MENU
klinika

Roli i antitrupave

Sa të rrezikuar janë qytetarët për t’u infektuar sërish?

03.10.2020 - 07:45

A janë të mbrojtur nga virusi COVID-19 personat të cilët janë infektuar dhe e kanë kaluar këtë sëmundje?! Në një intervistë, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, tregon se sa e riskuar për t’u riinfektuar është kjo kategori e cila tashmë ka krijuar antitrupa, teksa ndalet te roli që luajnë antitrupat në luftën kundër koronavirusit.

Nga Ina Allkanjari

“Aktualisht në botë janë raportuar shumë pak raste riinfektimesh me COVID-19 të dokumentuara, të cilat mund të numërohen në gishtat e dy duarve. Ndërkohë që deri më sot ka 34,6 milionë të infektuar të dokumentuar. Pra, deri më sot risku është krejtësisht minimal, më pak se 1 ndër 3,5 milionë raste”. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, i cili tregon se sa të riskuar për t’u riinfektuar, janë qytetarët që e kanë kaluar virusin. Gjithashtu, mjeku ndalet te roli që luajnë antitrupat e krijuar te këta persona, teksa thekson se mekanizmi i imunitetit qelizor është po aq i rëndësishëm në luftën kundër virusit. Më tej mjeku analizon virulencën e virusit, e cila, sipas tij, është më e ulët se në periudhën mars-prill. Alimehmeti thekson se në muajin mars shtroheshin në spital rreth 40% e rasteve aktive, shifër që shkoi në 19% në prill, në më pak se 10% në maj dhe aktualisht të shtruar në spital janë 3,8% e rasteve aktive. Për sa i përket uljes së temperaturave dhe shtimit të rasteve gjatë periudhës vjeshtë – dimër, epidemiologu thekson se ulja e temperaturave është në disfavor të imunitetit tonë, pasi ai bie me ftohjen e motit, gjë që na bën më të riskuar edhe ndaj patogjenëve të tjerë, jo vetëm ndaj koronavirusit të ri.

Si e shihni situatën aktuale të COVID-19 në Shqipëri?

Gjendja aktuale në Shqipëri është relativisht e qëndrueshme me sinjale të fillimit të një rënieje të lehtë, nëse lexojmë me kujdes dhe analizojmë të dhënat zyrtare të botuara nga Ministria e Shëndetësisë. Më në detaj:

-Në gjysmën e dytë të shtatorit, incidenca e rasteve të reja ka qenë 65 raste për 100000 banorë, ndërkohë që në gjysmën e parë të shtatorit kjo incidencë ishte 77 raste për 100000 banorë. Pra, vërehet një rënie prej 15,6%.

-Mesatarja ditore e rasteve të reja ishte 125 gjatë javës që kaloi, ndërkohë që ishte 147 një javë më parë, pra gjithashtu një rënie 15,0%.

-Java e kaluar gjithashtu fatkeqësisht u shoqërua me 15 vdekje, ndërsa javën më parë u pësuan 28 fatalitete, në rënie me 46,4%.

-Gjithashtu, përqindja e testeve që rezultojnë pozitive ka rënë shumë, në krahasim me korrik-gushtin. Ndërkohë që në korrik rreth 24% e testeve rezultonin pozitive, tashmë shifra e pozitivitetit të testit luhatet ndërmjet 14% dhe 15%, pra një ulje rreth 37,5%.

-Shifrat më të larta të rasteve të vëna re në datat 1 dhe 2 tetor mund t’i atribuohen direkt rritjes së testimeve, i cili është një fakt për t’u përgëzuar. Pozitiviteti i testeve është 15,7% më 1 tetor dhe 14,7% më 2 tetor 2020 (burimi: Ministria e Shëndetësisë).

-Kujdes: rastësia luan rol të rëndësishëm kur analizohen shifra të ulëta dhe, gjithashtu, situata është në zhvillim dinamik dhe si e tillë duhet konsideruar.

Si paraqitet aktualisht virulenca e SARS-CoV-2?

Virulenca e virusit është më e ulët se në periudhën mars-prill, kur ky virus shkaktonte sëmundje të rëndë në një përqindje më të lartë pacientësh. Faktikisht, në mars shtroheshin në spital rreth 40% e rasteve aktive, shifër që shkoi në 19% në prill, në më pak se 10% në maj dhe aktualisht të shtruar në spital janë 3,8% e rasteve aktive (përditësuar më 2 tetor 2020).

Kjo ulje graduale është rrjedhojë e një sërë arsyesh, duke përfshirë, por pa u kufizuar, në rritjen e kapaciteteve diagnostikuese, rritjen e kapaciteteve trajtuese, trajtimin më të hershëm, rritjen e ekspertizës mjekësore, rritjen e ndërgjegjësimit dhe të njohurisë nga ana e popullatës, si edhe fenomenet e përshtatjes së virusit me njeriun.

Mendoni se ka një ndërgjegjësim të qytetarëve për sa u përket masave parandaluese të virusit?

Patjetër që ndërgjegjësim ka, por kuptohet që ndërgjegjësimi nuk është i shpërndarë në mënyrë homogjene në popullatë, duke pasur si rrjedhojë edhe krijimet e ekstremeve, që nga ndërgjegjësimi total e deri te mohimi absolut i sëmundjes, por fatmirësisht, shumica e popullatës ndodhet ndërmjet qëndrimeve ekstreme. Gjithmonë ka mënyra për t’u përmirësuar, por nuk dyshohet që ndërgjegjësimi dhe distanca, higjiena dhe maska përdoren më mënyrë më të shpeshtë sesa në periudhën e shkurt-marsit.

Hapja e shkollave, lejimi i frekuentimit të ambienteve të mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave. Çfarë ndikimi do të ketë në shtimin e rasteve me virus?

Hapja e shkollave duhet trajtuar veçmas bareve dhe restoranteve. Së pari, arsimi është e drejtë themelore e njeriut, e shoqëruar me një sërë vlerash dhe përfitimesh që do t’i udhëheqin fëmijët tërë jetën, ndërkohë që frekuentimi i bareve dhe restoranteve hyn më shumë në sferën e argëtimit. Së dyti, në shkolla kemi të bëjmë kryesisht me fëmijë që, fatmirësisht, janë më pak të riskuar nga koronavirusi i ri dhe e transmetojnë më pak atë, siç edhe citohet në raportin zyrtar të ECDC-së mbi shkollat dhe COVID-19.

Gjithashtu, shkollat janë ambiente më të kontrolluara dhe fëmijët kanë tendencë natyrore të zbatojnë rregullat dhe të pranojnë autoritetin e mësueseve. Nga krahu tjetër, baret dhe restorantet mbledhin mosha më të mëdha dhe ndikimi i punonjësve është tejet i ulët mbi sjelljet e frekuentuesve, madje mund të kthehet në kundërproduktiv. Si rrjedhojë, ndërkohë që epidemiologjikisht nuk pritej asnjë çudi në rastin e shkollave, situata është më e paqartë mbi baret dhe restorantet.

Mendoni se vendimi i lejimit të frekuentimit të ambienteve të mbyllura, ishte i duhuri në këto momente?

Vendimi u takon me të drejtë vendimmarrësve dhe koha do të tregojë nëse është vendim i drejtë apo jo. Por duhet të marrim në konsideratë që vendimmarrësit e gërshetojnë situatën epidemiologjike edhe me situatën ekonomike dhe sociale, përpara marrjes së vendimit. Në shëndetin publik, pabarazitë shëndetësore si rrjedhojë e pabarazisë socio-ekonomike, janë faktori kryesor shkaktar i shëndetit më të dobët, vdekshmërisë më të lartë dhe cilësisë më të ulët të jetës.

Elementi më i mirë mbrojtës është fuqizimi i konsumatorit. Nëse një bar apo restorant nuk të duket i përshtatshëm dhe i sigurt, sepse ka shumë njerëz apo është i papastër, thjesht evitoje dhe mos u ul. Gjej një tjetër bar apo restorant, ose thjesht vaktin apo kafenë konsumoje në shtëpi.

Në një kohë kur shtete të tjera po përballen me rritje të infektimeve me uljen e temperaturave, si mendoni se do të jetë ecuria e përhapjes së virusit në Shqipëri?

Ulja e temperaturave patjetër është në disfavor të imunitetit tonë, pasi ai bie me ftohjen e motit, gjë që na bën më të riskuar edhe ndaj patogjenëve të tjerë, jo vetëm ndaj koronavirusit të ri. Megjithatë, duke vërejtur shifrat zyrtare të shteteve të hemisferës jugore, të cilat sapo e kaluan dimrin në bashkëjetesë me koronavirusin e ri, nuk u vu re ndonjë fakt krejtësisht i papritur. Shtim të rasteve mund të ketë, por me shumë mundësi në nivele të kontrollueshme dhe joemergjente.

Personat që e kanë kaluar COVID-19, sa të riskuar janë për t’u infektuar sërish?

Aktualisht në botë janë raportuar shumë pak raste riinfektimesh të dokumentuara, të cilat mund të numërohen në gishtat e dy duarve. Ndërkohë që deri më sot ka 34,6 milionë të infektuar të dokumentuar. Pra, deri më sot risku është krejtësisht minimal, më pak se 1 ndër 3,5 milionë raste.

Çfarë roli luajnë antitrupat e formuar?

Antitrupat janë kundërshtues të virusit, pjesë e imunitetit humoral. Formohen në të gjithë personat e ekspozuar ndaj SARS-CoV-2 brenda 3 javësh, duke arritur nivele më të larta te personat që e kanë kaluar më rëndë sëmundjen, dhe bien në mënyrë krejtësisht natyrore dhe të parashikuar pas disa muajsh. Mesatarisht pas 3-6 muajsh ata bëhen të pamatshëm nga metodat tona laboratorike aktuale.

Megjithatë, nuk duhet të harrojmë që antitrupat nuk janë i vetmi mekanizëm mbrojtës i trupit, edhe pse janë më të lehtë për t’u shpjeguar dhe kuptuar. Në fakt, mekanizmi i imunitetit qelizor është po aq i rëndësishëm, jo vetëm për përgjigjen direkte kundër qelizave të infektuara nga virusi, por edhe për prodhimin dhe mbajtjen në qarkullim të limfociteve T të kujtesës. Këto limfocite do të qëndrojnë në qarkullim për periudha shumë të gjata (shumë vite dhe ndoshta tërë jetën), në mënyrë që, nëse trupi ynë bie në kontakt të dytë me SARS-CoV-2, imuniteti fillon menjëherë t’i kundërvihet në një kohë shumë më të shpejtë sesa herën e parë. Ky fakt është demonstruar më së miri nga ato pak raste të riinfektuarish, të cilët janë të gjithë pa shenja klinike deri më sot. Nuk duhet të harrojmë që imunitet nuk do të thotë që viruset apo bakteret nuk hyjnë dot përsëri në trupin tonë, por do të thotë që imuniteti nuk i lejon të na shkaktojnë sëmundje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Historia e pazakontë e mjekut shqiptar

“Para 10 vitesh kemi shëruar një pacient me Covid”

"Sipas BE, kufijtë mund të hapen me vendet që…"

Epidemiologu: Rritja e temperaturave dhe e lagështisë ul infektimin nga COVID

Mjeku epidemiolog nxjerr studimin e huaj dhe jep dy lajme të mira

“Kina gënjeu për kurbën e koronavirusit, ja harku kohor i virusit. Tani, forca e tij…”