MENU
klinika

Women Champions League

Dramatike, Vllaznia femrave kalon turin e parë

03.11.2020 - 17:06

Vllaznia e futbollit të femrave është kualifikuar për në turin e dytë të Women Champions League. Vajzat shkodrane arritën suksesin vetëm pas gjuajtjeve të penalltive, teksa koha e rregullt përfundoi 2-2 dhe pas shtesave sërish barazim 3-3 kundër skuadrës turke të ALG Spor Kulubu.

Një ndeshje dramatike për Vllazninë në “Loro Boriçi” të Shkodrës, teksa triumfuan në fund 3-2 pas gjuajtjeve të 11-metërshave. Vajzat kuqeblu e nisën mirë ndeshjen, teksa shënuan që në minutën e shtatë me Gjinin dhe me këtë rezultat e mbyllën pjesën e parë.

Mikeshat turke e rritën ndjeshëm tempin e tyre dhe në fillimin e pjesës së dytë barazojnë. Por do të ishte sërish Lucie Gjini ajo që do të kalonte Vllazninë në avantazh kur regjistrohej minuta e 70-të. Megjithatë, pa kaluar as 3 minuta ALG Spor Kulubu barazon në 2-2. Bëhet më e vështirë për Vllazninë në minutën e pestë shtesë të kohës së rregullt Curraj ndëshkohet me të kuq.

Në dy shtesat prej 15 minutave nuk ndodh gjë deri në 2 minuta para fundit, kur vajzat turke kalojnë në avantazh në 2-3. Por vajzat shkodrane nuk dorëzohen dhe barazojnë në 122’ me Bajraktarin. U deshën penalltitë për të caktuar fituesin dhe fati ishte me Vllazninë, që do të presë shortin e turit tjetër.