MENU
klinika

Si paraqitet situata?

Vala e dytë e Covid 19 rikthen karantinën tek dy ekonomitë më të mëdha të Europës

29.10.2020 - 10:13

Dy nga ekonomitë më të mëdha të Europës po i rikthehen karantinës, ndërsa gjithë kontinenti po përballet me një rritje masive të numrit të rasteve pozitiv me Covid-19 dhe vdekjeve.

Nga e premtja, qytetarët francezë do të lejohen të largohen nga shtëpia vetëm për punë thelbësore ose për arsye mjekësore. Nëpërmjet një dalje publike, presidenti Macron tha se sipas rregullave të reja, njerëzit do të duhet të plotësojnë një formular për të justifikuar largimin nga shtëpitë e tyre, siç ishte kërkuar në bllokimin fillestar në muajin Mars. Gjithashtu, takimet shoqërore janë të ndaluara. Presidenti Emmanuel Macron tha se vendi rrezikonte të “mbytej nga një valë e dytë që pa dyshim do të jetë më e vështirë se e para”.

Ndërkohë, Gjermania po vendos një bllokim kombëtar “të butë”. Masat që hyjnë në fuqi të hënën janë më pak të rënda se në Francë, por ato përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatrove, tha kancelarja Angela Merkel. Ndër të tjera kancelarja deklaroi se vendi i saj duhej të “vepronte tani” dhe bëri thirrje për një “përpjekje të madhe kombëtare” për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Ndërsa Gjermania ka një normë më të ulët infektimi se shumë pjesë të tjera të Europës, shpejtësia me të cilën virusi është përhapur javët e fundit ka alarmuar qeverinë.

“Sistemi ynë shëndetësor ende mund të përballet me këtë sfidë sot, por me këtë shpejtësi të infektimit ai do të arrijë kufijtë e kapacitetit të tij brenda disa javësh,” deklaroi Merkel.
Infeksionet po rriten ndjeshëm në të gjithë Europën, përfshirë këtu edhe Mbretërinë e Bashkuar e cila të Mërkurën raportoi 310 vdekje të reja dhe 24,701 raste të reja. Në Angli, një studim i ri tregon se pothuajse 100,000 njerëz po infektohen nga virusi çdo ditë, duke krijuar kështu më shumë presion mbi qeverinë për të ndryshuar politikën nga një qasje rajonale.

Në Francë, vdekjet ditore të Covid janë në nivelin më të lartë që nga Prilli. Të mërkurën, 36,437 raste të reja dhe 244 vdekje u konfirmuan.

Zyrtarët shëndetësorë gjermanë thanë të Enjten 89 persona të tjerë kishin vdekur në 24 orët e fundit, me një rekord prej 16,774 infeksionesh.

Lajmet për kufizimet e reja që u futën në ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian çuan në rënie të ndjeshme të tregjeve financiare të Mërkurën. “Ne jemi thellë në valën e dytë,” tha Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. “Unë mendoj se Krishtlindjet e këtij viti do të jenë ndryshe nga çdo vit më parë.’’

Por si paraqitet situata në pjesën tjetër të Europës?

Megjithëse rastet po rriten në të gjithë Europën, jo të gjitha vendet po zgjedhin bllokimet kombëtare.

Italia, e cila ishte epiqendra evropiane në fillimin e valës së parë të virusit, ka futur tashmë kufizime të reja të cilat do të jenë në fuqi për një muaj. Të gjithë baret dhe restorantet në të gjithë vendin duhet të mbyllen deri në orën 18:00, megjithëse mund të sigurojnë një rihapje më vonë. Palestrat, pishinat, teatrot dhe kinematë duhet të mbyllen, por muzetë mund të qëndrojnë të hapur. Ndalohen mbledhjet për dasma, pagëzime dhe funerale. Shkollat ​​dhe vendet e punës nuk po mbyllen, por shumë shkolla të mesme do të funksionojnë me mësimin online.

Ndërkaq, Spanja filloi shtetrrethimin e saj në mbarë vendin në 25 tetor pasi qeveria shpalli një gjendje të re të jashtëzakonshme. Njerëzit në të gjitha rajonet, me përjashtim të Ishujve Kanarie, duhet të qëndrojnë në shtëpi midis 23:00 dhe 06:00.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka shkallën më të keqe të infeksionit në kontinent me 1,448 raste për 100,000 njerëz gjatë 14 ditëve. Ajo ka vendosur një bllokim të pjesshëm.

Belgjika, e cila ka nivelin e dytë më të keq të infeksionit në Evropë për frymë, ka raportuar numrin më të lartë të shtrimeve në spital për Covid-19 që nga piku i fillimit, më 6 Prill. Aktualisht, 5,924 pacientë ndodhen të shtruar në spital me virus, 993 prej të cilëve janë në kujdes intensiv. Në një fjalim kombëtar të Mërkurën në mbrëmje, Kryeministri Alexander De Croo e përshkroi situatën si “kritike”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Merkel merr vendimin e menjëhershëm

Nga e hëna, Gjermania rifutet në karantinë!