Kur Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë erdhi në pushtet në fillim të viteve 2000, ai e paraqiti veten si udhëheqës i një demokracie muslimane model, përparësia kryesore e së cilës ishte anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ngadalë, ai ka evoluar në një njeri të fortë, modelet e të cilit janë Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Mijëra të burgosur politikë gjenden në burgjet e tij. Askush nuk e ilustron këtë transformim të më mirë sesa Osman Kavala, i cili javën e kaluar u akuzua për spiunazh dhe përpjekje për të përmbysur qeverinë.
Kavala, 63 vjeç, është një biznesmen, filantrop dhe aktivist kulturor i njohur për iniciativa të tilla si promovimi i pajtimit midis turqve dhe armenëve. Ai nuk ishte kurrë një politikan ose një udhëheqës i opozitës, por ai tregoi anën liberale, laike të Turqisë që Erdogan përçmon.
Gati tre vjet më parë, ai u burgos papritmas dhe iu nënshtrua një fushate të egër shpifjeje në mediat pro-qeveritare; Erdogan e quajti atë një “bashkëpunëtor lokal” të “hebreut të famshëm hungarez” George Soros, subjekt i teorive të panumërta të konspiracionit në Turqi dhe jo vetëm.
Kavala u akuzua përfundimisht për organizimin e protestave anti-qeveritare që shpërthyen në Stamboll në 2013. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, zbuloi se nuk kishte asnjë provë kundër tij dhe urdhëroi lirimin e tij dhjetorin e kaluar. Dy muaj më vonë, një gjykatë turke e liroi atë.
Tani Kavala është akuzuar se ka bashkëpunuar me një profesor kolegji amerikan, Henri Barkey, në koordinimin e përpjekjes për grusht shteti në korrik 2016 kundër Erdogan.
Ajo që është shqetësuese në lidhje me këtë rast nuk është vetëm persekutimi i vazhdueshëm i një intelektuali të shquar turk, së bashku me një akademik të shquar Amerikan, por edhe arsyetimi që edhe Putinit do t’i dukej i çuditshëm.
Erdogan po tregon se ai mund të burgosë këdo për ndonjë arsye, përfshirë marrëzitë e veta.
Ju mund të mendoni se Departamenti i Shtetit, do t’i bëne presion Turqisë në emër të Barkey dhe Kavala. Përveç disa deklaratave nga zyrtarë të rangut të ulët, kjo nuk ka ndodhur.
Gjithashtu, kërcënimi i kundërshtarëve politikë në bazë të akuzave kriminale është duke u bërë një taktikë e preferuar edhe e Presidentit Trump.
Përkthyer dhe përshtatur nga Washington Post/ konica.al