MENU
klinika

"Do gjunjëzoj Kinën"

Zotimi i Trump, shkak për konfliktin e ashpër mes dy fuqive

12.10.2020 - 19:34

Zotimi i Presidentit Trump se do ulte Kinën në gjunjë nuk u realizua në mandatin e tij 4-vjeçar. Por këto përpjekje dhe fjalime të tij i lanë vendin periudhës më armiqësore të marrëdhënieve dypalëshe në dekada dhe çuan në një konflikt të ashpër që mund të zgjasë një gjeneratë.

Trump ishte gati për deklarimin e fitores me strategjinë e tij ndaj Kinës në janar, kur priti zyrtarë të lartë të Partisë Komuniste në një festë të Shtëpisë së Bardhë për një pakt modest tregtar.

Por prej asaj periudhe ai ka nisur sulmet ndaj Pekinit duke e quajtur si një rrezik edhe më të madh sesa në 2016, kur ai tha se Kina ishte lejuar “të përdhoste vendin tonë” në tentativën për t’u bërë forcë ekonomike.

Në një fjalim të regjistruar në Asamblenë e Përgjithshme të KB në shtator nga Salla e Pritjes Diplomatike në Shtëpinë e Bardhë, Trump deklaroi se, 75 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet po zhvillonin përsëri një “luftë të madhe globale”, këtë herë kundër “armikut të padukshëm-virusit kinez.”

“Duhet të quajmë përgjegjës për këtë plagë botërore, vendin që e shkaktoi, Kinën”, tha ai.

Fjalimet e ashpra të tij për Kinën janë dëshmi se zotimi i tij për ta ulur shtetin komunist në gjunjë nuk është realizuar.

Edhe pse ai kërkon të bindë votuesit se demokrati, Joe Biden nuk është aq i fortë për t’i dalë ballë Xi. Gjatë mandatit të Trump, Kina ka treguar forcën e saj duke penguar të drejtat demokratike në Hong Kong, duke zgjeruar mbikëqyrjen e brendshme dhe ka burgosur më shumë se një milion Myslimanë, ka dëbuar gazetarë të huaj dhe ka mbyllur një Konsullatë Amerikane në Chengdu pasi administrata Trump urdhëroi mbylljen e një kompleksi kinez në Hjuston.

Trump ka zhvendosur marrëdhëniet SHBA-Kinë nga bashkëpunimi në marrëdhënie mosbesimi dhe antagonizmi, duke i lënë dy fuqitë kryesore të botës në konflikt për një sërë çështjesh të sigurisë ekonomike dhe kombëtare që po reflektohen në gjithë globin.

Ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë e krahasojnë situatën me qëndrimin e Presidentit Ronald Reagan ndaj Bashkimit Sovjetik para shembjes së tij, ndërsa kritikët e Trump paralajmërojnë se ai ka krijuar një marrëdhënie të tensionuar dhe të rrezikshme që ka ardhur jo nga një strategji gjithëpërfshirëse, por nga një stil kaotik dhe i padisiplinuar që ka përcaktuar shumë aspekte të drejtimit të tij.

Nëse Trump merr një mandat të dytë ai mund të “çojë dy shtetet drejt një konkurrence afatgjatë. Mund të përshkallëzohet në 20 deri në 30 vjet luftë të ftohtë me shumë kosto dhe rreziqe”.

Të dy vendet kanë vuajtur shumë gjatë pandemisë së koronavirusit me një numër të lartë të infektuarish dhe viktimash. Por, rreth 61 përqind nga të gjitha kombet e anketuara treguan në rezultate se Kina po bënte një punë të dobët në menaxhimin e koronavirusit.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara, dolën edhe më keq në anketim pasi 84% e të pyeturve thanë se pandemia po menaxhohej shumë keq.

Ditët e para të shpërthimit të pandemisë në Kinë dy liderat e shteteve folën në telefon disa herë ndërsa Xi Jiping tha se situata ishte nën kontroll por kur rastet shpërthyen në disa nga shtetet kryesore të SHBA-së, Trump ashpërsoi tonin dhe kritikat publike për Kinën.

Në fillim të mandatit të tij si president Trump zhvilloi një takim me Xi Jiping në 2017-tën ndërsa diskutuan një bashkëpunim të mundshëm për çarmatimin nuklear të Koresë së Veriut.

Por më tej Trump veproi pas krahëve të Kinës dhe shprehu gatishmërinë për ndërhyrje ushtarake në Kore dhe kjo bëri që vëmendja e Kinës të fokusohej nga Korea e Veriut drejt SHBA-së.

Vitin e parë të qeverisjes Trump e kaloi duke u fkusuar tek Kina pasi administrata e tij e bindi të tregohej i kujdesshëm. Dhe në mars 2018, ai nënshkroi një masë që autorizonte rritjen e tarifave në 60 miliardë dollarë për mallrat kineze, dhe kjo shpejti çoi në një luftë të plotë tregtare.

Ndërsa nisi edhe bisedimet me Kim Jong Un duke ulur rolin e Kinës në bisedimet bërthamore.

Ky veprim i Trump nxiti Xi Jiping të afrohej me diktatorin Korean dhe mes tyre zhvilluan 5 takime. Nuk ishte vetëm Kina ajo që reagoi ndaj politikës kaotike të jashtme të Trump, edhe Japonia, Koreja e Jugut dhe disa shtete evropiane reaguan gjithashtu.

Në momentet e para të qeverisjes së tij ai deklaroi tërheqejen e SHBA nga Traktati i Paqes së Parisit dhe nga Partneriteti Trans-Paqësor që financoheshin nga Kina.

Trump pati një qëndrim në lidhje me Kinën por nuk kishte një strategji të qartë dhe kjo rezultoi në mospërputhje dhe konfuzion.

Në të vërtetë Trump ishte i dëshpëruar për të rifilluar bisedimet me Kinën ndërsa në media deklaronte të kundërtën.

‘Çfarë ka arritur Trump?’

Dhjetorin e kaluar presidenti njoftoi një përparim, një marrëveshje tregtare me Kinën.

Sipas kushteve, Pekini ra dakord të blinte një shtesë prej 200 miliardë dollarësh në produktet e SHBA gjatë dy viteve, ndërsa Shtetet e Bashkuara ndaluan rritjen e disa tarifave ndaj Kinës.

Në janar, i shoqëruar nga një delegacion kinez, duke përfshirë Zëvendës Kryeministrin Liu He, Trump pohoi marrëveshjen në një ceremoni të mbushur me zyrtarë të Kabinetit, ligjvënës dhe drejtues biznesi, një shfaqje që një analist e krahasoi me një “fjalim të pranimit të Academy Awards”.

Në një monolog 48 minutësh, Trump lavdëroi kinezët për bashkëpunimin në çështjen e Koresë së Veriut ndërsa lideri kinez deklaroi se marrëdhëniet me SHBA do bëheshin të ngrohta dhe do qëndronte në kontakt me presidentin amerikan.

Brenda 10 javësh, të dy kishin ndaluar së foluri fare, shkak u bë pandemia e koronavirusit. Tanimë është mëse e qartë se pas shpërthimit të pandemisë Trump ka mbajtur një qëndrim kritik dhe armiqësor haptazi ndaj Kinës duke e cilësuar virusin kinez dhe duke fajësuar këtë vend për dëmin që i shkaktoi botës.

Përkthyer dhe përshtatur nga: The washington post/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN