pak sesa kishte pritur qeveria. Shpenzimet turistike në gjysmën e parë të festës kombëtare të “javës së artë” ranë me gati një të tretën nga ajo gjatë së njëjtës periudhë në 2019. Kjo mund të përbëjë një sfidë ndaj përpjekjeve të Pekinit për të rritur shpenzimet e brendshme. Statistikat tregojnë se, në gusht, shitjet me pakicë më në fund u rritën me 0.5 përqind në krahasim me vitin e kaluar, por ato ishin ende mbi tetë përqind për gjysmën e parë të vitit 2020.

Ekonomia kineze sërish arriti të shënonte rritje pozitive në tremujorin e fundit, megjithatë, duke shpëtuar nga recesioni, dhe të dhënat aktuale ekonomike tregojnë për rimëkëmbjen e mëtejshme në përgjithësi. Ekonomistët kinezë nga Nomura presin që PBB-ja e vendit të rritet 5.2 përqind në tremujorin e tretë krahasuar me një vit më parë.

Sipas strategut të tregut global për Azi Paqësorin në Invesco David Chao, Kina ka treguar një reagim të vazhdueshëm në formë V nga pandemia, dhe kjo i jep një nxitje fqinjëve të saj. “Rimëkëmbja e Kinës do të udhëheqë ekonomitë përreth Azisë në një farë mase,” i tha ai CNBC në fillim të kësaj jave.

/Përkthyer dhe përshtatur për Konica.al nga RT