MENU
klinika

Nga Aljazeera

Islami nuk është në krizë, liberalizmi po!

07.11.2020 - 19:28

Nga Asad Dandia

Ndërsa bota po përballet me varfëri ekstreme, dhunë dhe kolaps mjedisor, është vërtet e habitshme të mendohet se si myslimanët ose “Islami” ndodhen në krizë. Në fillim të këtij muaji, Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi në një fjalim drejtuar kombit se “Islami është një fe që është në krizë sot në të gjithë botën”. Në të njëjtën fjalim, ai zbuloi një program politik për forcimin e laicitetit në Francë që kufizon rreptësisht fenë në sferën publike. Që atëherë, vrasja brutale e një mësuesi shkolle, goditja ndaj dy grave myslimane dhe përplasjet diplomatike kanë ringjallur shqetësimet globale rreth konfliktit midis Islamit dhe laicitetit.

Është shkruar shumë për Francën dhe tentativën e saj për të diskriminuar muslimanët dhe mbi historinë e liberalizmit francez si një justifikim për kolonizimin brutal të miliona popujve në të gjithë Azinë dhe Afrikën , atë që vetë Franca e quajti (mision civilizues). Kjo dhunë është po aq pjesë e historisë franceze, sa trioja e saj revolucionare (liri, barazi dhe vëllazëris).

Myslimanët kanë mbajtur barrën e kolonializmit francez (dhe të tjerëve), imperializmit dhe dhunës raciste prej vitesh mbi shpinë.

Vërejtjet e Macron rreth ”Islamit në krizë”, nxisin menjëherë pyetjen: Çfarë është “Islami” dhe a i ka kontrolluar ndokush ata? E vërteta është se “Islami” si i kundërt i liberalizmit dhe iluminizmit është diskutuar aq shumë sa nuk ka nevojë të shqyrtohet këtu. Le të marrim, megjithatë, deklaratën e Macron në mënyrë përshkruese: A është Islami në krizë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, do të duhet të fillojmë me përcaktimin e termave.

Nëse me “Islam”, Macron nënkupton pakicat myslimane në Amerikën e Veriut dhe Evropën Perëndimore, atëherë përkundrazi, nuk ka pasur kurrë moment më emocionues për të qenë myslimanë. Në fakt, është pikërisht në “Perëndim” – të cilin Macron dhe paraardhësit e tij e kanë pozicionuar prej kohësh si antiteza e “Islamit” – ku po shfaqen disa nga diskutimet më të forta midis muslimanëve.

Nxitja e migracionit masiv dhe teknologjisë së informacionit (përfshirë mediat sociale) kanë nxitur një transformim të gjallë kulturor dhe intelektual midis myslimanëve që gjeneratat paraardhëse nuk mund t’i imagjinonin kurrë. Asnjëherë më shumë myslimanët nuk kanë qenë të angazhuar kaq aktivisht në studim krijues, interpretim, kontestim dhe mishërimin e traditës së tyre siç janë sot.

Gratë muslimane po nxjerrin në pah përpjekjen e tyre për të pohuar lirinë e zgjedhjes së tyre dhe për të sfiduar autoritetin tradicional mashkullor, në etikë, politikë dhe më gjerë, pa pasur nevojë për ”shpëtimtarët” e bardhë liberalë.

Myslimanët me prejardhje afrikane, historia e gjatë e rezistencës së të cilëve është e dokumentuar mirë, janë në krye të organizimit të drejtësisë sociale, duke u bërë thirrje njerëzve të mendojnë më me kapacitet për të imagjinuar një botë përtej dhunës policore, burgjeve, përtej logjikës së komb-shteteve.

Rritja e literaturës shkencore mbi Islamin në gjuhën angleze, në mjedise akademike të udhëhequr nga myslimanë – dëshmon më tej për lulëzimin e Islamit në Perëndim. Anglishtja, tani është një gjuhë e globalizuar dhe është po aq gjuhë “islamike” sa edhe persishtja.

Menjëherë pas 11 shtatorit, myslimanët – veçanërisht në Shtetet e Bashkuara – u detyruan të pozicionoheshin si patriotë besnikë të përkushtuar ndaj miteve amerikane në mënyrë që të mos dyshoheshin lidhur me ngjarjen. Për një kohë të gjatë, myslimanët kërkuan një “vend në tryezë” për të demonstruar këtë besnikëri ndaj SHBA-së.

Sot, komunitetet myslimane po kalojnë më pak kohë duke kërkuar një vend në tryezë dhe më shumë kohë duke ndërtuar tryeza të tyre. Ata po artikulojnë me vetëdije struktura të ndryshme të dhunës islamofobe, të cilat kanë qenë në pjesën më të madhe përgjegjëse për formësimin e nënshtrimit global të tyre. Dhe po, kjo përfshin sfidën e tyre ndaj dhunës shtetërore të ushtruar nga vende si SH.B.A. dhe Franca.

Ashtu si traditat e tjera që sfidojnë hegjemoninë e rendit global dominues të kapitalizmit racor dhe epërsisë së bardhë, qofshin traditat Indigjene, Marksiste apo feministe – të gjitha këto kryqëzohen dhe informojnë njëra-tjetrën – tradita Islame ka gdhendur vendin e saj si një traditë që ofron kritikat e veta duke u bazuar në një trashëgimi 1,400-vjeçare që shtrihet nga Amerika në Marok në Indonezi. Unë do të argumentoja se kjo është një dëshmi e pasurisë dhe gjallërisë së komunitetit mysliman sesa e prapambetjes së tij.

Por nëse me “Islam”, Macron do të nënkuptonte botën muslimane?

Nuk ka dyshim se “bota muslimane” po lufton. Pasojat e Pranverës Arabe deri më tani kanë pasur rezultate të përziera, më shkatërruese në Siri, Libi dhe Jemen. Pushtimi izraelit i Palestinës dhe pushtimi indian i Kashmirit vazhdojnë. Lëvizjet nacionaliste të krahut të djathtë ose kanë kaluar ose po fitojnë terren në Turqi dhe Pakistan. Iraku dhe Afganistani mbeten të ngatërruar në betejat e panumërta të pushtetit mes pasojave të luftërave të Amerikës. Ndërkohë, myslimanët Rohingya në Mianmar dhe Uighur në Xinjiang përballen me gjenocid në ditët e sotme.

Ndërsa shumë nga këto kriza mbivendosen, secila prej tyre është pasojë e rrethanave të veçanta historike që kërkojnë analiza rigoroze. Edhe një vështrim i përkohshëm i faktorëve që i formuan ato e bën shumë të qartë se këto kriza vështirë se mund të futen në një diskursin totalizues rreth “Islamit në krizë” – një ligjërim që nuk shërben si asgjë tjetër përveçse një mbulesë për të shmangur përplasjen me historitë shumë të komplikuara që solli “botën myslimane” atje ku është sot.

Përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, popullatat myslimane dhe aleatët e tyre vazhdojnë të tregojnë se kur bota sjell më të keqen, ato ofrojnë më të mirën e tyre. Përballë Faraonit, muslimanët bëhen Moisiu.

Ajo që gjithashtu neglizhohet është roli i qeverive liberale amerikane dhe franceze në mbajtjen e sistemeve joliberale të shtypjes që ata pretendojnë se kundërshtojnë. SHBA dhe Franca janë aleatë të vendosur të Izraelit, Indisë, Egjiptit dhe shteteve Arabe të Gjirit.

Liberalizmi akuzohet për themelimin e shpronësimit të dhunshëm dhe racist në lindjen e sistemit të pabarazisë globale që ekziston sot. Kritikët e tij më të vendosur nga kjo anë përfshijnë filozofin amerikan Cornel West dhe shkrimtarin indian Pankaj Mishra. Liberalizmi nuk mund të mbulojë të kaluarën e dhunshme me ide të barazisë dhe lirisë.

Po ashtu shihet si një ideologji mbytëse që heq qeniet njerëzore nga çdo ndjenjë e bashkësisë ose angazhimit shoqëror ndaj njëri-tjetrit. Të gjithë bien dakord se ka ardhur koha për analizën e liberalizmit. Edhe shkencëtari politik amerikan Francis Fukuyama, mbrojtës i liberalizmit, po jep këmbanat e alarmit.

E megjithëse nxitësit e liberalizmit nuk mund të mos përpiqen të justifikojnë formulën që solli krizë në botë. Ata i përshkruajnë sukseset e liberalizmit – lirinë, barazinë, autonominë – ekskluzivisht si arritje të tyret.

Siç ka theksuar antropologu britanik Talal Asad, “Rastësisht më duket një ironi e jashtëzakonshme që deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, nëse jo më vonë, civilizimi evropian (ose i krishterë) u shpall krijuesi i botës moderne por që tani, po ballafaqohet me një të ardhme kërcënuese, dhe është më e zakonshme të dëgjosh njerëz të flasin për vetëshkatërrimin e njerëzimit.

Macron duhet të jetë i sigurt se Islami do përmirësohet, se muslimanët kanë kapërcyer shumë kriza dhe do të kapërcejnë shumë më tepër. Sa për ata që janë të shqetësuar për njerëzimin në përgjithësi, tani është koha të mendojmë së bashku, të afrohemi me njëri-tjetrin ndërsa përballemi me krizat globale që kërcënojnë myslimanët dhe jo -myslimanët njësoj.

Përkthyer dhe përshtatur nga: Aljazeera/ F.H, konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Konflikti për karikaturat e Profetit Muhamed

Turqia akuza Francës: Rikthehen “kryqëzatat” kundër islamit